Premtohet rihapja e dosjeve të vrasjeve të bujshme. Kush e pengoi policinë të hetonte?

Postuar në 03 Tetor, 2017 08:13

Pas deklaratës së ambasadorit amerikan Donald Lu, politika është vënë në rresht për të gjetur kriminelët. Ose më saktë, për të mos lejuar që kjo deklaratë të interpretohet se kriminelët janë mes radhëve të njërit grup apo tjetër.

Në një diskutim në emisionin “Top-Story”, drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, Niko Brahimaj, deklaroi se policia do të rihapë disa dosje.

“Policia ka dosje ku dyshohet se janë të përfshirë personat e përmendur nga Donald Lu. Unë nuk mund të flas më shumë për arsye hetimore. Ne do të merremi edhe me dosjen e ish-deputetit Xhindi, që do të rihapet. Edhe me dosjen Santo, edhe me dosjen e oficerit të policisë, edhe me dosjen e gjyqtarit e të tjerë e të tjerë. Zullumi është trashur shumë dhe litari i lidhjes është drejt këputjes. Policia është tejet e përgjegjshme për të kryer detyrat. Prokuroria e Krimeve të Rënda na ka mbështetur dhe kjo do të vazhdojë”, deklaroi ai.

Po kush e ka penguar Policinë të hetojë si duhet? Kush e ka penguar PS-në që erdhi në pushtet që të hetojë si duhet për vrasjen e Fatmir Xhindit? Prokuroria, gjykata, PD-ja, LSI-ja? Këto pyetje nuk kanë përgjigje sepse kuptohet vetiu si qëndron puna me to. Premtimi I sotshëm I z. Brahimaj, që mund të jetë një polic i mirë, por nuk vendos për asgjë, është sa për të mbajtur frymën te deklarata e Lusë, pasi dihet fare mirë se vrasjet në fjalë janë mbyllur nga politika për arsyet e veta. Njësoj siç u mbyll 21 janari për arsye që i gëlltit një klasë politike e zhytur në vjedhje dhe krime. Pasqyrë e saj është edhe kjo polici e inkriminuar, që është sot rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve që nga momenti kur një polic I thjeshtë del në rrugë për një gjobë e deri te ndalimi në komisariate ku nuk dihet se çfarë mund të ndodhë. Pa folur këtu se implikimi i pjesëtarëve të saj me kultivimin e kanabisit ka krijuar një problem edhe më të madh që është qarkullimi monetar mes drejtuesve të policisë që përkundrejt rrogës që u jep shteti, është disafish më i lartë.

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=365036&fundit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.