"Në Rusi bien dakord vetëm për një gjë: Revolucioni i 1917-ës, ishte një Katastrofë"
Vladimir Zelinskij, studiues i mendimit filozofik dhe fetar, pedagog i gjuhës dhe kulturës ruse në Universitetin Katolik në Romë, jep disa mendime për atë që ndodh sot në Rusinë e Vladimir Putinit. I intervistuar nga gazeta “Avvenire”, Zelinskij e hap komentin e vet me përshkrimin e gjendjes shpirtërore të moskovitëve.
“Doni të vidhni paratë tona. Dakord, vazhdoni, por lëreni të qetë qytetin tonë”.
Sipas tij, politika e Kremlinit, përparon përherë e më shumë drejt një nacionalizmi me ngjyrime fetare. 9 maji mbetet festa që celebrohet me pompozitet, ndërkohë që viti 1917, viti i Revolucionit të Tetorit po zhvlerësohet, meqenëse presidentit rus nuk i intereson përçarja në shoqërinë ruse.
“Ekziston Rusia putiniane dhe e varësisë nga televizioni, Rusia e shumicës. Ekziston edhe Rusia antiputiniane e pakicës. Këto të dyja nuk bien dakord për asgjë: për Ukrainën, Krimenë, Perëndimin, korrupsionin etj., përveç se një fjale: Katastrofë. Me këtë fjalë përshkruajnë revolucionin e vitit 1917. Për motive të ndryshme ama. Shkatërrimi i një perandorie të bashkuar dhe të fuqishme në rastin e parë; lindja e një përbindëshi kanibal bazuar mbi urrejtjen në rastin e dytë. Një fatkeqësi thuajse për të gjithë përveç se për komunistët, aktualisht me elektorat 20%”, thotë Zelinskij.
Duke folur për trashëgiminë sovjetike dhe bolshevike, studiuesi në fjalë mendon se monumentet e paprekshme të Leninit, i interesojnë për momentin pushtetit rus. Sipas tij, në ish-republikat sovjetike procesi i dekomunistizimit ka marrë karakterin e sfidimit të trashëgimisë ruso-sovjetike dhe një gjë e tillë nuk i intereson Kremlinit.
Add new comment