Nelson Çabej dhe “provat” e sjella nga ai
Artikulli i botuar disa ditë më parë, 30 gusht 2017, tek gazeta DITA “Rreth miteve të prejardhjes joilire të shqiptarëve” nga Dr. Nelson Çabej, tregon edhe një herë erudicionin e gjërë dhe punën mjaft studimore të këtij autori të njohur shqiptar, (i mirnjohur të paktën nga brezi im “socialist”), por megjithkëtë, a e provon të kundërtën ky shkrim, (pra prejardhjen tërësore të shqiptarve nga ilirët), -kjo mbetet në këtë artikull jo vetëm e dyshimtë, por as edhe mund të merret në konsideratë –për mendimin tim– për shkak të trajtimit mjaft metafizik të kësaj çeshtje, asaj të origjinës së një populli të caktuar, si ky yni, apo dhe kujdo populli tjetër, nga x- dhe y- popull i antikitetit. (Pa dashur rashë edhe unë në batakun e metafizikës, teksa emërtesat e fiseve-popujve-shoqërive antike i baraz-vendosa si emërtimet e popujve-kombeve të sotëm! Por të kuptohemi, pa kategoritë, pa ndarjet metafizike, ne nuk mund të bëjmë. Le të vazhdojmë e të sqarohemi me mirë më poshtë! Dhe para se të vazhdojmë, sqarojmë edhe këtë tjetrën, atë që unë njihem me dy nga librat e Nelson Çabejt, atë mbi Gjenetikën, me bashkautor në mos gaboj, dhe atë mbi Historinë e Shkencës Shqiptare, libra me mjaft vlerë e që duhet të jenë në bibliotekën e çdo njeriu, siç ndodhen edhe në bibliotekën time; pra kundërvënia që unë do ti bëj artikullit të tashëm të Nelsonit nuk ka të bëjë me atë si person, për të cilin ndjej respekt si studjues dhe shkencëtar, por ka të bëj me kërkimin dhe orientimin e kujdo studjuesi drejt të VËRTETËS.)
Si teoritë mbështetëse të prejardhjes së shqiptarve nga ilirët, ashtu dhe toritë kundërshtuese të kësaj teze nisin jo me herët se 200 vjet më parë, (biles jo më herët se 150 vjet më parë), po të mos llogarisim një thënie të Lajbnicit, që është edhe nja 100 vjet më e vjetër, -gjithë këto na i sjell bukur të radhitura artikulli i Nelson Çabejt. Tani, pyetja e të gjitha pyetjeve, pyetja më e thjeshtë, pyetja më e parë është: a duhet ti konsiderojmë ne ilirët siç konsiderojmë sot një popull të caktuar, i cili dallon prej një populli tjetër mbi të gjitha nga gjuha, e pastaj nga veshja, zakonet, etj.-etj.? Pra, a është emërtimi “ilir” ekuivalent me emërtimin “shqiptar”, apo dhe me çdo emërtim tjetër kombi të sotëm, si “serb”, “grek”, “italian”, etj? Pra, a janë ilirët një popull me një gjuhë të caktuar dhe të ndryshme nga popujt përreth tyre?
Dhe, kur themi “ilirët”, e njëjta pyetje e mësipërme duhet shtruar edhe për “helenët”, për “keltët”, për “pellazgët”, për “albanët”, për “etruskët”, për “jonianët”, për “trojanët”, për “thrakasit”, për “dardanët”, për “akejt”, etj! A janë të gjithë këta popuj të kohrave të lashta dhe antike njëlloj të konsiderueshëm siç popujt e sotëm? Apo, karakteristikat e some dalluese të një populli nuk mund të barazvlerësohen (ekuivalohen) me karakteristikat dalluese të popujve të lashtë dhe antikë?
Këtyre pyetjeve shkenca e tre shekujve të fundit, kryesisht ajo pasuese e botes greko-romake, e vazhduar në vendet e gjuhës romane (Itali, Francë, etj.), i ka dhënë përgjigje negative; çfarë kemi mësuar edhe ne në shkollën tonë shqiptare, ashtu dhe një serë vendesh të tjera, kryesisht të bllokut lindor, ku dialektika materialiste të tregonte orë e çast ndryshimet e parreshtura të natyrës dhe shoqërisë, etapat e tyre, relativitetin e gjithanshëm. Pra, emërtesat e popujve të kohrave antike e të lashta nuk janë të barazvlershme me emërtesat e popujve të sotëm, të cilët quhen kombe, apo popuj me baza nacionale. Ndërsa shkolla e ashtuquajtur anglo-saksone, (Gjermani-Amerikë, paksa edhe Angli, etj.), në një formë si (gjoja) të pavetëdijshme i barazvlerëson emërtesat e popujve antikë me emërtesat e popujve të sotëm, gjë që do të thotë se ilirët, helenët, thrakasit, maqedonët, keltët, dardanët, trojanët, akejtë, albanët, etruskët, etj-etj. nuk ishin as më shumë e as më pak por po njëlloj popuj si popujt e sotëm, pra kombe me dallim gjuhe, pra nacione! Mos u çudisni, por të gjitha trajtimet gjuhësore dhe historike të kësaj shkolle (anglo-saksone, ku kanë mësuar edhe studjuesit e shquar shqiptarë, Eqerem Çabej, Aleks Buda, etj.) nuk bëjnë as edhe një dallim midis karakteristikave dalluese të kombeve të sotëm dhe karakteristikave dalluese të fiseve-shoqërive-popujve të kohrave antike! Pikërisht kësaj shkolle i janë ngjitur tashmë edhe disa studjues të nderuar shqiptarë, si Nelson Çabej, pse jo edhe Shaban Demiraj, -ndonëse dy-tre librat e fundit të gjuhëtarit shqiptar unë akoma nuk i kam lexuar. (Nuk përmenda këtu pseudo-historianët shqiptarë, si E. Kocaqi, A. Spahiu, etj, me të cilët jam marrë më parë e të cilët nuk ia vlen më ti përmendësh!)
E ç’më vlen mua gjithë ai erudicion i artikull-shkruesit (N.Ç.), kur ai bazohet tërësisht në autorë të së ashtuquajturës shkollë anglo-saksone, të këtyre dy shekujve të fundit, kohë kjo kur nacionet e këtyre autorëve u rritën më shpejt se trupi i Braço Ferrës pas ngrënies së spinaqit, gjë që zhvilloi më tepër jo vetëm konkurrencën e tyre, por edhe konkurrencën e studimeve të këtyre intelektualëve, duke i vënë automatikisht dhe pavetëdije ata në krye të kësaj konkurrence, si dhe bashkshoqërueses së saj të heshtur, komplekseve të inferioritetit, që prezantonte sejcili grup prej tyre, gjë që dha aq natyrshëm lidhjen e këtyre kombeve me fiset-shoqëritë-popujt antikë, (siç kish dhënë më parë edhe për vetë mbretërit me figura mitollogjike), e më pas, me ecjen e mëtejshme të civilizimit dhe ftohjen e konkurrencës, i kaloi kjo lidhje (ky gabim thuaj) edhe popujve më të vegjël, si bie fjala atij boshnjak, atij shqiptar, etj.. Dhe ky gabim vazhdon sot e kësaj dite si për inerci nga shumë e shumë studjues, dominuar nga e ashtuquajtura shkollë anglo-saksone, si më e pasura kjo në buxhetet financiare, si e tillë edhe më dominuesja në botën e shkencës. Por, a i shërben shkencës, a i shërben të vërtetës ky barazvlerësim emërtesash popujsh të kohrave të ndryshme?! Unë mendoj se jo!
Kështu, të gjitha referimet e autorit tonë shqiptar (N.Ç.) nuk vlejnë as edhe një grosh në mbështetje të tezës “së tij”, nëse e vërteta do të vlerësohej me grosh! Që, shqiptarët kanë lidhje me të ashtuquajturit “ilirë”, kjo nuk ka diskutim, por jo se shqiptarët si komb rrjedhin tërësisht nga ilirët si komb i caktuar! Pra, ata që quheshin nga helenët si “ilirë” (i lir, të lirë), ndoshta nga fakti se nuk i përkisnin kulturës fetare helene, (hënore –sipas mendimit tim), -gjë që parakupton gjithashtu se greqishtja antike kishte më shumë lidhje me shqipen se me greqishten e sotme-, duhet të kenë përbërë një tërësi fisesh dhe kulturash të ndryshme fetare, pa diskutim edhe me gjuhëra të ndryshme, (çfarë asaj kohe nuk përbënte dallimin parësor, si sot); dhe këta ilirë të jugut duket se janë parakaluesit e një pjese të mirë të shqiptarve të sotëm gegë, pra atyre veriorë, e ndoshta edhe të një pjese të shqiptarve të Shqipërisë së Mesme. Por këtu diskutimi hyn në hollësira që kërkojnë punë më të detajuar, gjë që nuk është qëllimi i këtij shkrimi.
E përfundoj këtë lloj “replike” të shkurtër, (e futa në thonjza, sepse nën emrin e studjuesit tonë të nderuar, N. Çabej unë lidh të gjithë ata që i marrin ilirët si një kombësi e caktuar), duke i kujtuar autorit të sapopërmendur ato udhëtimet kërkuese dhe eksploruese të europianëve të lashtë, të cilët kishin si orientim yllin polar; kështu duhet edhe sot të kenë kërkimet dhe studimet e kujdo studjuesi, të VËRTETËN si pikë orientimi!
Add new comment