Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, a do ketë rol Majlinda Bregu?

Postuar në 08 Shtator, 2017 23:00

Diskutimi më i madh pas publikimit të skemës së re të qeverisë dhe përbërjes së saj ishte shkrirja e Ministrisë së Integrimit, një dikasteri të krijuar posaçërisht për të përshpejtuar afrimin e shqiptarëve me Europën. Diçka që nuk pritej aq më tepër pas dushit të ftohtë që kryeministri  Rama u bëri ambadadorëve në prani edhe të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për të cilin pati dyshime se do të dorëzonte portofolin.

Gjithsesi ai u rikonfirmua në postin e ministrit dhe në këtë pikë mendohet të ketë luajtur rol pavendosmëria e kryeministrit për figurën që do të përfaqësonte një dinamikë tjetër në çështjet e integrimit dhe diplomacisë tradicionale. Aq më tepër që kryeministri pas 18 Majit e mbrapa, por edhe pak ditë para shpalljes së qeverisë fliste për një bashkëpunim të ngushtë me opozitën për çështjet e integrimit dhe një filozofi të re me emërues interesat kombëtare në këtë drejtim.

Në këtë frymë nuk do ishte paradoksale që në krye të Ministrisë së Jashtme të vihej një figurë që do të vinte nga opozita, madje u përfolën dhe emra ku më i lakuari ishte ai i Majlinda Bregut.Një emër që bënte sens për shkak të përvojës së saj si ish-ministre e Integrimit, me nota pozitive për punën e saj edhe në Bruksel apo selitë e huaja diplomatike. Të kujtojmë që Edi Rama nuk ishte ndjerë keq afër saj, një vit më parë në Komisionin e Nivelit të Lartë Shqipëri-BE.

Gjithsesi çdo hamendësim u fashit kur Rama i besoi sërish diplomacinë Ditmir Bushatit, dhe një ministri që sipas Top-Channel do të quhet  Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=363206#k1.  Televizioni në fjalë e komenton këtë emërtim të ri si një reflektim të Edi Ramës pas një farë shqetësimi që ngjalli tek ambasadorja e BE-së në Tiranë mungesa jo vetëm e shkrirjes së Ministrisë së Integrimit Europian, po edhe thjesht mungesa e termit “integrim europian” në përbërjen e kabinetit të ri.

Sipas Top-Channel emërtimi i ri duket sikur thotë se Shqipëria është në Europë, ka një ministri për Europën dhe Integrimi nuk është më një shtojcë ministrore apo semantike, po një aspekt i përkatësisë europiane të Shqipërisë. Deri tani opozita nuk ka dhënë ndonjë sinjal se ku do të ndihmojë qeverinë në këtë drejtim. Ajo që dihet është se kryeministri Rama do t’i japë Partisë Demokratike kryesimin e Komisionit Parlamentar të Integrimit.

Nëse Majlinda Bregu do të ketë ndonjë rol kjo mbetet për t’u parë. Dhe i vetmi kontribut i saj mund të jetë në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme pasi  zhveshja nga mandati i deputetit e bën të pamundur angazhimin e saj parlamentar, por nuk përjashton një emërim të saj si kryenegociatare e Shqipërisë pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.