Politikë për vete, radha e pushtetit të legalizojë pasuritë
Pa ikur mirë vapa e gushtit qeveria surprizoi me një lajmërim të Agjencisë së Legalizimeve për t’i hapur rrugë formalizimit edhe të rreth 160 mijë ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e Republikës. Drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame tha se kjo do të mundësohet pas ndryshimeve ligjore që do t’i bëhen ligjit aktual, pa dhënë më shumë detaje se për çfarë objektesh bëhet fjalë.
Respublica mësoi se ndryshimet në ligjin e ri do të mundësojnë legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonat turistike, rrugët kombëtare apo zonat e mbrojtura. Me pak fjalë ajo që nuk ndodhi në 4 vitet e shkuara nuk ka për të ndodhur kurrë, fadromat e shtetit nuk do t’i shohim as në Durrës, as në Vlorë, as në Sarandë dhe as në Ksamil duke prishur ngrehinat e betonit që ngrihen thuajse mbi det. Qeveria ka vendosur të lëgalizojë krimet urbane në zonat turistike dhe kësisoj të aministojë nga çdo përgjegjësi ligjore ish-zyrtarët që kanë nxitur apo toleruar këto krime.
Paralelisht me këtë lajmërim shteti bën sikur tregon dhëmbët me paligjshmërinë duke nxjerrë në të njëjtën ditë Drejtoreshën e Inspektoratit Kombёtar i Mbrojtjes sё Territorit, e cila në njё aksion nё Gjirin e Lalёzit flet per ashpërsinë e ligjit mbi objektet që nuk kanë respektuar lejet e ndërtimit. “Loja, merr lejen, shkele lejen sa dhe si tё duash, pastaj legalizo shkeljen pёr pesё lekё, do tё marrё fund”, ka thёnё Bici. Cinizmi shkon deri aty sa kryeinspektorja Bici paralajmëron në emër të barazisë dhe shtetit të së drejtës se “Shqiperia, mjedisi, turizmi, publiku nuk mund tё humbasin mё pёr llogari tё xhepave tё biznesmenёve tё pangopur”. http://lexo.al/dallendyshe-bici-bregdeti-nuk-t%D1%91-jet%D1%91-m%D1%91-n...
Pikërisht në këto zona qeveria ka vendosur të legalizojë ndërtimet pa leje, zonja Bici kujdeset që askush të mos hyjë në gardhin e tjetrit. Janë 160 mijë ndërtime pa leje që priten të legalizohen dhe pyetja është nëse do rishohim të njëjtën shfaqje që pamë katër vitet e shkuara, kryeministrin duke shpërndarë leje legalizimi. Me shumë gjasa jo, sepse tani është radha e pushtetit të legalizojë pasuritë e vëna me xhaketat, vulat e shtetit apo paratë e trafikut të drogës.
Add new comment