“Holbrooke premtoi se SHBA nuk do ta njihte Kosovën. Letra dhe M. e Dejtonit janë zhdukur”
Aleksadër Vuçiç hap dialogun për Kosovën, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç shkruan për kufijtë. Gjatë këtyre ditëve, Daçiç ka publikuar artikuj dhe dhënë intervista duke sugjeruar nevojën e një kompromisi me shqiptarët. Kosova një çështje e Serbisë me komunitetin ndërkombëtar, po zhvendoset në termat e një marrëdhënieje rajonale duke ngarkuar me barrën e shpërbërjes së Jugosllavisë edhe Shqipërinë. Por Daçiç nuk ndalet vetëm në propozime. Në një intervistë për tabloidin serb, Srpski Telegraf, ai ka folur për një letër të Richard Holbrooke, që sipas tij iu dërgua ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Milosheviç, në të cilën diplomati amerikan i shkruan se “SHBA nuk do ta njohë kurrë Kosovën”.
“Ata bëjnë të paditurin kur i pyes, por është e paimagjinueshme që Serbia të mos ketë një kopje të Marrëveshjes së Dejtonit. Të gjithë ndihmësit e Milosheviçit deklarojnë, sekretarja e tij betohet se Milosheviçi e thirri atë dhe i dha një copë letër ku Holbrooke – atëherë kryenegociatori mes Perëndimit dhe Serbisë dhe i dërguar i SHBA – firmoste për Milosheviç(gjatë negociatave të vitit 1998-1999) se SHBA nuk do ta njihte kurrë Kosovën”, shprehet Daçiç. Sipas tij edhe letra është zhdukur gjatë kohës kur Milosheviç u arrestua. Ministri serb ka akuzuar partnerët e dikurshëm në koalicionin qeverisës.
http://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2017&mm=08&dd=15&nav_id=10...
Rreth pretendimeve të Daçiç ka folur edhe një nga ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të Milosheviçit, përfaqësues i Serbisë në konferencën e Rambujesë në vitin 1998, Nikolla Sainoviç, i cili ka deklaruar se nuk di për një dokument të tillë, por ka shtuar se pozicioni i SHBA-së asokohe ishte se “Kosova është pjesë e Serbisë”. Agjencia serbe “B92”, vë në dukje se Sainoviç ka deklaruar së fundmi në media se Holbrooke donte të negocionte për Kosovën që në Konferencën e Dejtonit, por kjo u refuzua nga Milosheviç. Po kështu në arkivat e Gjykatës së Hagës sipas këtij ish-zyrtari, dokumentohet se Holbrooke ka premtuar një shtet të shqiptarëve në Kosovë rreth vitit 1998, kur edhe pretendohet se ka shkruar letrën për ish-presidentin jugosllav.
Është interesant fakti që origjinali i Marrëveshjes së Dejtonit mungon si në Serbi ashtu edhe në Bosnje –Hercegovinë. Kërkesa për të përmbushet nga Franca që shpërndan fotokopje. Një histori që i ngjan mungesës së dokumentit të pavarësisë së Shqipërisë. Këtu del një rol vërtet për t’u studiuar i Holbrooke, për të cilin pak muaj më parë, Radovan Karaxhiç deklaroi se kishte marrëveshje me të që të mbetej i lirë.
Mesa duket Holbrooke ka qenë një njeri i talentuar për gënjeshtra hipnotizuese ndaj serbëve.
Add new comment