Dy artistë, dy shpirtra binjakë dhe një palë atlete që po "bëjnë" gjeopolitikën europiane

Postuar në 11 Gusht, 2017 15:50

Revista “Shenja” që botohet në Maqedoni hapet këtë numër me titullin: “Fenomeni Rama”. Në foto qendrore kryeministri i Shqipërisë i cili gëzon suksesin e padiskutueshëm e të qenit lajmi ndër shqiptarë. Përtej kësaj, vijnë lajme dhe propagandë shtesë që ngatërrojnë miletin në analiza dhe fantazi të cilat vetëm sa provojnë se janë pre e provokacionit që është showman politik Rama. Në shkrimin e gjatë, autori Rizvan Sulejmani  kulitivon bindjen se atletet e bardha të kryeministrit të Shqipërisë kanë një domethënie gjeopolitike të caktuar.

...Ai e bëri fluturimin e parë në Stamboll, për ta ndarë kënaqësinë me një mik populist si vetja, që nuk pikturon, por reciton vargjet e Mevlanas, për t’i bërë për vete zemrat e popullit ose për të bërë strategji për Shqipërinë në kohën e Evropës globaliste. Dy artistë, njëri poet dhe këndues i Kuranit e shahir, tjetri piktor, e kanë të përbashkëtën politikën. Si dy shpirtra binjakë, ata gjejnë kënaqësinë të rrinë një a dy orë bashkë dhe në fund, të dehur nga e bukura e artit, dalin me premtime marramendëse

shkruan Sulejmani që më tej vazhdon duke theksuar se në “Bosfor... bashkohen mistikja me racionalen, e bukura me pragmatikën, ambicia me mundësinë, pushteti me madhështinë”.

Timonieri lë Bosforin për t’u nisur drejt Triestes ku u paraqit me atlete. Pse me atlete? Sepse sipas Sulejmanit, Rama tani e ka të lehtë ta konsiderojë Europën përveç Merkelit si një sprovë të kaluar.

...Por, pse me atlete të bardha dhe “Adidas”? Ndoshta, se e bardha evropiane (atletet) më tepër bien në sy karshi të zezës së Ballkanit (kostumet e mbyllura) ose të tregojë se tani e tutje shqiptarët do të jenë paqësorë dhe jo destrojerë, që prishin konstrukte artificiale. Pse jo, a nuk kishte një takim misterioz në brigjet e Bosforit me mikun e tij, Vuçiq? Besoj se mund ta merrni me mend pse me “Adidas”

vijon autori.

Këto mesazhe simbolike të dy këmbëve dhe një shpirti masonik, artist i pazbërthyeshëm mesa duket, kanë bërë përshtypje të thellë. Ato kanë eksploduar minierën e fantazisë për analizë duke u kthyer në shembull suksesi të paprecedentë dhe duke përjashtuar p.sh ndonjë plagë në këmbë, apo ndonjë thua të infektuar. Jo. Skemat e Ramës funksionojnë 100%. Në to peshkohet i gjithë rruzulli dhe ndodh kjo sepse gjetjet e tij prej artisti befasojnë, ato shkëlqejnë në pështjellimin e të papriturës që krijojnë.

Ndonjëherë analiza është edhe dëshirë, ajo ecën sipas një bindjeje për të kënaqur shpjegimet që dëshiron e për ta shndërruar aktorin në subjekt leximesh shumëfishe. Te kjo dëshirë e atyre që analizojnë qëndron në fakt gjeopolitika e vërtetë, ajo që është bindja e autorit që analizon, e që e çon politikën e Tiranës zyrtare me dëshirë dhe me lutje drejt Stambollit që sot pëshpëritet si Ankara.

Ja se çfarë thotë Sulejmani për atë lëvizje sizmike që sipas tij po krijojnë atletet e Ramës:

Përsëri: çfarë është e përbashkëta e Gjermanisë globaliste, samitit të Triestes, Erdoganit dhe Ramës me atletet e bardha në qendër të vëmendjes. Shpirti i artistit është i thellë. Ai shkon përtej arsyes, është shpërthim, ndjenjë shpirtërore, që neve na shfaqet me disa simbole. Ai ka nuhatje, sheh se mozaikut nuk është komplet, i mungon një pjesë. Parandjenjë se Amerika e lëshon Ballkanin, se Evropa gjermanizohet, kurse shqiptarët mbeten pa ombrellë. Cila mund të jetë alternativa... Gjermania, si duket, nuk mund të pajtohet që Turqia t’i kontrollojë shumë pika dhe resurse gjeostrategjike, si energjinë dhe ujërat, ose edhe të jetë shumë afër me Rusinë. Një konfrontim i drejtpërsëdrejti i këtyre dy shteteve për momentin nuk i konvenon asnjërës. Ta fusësh nën kontroll Turqinë është shumë e shtrenjtë, kurse të lihet pa kontroll është shumë e rrezikshme. Gjermania me mjeshtri i ofron një marrëveshje përafërsisht si Japonisë, por Turqia e refuzon. Ekonomia e këtij vendi nuk e përballon dot konkurrencën e ekonomisë gjermane, andaj shpejtë do të kishte rënë nën varshmëri komplete deri në humbjen e sovranitetit. Se si të afrohen sërish këta aleatë historikë, kjo është sfida që kërkon përgjigje. A mund të jetë Rama një pikëtakim i këtyre dy vendeve, por edhe i iniciativës regjionale? Pak e besueshme, por e mundshme. Për regjionin e mbetur jashtë integrimeve duket se është figurë e patejkalueshme, por për lidhjen e Evropës me Bosforin pritet të shihet. Arti nuk shpjegohet, por përjetohet. Politika e artistit është po aq e pakuptueshme sa edhe arti i tij. Rama artist në politikë. Enigmës se atleteve të bardha duam t’i japim një shpjegim. Rama me timonin në dorë duket se na vozitë kah qendra që e lidh Evropën gjermane me Turqinë erdoganiste. Atletet e bardha sikur duan të thotë: vërejtje, vërejtje, sytë këndej! Unë jam në qendër të një Evrope globaliste dhe të një Turqie erdoganiste në ngritje e sipër!

Vëmendje më të madhe për një palë atlete kompania Adidas nuk do kishte shpresuar ndonjëherë.

http://shenja.tv/rama-atletet-e-bardha-ne-qender-te-evropes-globaliste-d...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.