"Serbët dhe shqiptarët duhet të jetojnë në paqe. Jemi gati për kompromis"
Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka folur për dialogun e fundit për Kosovën, nismë e tij, në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”. Vuçiç ka qenë i drejtpërdrejtë kur ka deklaruar se thirrjet për luftë dhe ngurtësimi në pozicione retorike të militarizuara nuk ndihmojnë më askënd.
“Është lehtë të thuhet, shkoni e luftoni në Kosovë! Mirëpo kjo mënyrë e të menduarit na ka dërguar gjithmonë në luftë. Unë dua një rrugë të re për Serbinë. Dua që të hap diskutime të drejta dhe korrekte për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Edhe nëse serbët nuk janë ende gati unë nuk do të dorëzohem. Ky debat do të ketë efekte shëruese për të gjithë ne edhe nëse arrijmë apo jo rezultat të mirë”, ka thënë Vuçiç.
Presidenti serb ka folur edhe për faktin se si në çdo negociatë palët duhet të jenë të gatshme të lëshojnë diçka.
“Nëse të dy palët nuk janë të gatshme të humbasin diçka, atëherë nuk do të ketë rezultat të mirë dhe konflikti do të zgjasë përgjithmonë. Kjo do të dëmtonte të dy palët. Unë besoj se jam personi i duhur për këtë dialog. A e dini pse? Kam qenë deputeti më i ri, ministri dhe kryeministri më i ri dhe tani jam presidenti më i ri. Nuk kam më ambicie personale”, ka thënë ai, duke bërë thirrje që shqiptarët dhe serbët të jetojnë në paqe dhe si miq.
http://zeri.info/aktuale/154955/vuciq-vetem-gomaret-nuk-ndryshojne-serbe...
Add new comment