Paradoksi i PD-së, zgjedhjet për kryetar denoncohen nga kundërshtarët, por jo nga “rivali” i kryetarit
Prej disa ditësh po denoncohen në disa media por edhe nga politikanë të ndryshëm në PD, raste të prekjes së votës në procesin e votimit për kryetar të PD-së. Zgjedhjet e mbajtura më 22 korrik vijnë kështu përtej farsës së tyre si një proces të cilit i mbivendosen akte që dyshohen se kanë manipuluar vullnetin e zgjedhësve të partisë.
Për të gjitha këto janë sjellë edhe pamje filmike, mirëpo paradoksi më i madh dëshmohet në faktin se personi që teorikisht, apo praktikisht është cenuar në këtë histori, i ashtuquajturi rival I z. Basha, Eduard Selami, nuk thotë asnjë fjalë për këto shfaqje dhe denoncime. Ai e ka ndalur komunikimin me një falënderin, ndaj edhe ky kontestim që bëhet tani, është jonormal, sa kohë që pala që mendohet se është dëmtuar, ndihet fare rehat.
Zgjedhjet në një parti janë interes publik, formalisht ato duhet të mbikëqyren në rregullsinë e tyre, por si të veprosh kur ai që duhet të flasë hesht? Mjafton kjo anomali postzgjedhore që të provojë më mirë dhe më bindshëm se çfarë lloj kandidati ishte z. Selami, se sa pisët luajti ai në këtë proces. Janë të gjitha dyshimet që ai ka bërë atë Pazar në miniaturë që Basha bëri me Ramën më 18 maj: unë dhe ti, çfarë fitojmë?
Nga ky përcaktim nuk shpëton asnjë në këtë politikë. Jo më kot, Basha, apo më saktë Berisha lëshoi Jemin Gjanën dhe Tritan Shehun që të bëjnë biografinë e atyre që njihen si kundërshtarë të lidershipit aktual. Nga njolla e përgjegjësive të qeverisjes së PD-së nuk shpëton asnjë- ky është mesazhi kërcënues. Ata që sot flasin për analizë dhe denoncojnë procesin zgjedhor në vetvete, kanë të drejtë për argumentin, por që ky argument të marrë formën e një aksioni politik, duhet më së paku distancim real nga kjo situatë dhe përballje me historikun e qeverisjes. Asnjë prej tyre nuk është i gatshëm për ta bërë këtë gjë, ndonëse krijuan pritmëri të tilla dhe ndonëse në artikulim evokonin një problem të drejtë. Nuk janë për shkak të moshës, të karrierës dhe për shkak të asaj që kanë marrë nga PD-ja, e cila duket se mbetet një pronë e dy njerëzve. Me mbi 40 deputetë të vetët, Basha do të luajë si opozitar për këtë mandat, ndërkohë që të larguarit do të duhet të kalojnë në rolin e spektatorit politik, apo komentatorit. Pluralizmi shqiptar na jep vetëm një shembull sukses të forcave të reja: LSI-në. Jo për shkak të ideve, apo demokracisë, por organizimit dhe imponimit në interesa. Loja politike po mbyllet edhe njëherë në 3-4 duar duke shkelur mbi zgjedhjet, demokracinë, me manekinë që buzëqeshin për të dhënë sërish mesazhin dramatik se kundër kryetarit je vetëm viktimë, jo alternativë. Ndoshta diçka ndryshe mund të ndodhë kësaj, radhe. Mbetet për t’u parë.
Add new comment