“E vërteta e së keqes” – materiale të reja për Adolf Eichmann dhe një korigjim i tezës së Arendt
“Avvenire” raportonte disa ditë më parë për daljen në qarkullim të një libri me titull polemizues, apo korrigjues ndaj refleksioneve të njohura të filozofes Hanah Arendt, e cila krijoi jo pak debate me raportimin e vet të gjyqit të Adolf Eichman në Jereuzalem.
Libri ka për autore Bettina Stangneth dhe titullohet: E vërteta e së keqes. Eichman përpara Jeruzalemit. AI është botuar në anglisht disa vite më parë dhe tani është përkthyer italisht, ndërkohë që një përkthim shqip do të ishte shumë i dobishëm. Titulli i raportimit të Arendt në vitin 1963 u bë i njohur në variantin: Eichmann në Jeruzalem: Një raport mbi Banalizimin e së Keqes.
Trajtimet ndërtohen mbi premise historiografike të ndryshme, ndaj edhe Stangneth vjen në konkluzione të tjera nga ato të fillozofes hebreje. Adolf Eichmann konsiderohet si një nga organizatorët e Holokaustit. Ai u largua nga Gjermania në përfundim të Luftës së Dytë Botërore drejt Argjentinës. Aty ai u gjurmua nga shërbimet izraelite të cilat e nxorën jashtë vendit në mënyrë ilegale për ta vënë në sallën e gjyqit. Eichmann u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në maj të vitit 1962.
Arendt ndoqi gjyqin dhe duke dëgjuar mbrojtjen e Eichmann, bazuar kryesisht mbi logjikën se “ndiqte urdhërat”, pra se nuk kishte asgjë të ndërgjegjshme apo të qëllimtë në vetvete në veprimet e tij, ajo doli në përfundimin se e keqja ka në epokën moderne të kontrollit një karakter banal. Ajo mund të kryhet edhe nga hallkat e bindura, të masave pa tru të një mekanizmi totalitar, që nuk mund të fajësohen përnjimend si subjekte që mendojnë, formulojnë dhe organizojnë kryerjen e krimeve.
Stangneth ka një tjetër përfundim. Përmes dokumenteve që Arendt nuk i ka njohur ajo na rrëfen jetën e Eichmann në Argjentinë, përpara rrëmbimit nga MOSSAD. Dhe në këto vite ish-SS komunikonte, organizohej në takime të ngushta me nazistë të tjerë, ata shpreheshin jashtë kontesktit burokratik të nazizmit, që u përdor si alibi nga Eichmann në gjyq. Sipas autores – e vëmendshme për hollësitë – kemi të bëjmë me njerëz që janë të bindur në atë që thonë. Antisemitizmi i tyre dhe formulimi i domosdoshmërisë së asgjësimit të Tjetrit, është këtu një zgjedhje e vullnetit të lirë, që buron jo vetëm nga indoktrinimi. Ai ka rrënjë më të thella, pasi këta nazistë jetuan aq gjatë pas zbulimit publik të krimeve të Nazizmit, saqë të mund të kuptonin se për çfarë bëhej fjalë. Arendt pra duket se ka rënë viktimë e manipulimit të Eichmann që paraqiste veten si një askush I detyruar të zbatojë urdhërin. Edhe nësi ai dote refuzonte do të gjendej patjetër dikush tjetër.
Ky lloj zbulimi e bën dyfish kriminal atë që ndodhi, ndërkohë që perfeksioni i organizimit nazist, në formë dhe përmbajtje, patjetër që katalizon si detyrë pjesëmarrjen në krime të shumëkujt. Por kur një popull ndërton dhe konsolidon gjakun dhe rracën si paradigma për vetëperceptimin, ai mundet fare mirë të postulojë domosdoshmërinë e krimeve ndaj të tjerëve si akte të një domosdoshmërie historike.
Add new comment