Një tjetër kontratë e paqartë dhe abuzive për gjobat postare të policisë

Postuar në 21 Korrik, 2017 16:45

Policia ka nisur ditët e fundit aplikimin e dërgimit me postë të gjobës për shkeljet që konstatohen nga radarët e lëvizshëm të instaluar kryesisht në aktet nacionale. Një masë që sipas policisë po eksperimentohet në periudhën e sezonit turistik ku fluksi i lëvizjes së automjeteve është më i lartë. Si teknikë, aplikimi i kësaj lloj gjobe gjen përdorim në shumë vende europiane, ku në fakt zinxhiri i procedurave garanton transparencë dhe barazi të së drejtës për shmangur arbitraritetin e shtetit përballë qytetarëve.

Mangësitë e shtetit shqiptar nga pikëpamja e transparencës dhe barazisë së procedurës janë shumë të mëdha dhe si pasojë kompromentojnë edhe aplikimin e kësaj nisme, që i shtohet një kontrate që qytetarët kanë me shtetin shqiptar.

Për të aplikuar gjobën postare pikësëpari nevojitet një adresar i saktë që nga pikëpamja ligjore është në përpunim e sipër, nëse do të kemi parasysh ndryshimin e ligjit për deklarimin e vendbanimit që ka si afat fundor datën 28 korrik. 

Policia ka sqaruar në intervista drejtuesish të saj se shkeljet që do të fotografohen në kohë reale nga radarët e specializuar do të përcillen në mënyrë elektronike në sistem dhe përmes korrierit postar do të bëhet njoftimi i drejtuesit të automjetit. Pra policia kaq merr përsipër, të bëjë një marrëveshje me postën shqiptare për të të dërguar gjobën në rezidencën e shkelësit sipas adresës së vendosur në lejen e qarkullimit.

“Procesverbali i konstatimit të shkeljes ose gjoba, i shkon fotografia me të gjitha të dhënat, kufizimin e shpejtësisë dhe sanksionin administrativ me të cilin do të përballet për tu paraqitur në kohën e caktuar në organin administrativ”-thotë Skënder Ismaili shefi i Sigurisë Rrugore.

http://www.oranews.tv/vendi/radaret-spiune-te-shpejtesise-prej-marsit-gj...

Më tej policia nuk garanton dhe nuk mban asnjë përgjegjësi nëse gjoba postare nuk të vjen në kohë apo dërgohet në një rezidencë të ndryshme nga ajo që drejtuesi i mjetit ka vendosur në lejen e qarkullimit. Këtu bëhet jo efektiv edhe ligji për deklarimin e ndryshimit të vendbanimit pasi adresat e reja që do të deklarohen në njësitë vendore deri në 28 korrik nuk reflektohen në adresarin e policisë së qarkullimit rrugor.

“Gjoba është e detyrueshme të niset në adresën të cilën ka lënë drejtuesi i mjetit kur regjistron mjetin. Por ka shumë probleme sepse shtetasit ndryshojnë vendbanimet e tyre dhe me gjithë detyrimin që kanë në ligj që pas ndryshimit të vendbanimit të bëjnë dhe ndryshimet në regjistrin e mjeteve, këtë gjë nuk e bëjnë dhe kjo sjell vështirësi”-shton Ismaili.

Pra shteti, në këtë rast policia, kërkon të ofrojë një shërbim për qytetarët mbi një kontratë të hartuar keq dhe tërësisht të zhdrejtë nga pikëpamja ligjore. Vetë shteti nuk garanton transparencën dhe rregullsinë e procedurës dhe mbi këto mangësi i jep të drejtën vetes si autoritet që të gjobisë dhe të shtojë masën e gjobës nëse qytetari nuk respekton afatet. Dhe çfarë propozn? Konsultimin nga vetë qytetarët të sistemit on-line të gjobave.

Shembulli i një kontrate të saktë ku palët janë të mirëinformuara dhe ku kanë të konfirmuar kontaktin është ajo që aplikojnë bankat me klientët e tyre. Përtej problemeve me adresat dhe kontaktet shumë burokratike është edhe e drejta e apelimit të gjobës që është vetëm 5 ditë nga marrja e njoftimit për shkeljen e kryer.

Burime zyrtare thanë pë ResPublica se edhe në këtë rast qytetarët duhet të kalojnë përmes një odiseje shkresash, fillimisht administrative dhe më pas gjyqësore për të kundërshtuar një gjobë që qytetarët mund të pretendojnë se është vendosur arbitrarisht. Policia nuk të jep mundësinë që ta shlyesh gjobën që në momentin që polici e ka firmosur si titull ekzekutiv, por duhet pritur disa ditë derisa gjoba të reflektohet në sistem.

Për të mos përmendur këtu edhe problemet që ka shpesh sistemi online i policisë për shkak të ndërprerjeve të internetit apo kapaciteteve të kufizuara të policisë për ofrimin e këtij shërbimi dhe ku qytetarët duhet të shpenzojë një ditë pune për të ndjekur procedurat e pagesës së gjobës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.