E sigurtë është që PD-ja humbi më 25 qershor

Postuar në 11 Korrik, 2017 13:31

Lulzim Basha është sot kandidat i vetëshpallur në pozitat e një kryetari të ngrirë të Partisë Demokratike. Ai është lëshuar në një fushatë elektorale brenda subjektit që po e privatizon, atipike. Lulzim Bashës sot nuk i intereson se çfarë thotë dhe sesi intepretohet ajo që ai thotë. Atij sot i intereson mbyllja e fushatës dhe votimi që do të përligjin qenien e tij si kryetar i PD-së, edhe për katër vjet. Më pas, në lojë hyjnë miqtë e tij, Sali Berisha dhe Edi Rama.

Absurditeti ku po e fut PD-në ky njeri meriton një lloj vëmendjeje pasi Basha shfaqet në skenën politike shqiptare si individi që nuk e di se çfarë është përgjegjësia, as kodi moral dhe etik. Nuk po flasim për idealistë, apo kandidatë idealë, por disi më të hollë sesa ky modeli i kryetarit që ka vulën dhe nuk e lëshon.

Ditë pas dite, këtij kandidati po i vjen zëri, për të ripërsëritur ato që u tha njerëzve në fushatën zgjedhore. Por bie në dy teza e përsëritur edhe sot në Vorë: së pari, se mazhoranca aktuale – emrin e kreut të të së cilës preferon ta shmangë – është e shumicë fiktive sepse bleu votat. Dhe së dyti se PD-ja që nuk u përfshi në këtë model, ishte e vetmja që kishte një program.

Tani në këto deklarata sigurisht që ka disa të vërteta, por zotëria humbës i parecedentë, harron të thotë se kur flitet për legjitimitetin e kësaj mazhorance, në të ka gisht edhe ai. E pazarin e 18 majit, të cilin ndërsa e shiste si arritje për Shqipërinë, e menaxhonte si kapital për veten me ministra nga më të çuditshmit dhe me lista që provokuan tensione. Nëse z. Basha do të qëndronte në protestë për të arritur përmbushjen e objektivave parimorë dhe jo për të ngrënë karremin e pazarit, sot mund të ishte humbës, por do të kishte tjetër staturë. Pa folur këtu se zgjedhjet pa opozitën do të ishin një goditje edhe për pushtetin. Z. Basha zgjodhi rrugën e shkurtër që të nxjerr për gjatë.

Teza e dytë se ai kishte një program, është e vërtetë. Por ai program nuk u votua nga shqiptarët, e madje as nga demokratët, të cilëve sot u kërkon votën. PD-ja mori më pak vota se në vitin 2013 dhe në këtë konteskt, ciladoqoftë matematike elektorale e z. Basha dhe pas tij Berishës, një gjë është e sigurtë: PD-ja është në çdo pikëpamje pakicë në këto zgjedhje. Madje pakicë edhe mes demokratëve ndoshta. Z. Basha flet për zgjedhjet por harron atë që po bën sot në PD, teksa po vjedh drejtimin e saj. Komedia nuk mbaron këtu. PD-ja, apo përfsqësues të saj denoncojnë procesin zgjedhor dhe si provë maksimalë kanë pretendimin për vjedhjen e mandatit të PDIU-së!!!

Sigurisht që asgjë nuk i intereson këtij njeriu që do vetëm të sigurojë karrigen. Karrige e cila mund ta degdisë PD-në nga opozitë në ish-opozitë dhe në një aneks të administratës që po reformohet me ndihmën e popullit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.