Krime fashiste, krime komuniste dhe amnistia për ekzekutorët
Është shkruar edhe më parë dhe gjerësisht madje, për mbijetesën e zyrtarëve të regjimeve totalitare në regjimet e reja demokratike në disa vende. Greqia dhe Italia janë dy shembujt më të trajtuar në këtë drejtim, ku menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, konsideratat ideologjike morën përparësi duke lejuar që njerëz të lidhur me regjimet fashiste, madje ekzekutorë të devotshëm, rifituan pozitat vendimmarrëse edhe pas Luftës në regjimet demokratike.
Në një shkrim të sotshëm në “Corriere della Sera” Paolo Mieli bën një trajtesë të shkurtër të një libri që del së shpejti në qarkullim: “Gjykata e Duçes. Drejtësia fashiste dhe viktimat e saj”. Ky është titulli dhe ka për autor Mimmo Franzinelli. Kësaj radhe amnistia e demokracisë vjen në vështrim me gjyqësorin fashist, i cili po t’u referohemi shifrave nuk duket edhe aq I pamëshirshëm siç pretendon perceptimi I farkëtuar nga termi Diktaturë:
Gjyjata Speciale funksionoi vetëm 16 vjet, nga viti 1927 deri në vitin 1943. Ajo dha 3 112 dënime dhe 7 581 vendime pafajësie; vendosi 76 dënime me vdekje nga të cilat u ekzekutuan 58, në pjesën më të madhe kundrejt të ashtuquajturve “terroristë sllavë”. E megjithatë ky implikim me Drejtësinë Fashiste, konsideruar një regjim totalitar dhe përmbysur me Republikës Italiane të pasluftës, nuk pengoi që gjyqtarët e kësaj Gjykate të vijonin të punonin në pozita drejtimi, ndërkohë që më e keqja, viktimat u konsideruan si “të dënuar sipas ligjit” edhe pas luftës.
Kjo sjellje na thotë se regjimet e reja në Itali apo në Greqi nuk dëshironin të preknin elitën politike sunduese, atë qëndronte me të vërtetë pas regjimit fashist. Njësoj si në thënien e famshme të Giuseppe Tomasi di Lampedusa, “ajo ndryshoi për të mbajtur gjërat njësoj”. U vesh një mantel i demokracisë që predikonte defashistizimin, por që mbrohej mirë pas argumentit të rrezikut komunist. Në fakt këto mure kufizues të rreziqeve “strategjike” konvertohen shpejt në alibi, e mandej me kohën riaktualizojnë ekuilibrin e vjetër të një grupi që qeveris me të njëjtët njerëz.
Në Shqipëri kemi dy raste të përmbysura që e bëjnë edhe më instruktiv këtë aspekt: pas Luftës, regjimi komunist tregoi se donte të vendoste me të vërtetë një rend të ri teksa në emër të fitores, imponoi dhunë jo vetëm penale dhe shtetërore, por edhe represion moral të paprecdentë, aq sa i lejoi vetes që në krye të 23 viteve në pushtet të likujdonte edhe institucionet fetare. Gjëmimi i njerëzve të implikuar me fashizmin apo me “klasat e përmbysura” u bë përparësi. Shifrat flasin vetë dhe nuk kanë të krahasuar me butësinë fashiste, ndonëse kohëzgjatja e regjimit komunist në Shqipëri ishte 46 vjet:
Të ekzekutuar 5 157 njerëz, vdiqën në burgje 9052. Të dënuar politikë 17 900, të internuar për motive politike 30 383 në 23 burgje dhe 48 kampe internimi(http://www.shekulli.com.al/p.php?id=22439). Ndonëse të dhëna jozyrtare, këto japin një panoramë të asaj që ndodhte.
Kjo e shkuar u amnistua nga protagonistët e ditëve të nxehta të dhjetorit kur pavarësisht ligjeve dhe komisoneve, njerëz të regjimit të Enver Hoxhës i gjetën punë vetes shumë shpejt, madje duke luajtur përkundrejt anarkisë së “kohës së re” me qyrkun e profesionistit. Në Shqipëri u përfol Sigurimi I Shtetit, u dënuan për kafe disa byroistë, ndërkohë që aparati I hetuesisë dhe gjyqësorit mbeti thuaje njësoj. Këtë e provon njëfarësoj edhe lajmi I ditëve të fundit kur në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi papritur dolën njerëz që kanë qenë me funksione në kohën e regjimit të Enver Hoxhës.
Bashkë me këtë të dhënë u publikuan edhe informacione mbi pasurinë dhe pasurimin e tyre, duke I vënë kështu shoqërisë shqiptare një përqeshje mbi fytyrë. Kaq cinike është kjo saqë librin kundërfaktual të librit të Enver Hoxhës, “Kur hidheshin themelet…”, e ka shkruar një ish-hetues. Do të mjaftonte edhe ky moment për të kuptuar se guximi I atyre që dikur jepnin vendime e plotësonin dosje është proporcional me inkriminimin e ndërgjegjes së gjithësecilit, ose me mungesën totale të saj. Njësoj sikundër do të mjaftonte fakti që gjykata dhe prokuroria ishin ndër sektorët mbi të cilët nuk ra pasha e spastrimeve të regjimit, për të vënë në mendime dhe për të kërkuar me më shumë forcë sanksionet ndaj ekzekutorëve në “kohën e re”.
Lajmi i mirë i një partie të ish-të përndjekurve politikë duhet inkurajuar pasi jep shpresë që e djathta në Shqipëri të nisë nga antikomunizmi jo si demagogji, por si premisë morale e re, pasi nëse Enver Hoxha ia doli të kultivojë enveristët dhe të shpërndajë përgjegjësitë e krimit politik, e djathta e dhjetoristëve, e legjitimoi atë duke përdorur dispozitivin e krimit si mjet shantazhi pa krijuar dot një rrugë për kath’harsis.
Add new comment