Çfarë fshihet pas lojës me ndërkombëtarët në fushatë?

Postuar në 19 Qershor, 2017 21:32

Në llogaritë e votës së 25 qershorit ka hyrë së fundmi edhe loja me ndërkombëtarët, ku si Rama, ashtu dhe Basha e Meta kanë tribluar në fushat e tyre të referencës, dikush me intervista, dikush me foto apo dikush me garanci për Europën. Top Channel, një televizion afër kryeministrit intervistoi presidentit turk Erdogan, 5 ditë para zgjedhjeve. Mesazhi i shefit të Ankarasë ishte pro mikut të tij Edi Rama dhe zgjerimit të projekteve turke në Shqipëri, përmes një partneriteti që garanton dyshja në fjalë. Rama është tashmë në rangun e miqve të Erdogan dhe përtej kësaj na është thënë se Turqia do të investojë në aeroportin e Vlorës, përveç ndihmës ushtarake që po jep në shumë drejtime. Dalja e tij në një televizion kombëtar dhe konfirmimi se miqësia e tij me Edi Ramës është një garanci për investime të mëtejshme është edhe një thirrje e drejtëpërdrejtë për mbështetësit apo simpatizantët e Erdogan në Shqipëri të orientojnë votën në forcimin e kësaj miqësie. A do të ketë efekt? Vështirë të ketë një matës objektiv, por gjithsesi dalja e Erdogan vlen për të kuptuar se Rama ka nevojë për vota në emër të një oferte që mbetet e panjohur për shqiptarët.

Ilir Meta zgjodhi një media greke për të pozicionuar veten në aksin e një marrëdhenie të shëndoshë shqiptaro-greke, për të cilën tha se është investuar ta forcojë ndryshe nga kryeministri Rama. Edhe në një takim elektoral në Gjirokastër Meta deklaroi se merrte përsipër që brenda 5 vitesh të zgjidhte në mënyrë dinjitoze problemet me Greqinë. Kërkesë e tij për tu intervistuar apo e televizionit në fjalë kjo nuk ka shumë rëndësi, Ilir Meta tha se ata që tentojnë të dëmtojnë marrëdheniet me Greqinë janë si të vetëasgjesohen në politikë. Edhe në këtë rast mesazhi ishte për emigrantët shqiptarë që ta shohin Ilir Metën si një aleat të Greqisë dhe garant të integrimit të tyre në shoqërinë greke. Po ashtu edhe minoriteti në mungesë të një partie të fortë nga radhët e saj, përmes garancive që jep Ilir Meta si partizan i forcimit të marrëdhenieve me Greqinë mund të ndikohet. E njëjta pyetje ngrihet edhe në rastin e zotit Meta, se mbi çfarë oferte i hapen dyert nga mediat fqinje për të luajtur piëkrisht këtë rol?

Dhe i treti Lulzim Basha që në çdo miting elektoral shpërndan fotografinë me presidentin amerikan Donald Trump. Nuk ka asnjë dyshim de fotoja është lobuar për t’i dhënë një dorë elektorale zotit Basha si i preferuari i presidentit amerikan dhe këtu sfera e interesave është edhe më e paqartë, ndonëse Shqipëria mbetet një zonë e qartë e influencës amerikane. Po ashtu në takimet e kreut të PD-së janë shfaqur edhe këshilltarë gjermanë të CDU-së që kanë lartësuar planin ekonomik të PD-së, si bekim i politikës Merkel, por me pikëpyetje të mëdha për mbështetjen e kancelares mbi kreun e PD-së. Sot portale të majta publikuan edhe një shkrim të “Sputnik” që i referohej një fitore të PD-së në zgjedhje, duke aluduar për përkrahje të Rusisë ndaj Bashës.  Por nëse marrim në konsideratë faktin që Rusia ka sot marrëdhënie më të mira me Turqine sesa me SHBA shkrimi i “Sputnik” për fitoren e PD ishte më shumë një mënyrë për të njollosur Bashën e jo për të zbuluar lidhjet e tij siç thonë ca portale të qeverisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.