E shkelim s’e shkelim, hyrja e opozitës në zgjedhje zhgënjen zërat kundër
Mesa duket kompromisi për marrëveshjen e hyrjes së opozitës në zgjedhje ka mbetur peng i datës se kur do të mbahen votimet, pasi për çështjet e tjera duket të jetë arritur një dakordësi, ku më kryesorja është tërheqja e opozitës për çështjen e Vetting-ut dhe votimi pa asnjë kusht i komisioneve të Vetting-ut
Në një shpjegimi në rrjetet sociale, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në një farë mënyrë konfirmon zërat se Kryeministri Rama nuk pranon të shtyjë datën e zgjedhjeve me argumentin se shkelet kushtetuta e vendit. Në një postim me titull Sqarim për kryeministrin Bylykbashi shkruan se kushtetuta nuk cakton asnje date per zhvillimin e zgjedhjeve, por periudhen zgjedhore qe i paraprin fundit te mandatit ose datës 9 shtator. “A mund te zhvillohen zgjedhjet pas dates 9 shtator? Po! Mjafton nje dispozite tranzitore e thjeshte ne Kushtetute qe eshte shume me pak e shemtuar se ai aneksi i tmerrshem qe u miratua per reformen ne drejtesi qe nuk e ka asnje kushtetute e botes”-shkruan Bylykbashi. Por përtej intepretimit teknik, mosarritja e një zgjidhje nuk lidhet aq shumë me debatin u shkel kushtetuta-nuk u shkel kushtetuta sesa është peng i mungesës së vullnetit për të shkuar te konsensusi, ku palët nuk është se nuk kanë përvojë, çka konfirmohet edhe nga ky paragraf i Bylykbashit . “Kur deshi Rama te shtynte zgjedhjet me sebepin e certifikatave, ne 2007 Kodi u ndryshua per te shtyre daten e zgjedhjeve. Zgjedhjet ishin dekretuar per daten 20 janar 2007, me date 13 janar u ndryshua ligji qe detyronte presidentin te dekretonte nje date te re jo me vone se 20 shkurt 2007. Presidenti i dekretoi per daten 18 shkurt 2007”.
Por teksa tërheqja e opozitës nga thuajse të gjitha kushtet përveç datës së zgjedhjeve dhe mundësia që ajo të hyjë në zgjedhje ka gjetur zëra kundër më shumë jashtë strukturave sesa brenda saj. Fatos Lubonja shkruan sot në gazetën “Panorama” se nëse PD dhe Basha e kanë me gjithë mend çfarë kanë thënë në çadër për inkrimin e pushtetit, oligarkinë apo blerjen e mediave ndoshta ia vlen më shumë të mos hyjë në Parlament sesa të hyjë. Basti është sipas tij a do të arrijë lidershimi i PD-së që këto kuza t’i kthejë në lëvizje shoqërore, duke reflektuar edhe vetë mbi të shkuarën dhe u transformuar njëkohësisht si parti.
Add new comment