Lubonja: Zgjedhja e Ilir Metës President, çështje bandash
Fatos Lubonja në një koment për Panorama e quan zgjedhjen e Ilir Metës si President të Shqipërisë produkt të sistemit antidemokratik që përfaqësojnë partitë politike në Shqipëri.
Problemi më i thellë i kësaj që po ndodh është se në të njëjtën kohë shtrohet pyetja: A ka kuptim që të kemi disa parti për të përfaqësuar vetëm këtë grusht njerëzish? Deri dje ishte kështu pasi ky grusht njerëzish përdornin edhe PS edhe PD për të grabitur shqiptarët, sepse njëra bandë kishte Tiranën, tjetra kishte shqipërinë. Sot është krijuar një situatë ku nga njëra anë punët e kësaj pakice varen kryekëput nga partia e Ramës dhe nga ana tjetër populli i ka hequr shpresat se mund të sjellë ndryshim me këto banda. Ai prandaj i është nënshtruar statuskuosë, duke zgjedhur ose ikjen nga vendi ose punësim në plantacionet e kanabisit.
Lubonja flet edhe për një skenar eleminimi të PD-së që buron nga ky sistem dhe përplasja mes “bandave politike”. Sipas tij ka një mungesë të besueshmërisë te opozita dhe revolucioni demokratik i shpallur prej saj.
Pra Ilir Meta dhe Edi rama nuk duhen parë si lojtarët e vetëm në eleminimin e PD-së. Ata duhen parë në kontekstin e sistemit të grabitjes që kanë ngritur së bashku me rremtarët kriminalë me të cilët bashkëpunojnë për të çuar anijen shqiptare drejt theqafjes përfundimtare. Nëse do të kërkojmë përgjegjësinë e PD-së në këtë lojë, duhet thënë se ajo ka aplikuar të njëjtën logjikë, pra se nuk ka ditur të jetë përfaqësuese e Popullit. Prandaj thirrjet e Berishës për revolucion demokratik tingëllojnë sot si ato thirrjet e bariut që gënjeu disa herë njerëzit se ujku po i hante delet dhe kur ujku erdhi vërtet nuk shkoi më njëri që t’ia shpëtonte.
Add new comment