Anëtarët e PD në KQZ: Regjistrimi i kandidatëve për zgjedhje, i paligjshëm
Tre anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri e quajnë të paligjshëm regjistrimin e subjekteve zgjedhore në KQZ përtej datës 28 Prill. Sipas tyre afati që korrespondon me datën 29 Prill është bërë në tejkalim të çdo kompetence ligjore dhe me një interpretim subjektiv të nenit 67 të Kodit Zgjedhor. "Deklaratat e KQZ të ditëve të fundit (datat 29 dhe 30 prill 2017) nuk përfaqësojnë asnjë vendimarrje të KQZ. Ato janë qëndrime personale në kundërshtim më misionin e KQZ-së, si organi më i lartë shtetëror, i ngarkuar nga ligji zgjedhor për administrimin e zgjedhjeve, si edhe jane tejkalim flagrant i kompetencave të kryetarit të këtij organi"-thuhet në deklaratë.
Përmes një deklarate me shkrim ata akuzojnë kryetarin e këtij institucioni se në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor ka vendosur datën 3 maj si një afat tjetër ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, kur ky afat sipas tyre ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh. Tre anëtarët e KQZ-së thonë se këto qëndrime të përsëritura po kompromentojnë misionin e KQZ duke i dhënë një pozicion partizan, të anshëm, në shërbim të mazhorancës politike aktuale. "Në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, përmes një deklaratë të dytë (dt 30.4.2017), kryetari i KQZ shpik norma të reja ligjore duke vendosur një afat tjetër ligjor për regjistrimin e subjekteve zgjedhore/listave të kandidatëve, datën 3 maj 2017, kur dihet që ky afat ka mbaruar prej më shumë se 20 ditësh. KQZ nuk mund të krijojë apo ndryshojë afatet ligjore zgjedhore që i ka caktuar Kodi Zgjedhor përmes deklaratave por duhet vetëm t’i zbatojë ato". Sipas tyre nëse vazhdohet me këto qëndrime KQZ rrezikon të dëmtojë rëndë procesin zgjedhor.
Add new comment