“Njerëzit e zakonshëm kanë humbur besimin tek sistemi”

Postuar në 25 Prill, 2017 22:27
Ngaire Woods*

Përktheu: Ilir Sinanaj

Ndërsa liderët financiarë të botës mblidhen për takimet e pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, shumë punëtorë nëpër botë po kërkojnë ndryshime rrënjësore, pasi ata ndjejnë se nuk po u dëgjohen zërat. Ata që duhet t’i përfaqësojnë nuk duhet të shpërfillin më këtë zemëratë dhe zhgënjim.

Sipas Barometrit të Besimit të Eldman për 2017-n (2017 Edelman Trust Barometer), besimi publik në status-quo është shembur në shkallë botërore, si rrjedhojë e shqetësimeve të ngritura gjerësisht për globalizmin, inovacionin, imigrimin, shkërmoqjen e vlerave sociale dhe korrupsionin. Në të njëjtën kohë, përgjigja nga elitat, që e shohin veten si mbrojtësit e rritjes ekonomike, nganjëherë i ka përkeqësuar gjërat. Nëse ata mendojnë se mund të zbusin shqetësimet publike thjesht duke shpjeguar përfitimet (të mirat) e sistemit ekonomik global të tanishëm dhe duke bërë ndryshime në politika për të zhdëmtuar ata që janë braktisur, ata do të përballen me një tronditje.

Më herët gjatë këtij muaji (prill 2017), Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë publikuan një raport ku lëvdoheshin përfitimet e tregtisë si një shtytës e rritjes së prodhimtarisë, konkurrueshmërisë dhe zgjedhjes konsumatore. Argumenti i raportit në favor të tregtisë së lirë nuk është gjë e re, po kështu nuk është gjë e ri as edhe rekomandimi se  “politikat aktive të punësim-treg” mund të përdoren për të zbutur goditjen e humbjes së punëve dhe mjeteve të jetesës. Ajo që është e re është se përsëritja e këtyre pohimeve, gjithashtu duke mos shqyrtuar shqetësimet më të thella të njerëzve, mund të shkaktojë më shumë dëm sesa të bëj mirë.

Opinion publik botërore ka ndryshuar në mënyrë dramatike në vitet e fundit. Një pjesë e madhe e njerëzve në shkallë botërore, dhe deri në 72% të popullit në Francë dhe Itali, tashmë besojnë se sistemi ka dështuar ndaj tyre. Për më tepër, tashmë vetëm 29% e njerëzve nëpër 28 vende ka besim tek liderët qeveritarë, ndërsa tre të katërtat e atyre që u anketuan thanë se ata u besonin reformatorëve që do të kthenin përmbys status-quo-në. Këto gjetje tregojnë se ata që mbrojnë tregtinë e lirë kanë humbur besueshmëri me njerëzit që ata shpresojnë të bindin.

Liderët botërorë duhet të pranojnë se revoltat e sotme populiste ushqehen nga një ndjesi dinjiteti të humbur, një ndjenjë që nuk merret parasysh recetën e pjesës më të madhe të politikbërësve për rritjen ekonomike dhe për pagesat kompensuese. Votuesit e klasës punëtore goditi sepse jo vetëm nuk ndihen ekonomikisht të braktisur, por gjithashtu edhe te përbuzur në shoqëri dhe të mënjanuar kulturalisht. Vota e tyre është i vetmi mjet që u ka mbetur për të kundërsulmuar ngrehinën e sistemit (establishmentin).  

Për të shqyrtuar shqetësimet e publikut nevojitet një program me tre pjesë. Puna e parë është të komunikosh për t’i ndihmuar me ata që ndihen se u është mbytur zëri dhe të papërfaqësuar. Gjatë fushatës presidenciale të SHBA-ve, Donald Trump preku tek kjo ndjenjë kur ai u zotua se do të ndëshkonte çdo kompani që i çon vendet e punës në Kinë ose Meksikë.

Siç e shpjegoi regjisori Michael Moore para zgjedhjeve (amerikane), votuesit e klasës punëtore amerikane ishin të dëshpëruar për të dëgjuar dikë të premtonte se do të përballej me korporatat e mëdha. Fakti se mjaftoi një pasunar populist për ta bërë këtë nënvizon se deri në çfarë pike është shuar lëvizja punëtore amerikane. Partitë politike që fillimisht dolën nga lëvizje punëtore prej shumë kohësh janë zhvendosur drej “qendrës”. Tashmë ato pranojnë kontribute politike nga korporatat e mëdha dhe në përputhje me rrethanat kanë përshtatur gjuhën e begatisë së përbashkët dhe “konsensusit politik”, duke lënë punonjësit dhe punëtorët e shumtë, të cilët nuk kanë pjesë në këtë begati dhe konsensus të ndihen të shpërfillur dhe të mënjanuar.

Së dyti, cilësia e punës dhe statusi që të jep kjo  duhet të përmirësohet. Në vendet e pasuara, mënyra punësimi të pasigurta, të keqpaguara si edhe madje të rrezikshme po bëhen gjithmonë e më të zakonshme. Një artikull së fundmi në “Bloomberg Businessweek” përshkruan sesi punëtorë të përkohshëm në fabrika për pjesë automjetesh në Alabama (SHBA) paguan vetëm 7.25 dollarë në orë dhe duhet të punojnë në kushte të rrezikshme pa pasur trajnim për sigurinë (në punë). Në vitin 2010, këta punëtorë pësuan dëmtime në punë në një nivel 50% më të lartë sesa punëtorë të fabrikave për pjesë automjetesh në vende të tjera, që ishin edhe pjesë të sindikatave.

Siç e ka treguar Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), puna “jashtë standardeve” po lulëzon në mbarë botën. Kjo prirje po ndikon në përkeqësimin e kushteve të punës, duke i bërë punëtorët të ndihen gjithmonë e më shumë pa përkrahje dhe të cenueshëm.. Për ta ndryshuar këtë nevojiten standarde të fuqishme që të garantojnë siguri në vendin e punës, pagesë të ndershme si edhe të drejtën për të nënshkruar kontrata të përbashkëta marrëveshjesh. Qeveritë duhet të ndërhynë për të vendosur këto standarde, ashtu siç bënë gjatë shekujve XIX dhe XX për të përmirësuar kushtet e skëterrshme të fabrikave. Në të kundërt, sipërmarrjet nuk do të keni mundësi të sillen sipas standardeve të vendosura, pasi do të kenë frikë se mos humbin tregun nga konkurrentë të paskrupullt.

Së fundmi, më shumë mundësi duhet të krijohen për brezi tjetër, dhe jo thjesht mundësi ekonomike. Që nga kriza financiare e vitit 2008, shumë qeveri i kanë zvogëluar investimet në shëndetësi, arsim, strehim dhe forma të tjera të kapitalit njerëzor. Shumë kanë prerë mbështetjen për të papunët, të pastrehët apo ata që janë në borxhe (kredi). Si rezultat, ata që kanë mbetur mbrapa (janë braktitsur) nuk u mohohen vetëm burimet, por më e rëndësishme se kaq, u mohohet shansi për të ndjekur aspiratat apo synimet e tyre.

Ashtu siç Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë tregojnë në raportin e tyre, tregtia e lirë dhe globalizmi e kanë rritur ekonominë e përgjithshme në tërësi. Në teori, kjo duhet të kishte rritur kapacitetin e qeverisë për të kompensuar ata që u braktisën dhe të kishte krijuar kushtet që ata të përparonin. Në fakt, e kundërta ndodhi, për rrjedhojë të shkurtimeve në shpenzime nga qeveritë që nga viti 2008.

Programi i ngrehinës së sistemit (establishmenti) ka dështuar për një kohë shumë të gjatë. Dhe ndërsa elitat vazhdojnë të shpallin përfitimet (avantazhet) e tregtisë së lirë dhe globalizmit, ata vetëm sa janë duke thelluar humnerën e mosbesimit popullor.

Gjatë vitit të kaluar, mosbesimi ka vluar në shumë vende, me votuesit që e kanë refuzuar status-quo-në zgjedhje pas zgjedhjeje. Frenime të vogla të globalizmit nuk do të mjaftojnë të shuajnë revoltën. Në vend të kësaj, liderët botërorë duhet të dalin nga dhoma e jehonave të tyre, të marrin seriozisht shqetësimet e njerëzve të zakonshëm, të ndryshojnë pikëpamjet dhe të mendojnë përse kaq shumë njerëz kanë humbur besimin tek sistemi.

Marrë nga: World Economic Forum

*Profesor për Qeverisja Ekonomike Globale në Universitetin e Oksfordit

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.