Bashkimi nacional i shqiptarëve e përjashton këtë klasë politike
Beogradi zyrtar po luan për disa ditë rresht me kartën e shqetësimit nga deklaratat nacionaliste të politikanëve shqiptarë. Shkak u bë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “Politico”, ku në respekt të një frekuence 3 mujore, Edi Rama u rishfaq me gogolin e nacionalizmit shqiptar dhe projektit të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, si alternativë ndaj dështimit të anëtarësimit në BE. Deklaratën e tij e pasoi presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, në garë për epërsi morale në botën shqiptare, e mandej edhe Jonuz Musliu në Luginën e Preshevës. Presidenti serb, Vuçiç doli publikisht me “një lutje” që këto deklrata të mos përsëriten në publik pasi nuk i ndihmojnë paqes, ndërkohë që ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, deklaroi se ndaj qëndrimeve të tilla duhet reagim nga SHBA dhe Britania e Madhe, që janë përgjegjëse për heshtjen ndaj kërcënimit shqiptar.
Teatër I shpëlarë ballkanik. Projekti për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën nuk është ide e Ramë, ai mundet edhe të jetë skenar rezervë nga Perëndimi që investoi në çështjen shqiptare. Vitin e kaluar u përfol nevoja e një politike tjetër të Perëndimit në Ballkan, në kushtet kur integrimi ka prodhuar ndasi dhe liderë autokratë. Por këtu nuk është problemi te koniunktura ndërkombëtare, por tek kredibiliteti i politikanëve ballkanas në atë që kanë marrë përsipër si mision dhe shoqërive tona që nuk ndahen dot nga instinktet e tufës. Që nga viti 1991, kredoja e politikës shqiptare ka qenë Integrimi në Europë. Kjo është gati ideologji, klasa politike e pas ’90-ës mund të identifikojë te vetja vetëm një mision: hyrjen në BE të Shqipërisë. Edi Rama e përfaqëson këtë politikë, Thaçi po ashtu. Madje atributet kryesore të këtyre politikanëve janë ndër të tjera se duken një çikë më shumë europianë se të tjetër vërdallë. Për këtë arsye të evokosh porjektin e bashkimit nacional një herë në tre muaj, qoftë edhe si mjet presioni, ke pranuar dështimin e integrimit të vendit në BE. Ke pranuar dështimin strategjik dhe final të politikës që pretendon se mishëron. Kjo ka vetëm një kambial: largimin e kësaj klase politike. E cila nuk mundet të angazhohet për anëtarësimin në BE dhe të pranojë kaq lehtësisht edhe nacionalizmin. Mbajtja e Shqipërisë në dyer të Europës është përgjegjësi e kësaj klase politike e më pak e Europës që ka qenë shumë persistente për standardet. Është e papranueshme që njerëz si kryeministri i Shqipërisë apo Presidenti i Kosovës të nisin ditën me fjalime për BE-në dhe ta ngrysin me intervista prej nacionalisti, ulur në të njëjtën karrige prej nga ku nuk duan të shqiten. Thjesht na japin të kuptojmë se ajo cipa e perëndimorit është thjesht takti i servility ballkanik që thotë “po” ndaj më të fuqishmit. Intervistat e një kryeministri nuk janë analiza, por qëndrime politike, ndaj nëse Edi Rama mendon se shanset për hyrjen në Europë kanë rënë, ai pranon një dështim personal dhe të politikës së tij për të cilën kërkohet përgjegjësi. Ky është rregull jo inat.
Bashkimi nacional i shqiptarëve e përjashton këtë klasë politike, ose poërndryshe kemi të bëjmë me faqen e radhës të dhuratave politike dhe konçesioneve që jepen nga të huajt, që ashtu siç i japin, ashtu edhe i marrin. Dhe Jugosllavia e vërteton më së mirë këtë.
Add new comment