Deputeti Peza dhe bashkëshortja nuk justifikojnë 850 000 USD
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive ndaj aksioneve bankare me vlerë rreth 113 milionë lekë të reja, të bashkëshortes së deputetit Alfred Peza, shtetases Mirela Ndini. Procedimi penal për këto vepra penale ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka si objekt hetimin e pasurive të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Alfred Peza.
Në funksion të hetimit të deritanishëm janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në rregjistrat publikë, gjë e cila përbën shkak për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në lidhje me ligjshmërinë e tyre.
Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve.
Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja. Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura.
Add new comment