PD-ja po i fal Ilir Metës opozitën

Postuar në 04 Prill, 2017 13:50

Ajo çfarë po ndodh aktualisht me PD-në dhe sidomos kreun e saj Lulzim Basha provon se zotëria në fjalë nuk është në gjendje dhe në lartësinë e detyrës që i është dhënë. Për më tepër që drejtimi i opozitës është parë përherë si mision më shumë sesa detyrë, duke invokuar këtu nevojën e përmbajtjes ndaj parimeve në politikë si prerogativë bazë dhe premisa për kultivimin e cilësive të liderit dhe suksesin afatgjatë të Politikave. Përgjigja e tij pozitive sot ndaj “ofertës” dinake të Ilir Metës, e cila është më shumë diversion ndaj Ramës, na jep një ilustrim të ri të faktit se z. Basha nuk e ka kuptuar akoma se çfarë është të qenit në opozitë. Se ku bazohet kapitali i kësaj kategorie politike që nuk toleron shumë lëvizje taktike nga një pozicion i paqartësuar mirë. Z. Basha mirëpriti ftesën dhe kritikat e Metës duke shtuar se nuk bën pazare. Në thelb ky akt është miratim i rolit opozitar të LSI-së dhe Metës brenda koalicionit duke pohuar direkt dobësinë e PD-së dhe paaftësinë e saj që të çajë koalicionin, të çorientojë vendimet e tij, apo të provokojë dilema të vërteta politike për shkak të ideve, aksioneve dhe politikave dhe jo të fallit se nga do t’ia mbajë Ilir Meta.

E rëndon shumë këtë pozitë të zotërisë në fjalë(të vihet re se Berisha nuk është shprehur akoma) fakti se Basha dhe ekipi i tij nuk janë përballur asnjëherë me arsyet e rënies së madhe të PD-së në vitin 2013 në vota dhe rritjen thuajse proporcionale të LSI-së, e cila ishte po aq përgjegjëse për qeverisjen e koalicionit, edhe pse ish-kryeministri e mori atë mbi vete 100%.  Të mos pranosh të shikosh shifrat, t’i vendosësh ato si temë diskutimi me publikun dhe për publikun, do të thotë të ndjekësh politikë konservimi – jo konservatore – dhe të refuzosh të konvertosh analizën e dështimit në premisë për ndryshim dhe fitore.

Shifrat e vitit 2013 janë alarmante për PD-në nëse do t’i vëmë në lidhje me raportin proporcional rënie e demokratëve – rritje e LSI-së. Kjo e fundit arriti të merrte 16 mandate dhe nuk u shfaq si fituese vetëm në një qark, Kukës. Çka do të thotë se që nga viti 2004 kur u krijua, partia e Ilir Metës ia doli që jo vetëm të shumëfishojë mandatet, por të afirmohet me prezencë të qartë territoriale në të gjithë vendin. Kjo pavarësisht se katërvjeçari 2009-2013 na vuri përballë skandaleve ekuivalente të përfaqësuesve të LSI-së dhe PD-së.

Në vitin 2015, LSI-ja mori 252 mijë vota duke pësuar goditje force në Vorë dhe në Pogradec. Ngjyra e saj që vjen si në portokalli e zverdhur e përforcoi mavinë e socialistëve për ta izoluar vizibilitetin elektoral të PD-së dhe Bashës në Kamëz dhe në Kukës. Nuk është e qartë nëse kjo është ambicia e Bashës, apo zotëria kaq kupton. 

Pas zgjedhjeve të vitit 2015, Astrit Patozi, deputet demokrat e cilësoi LSI-në “thithlopa”, që na thotë se Ilir Meta po ha nga të dyja grazhdet. Ku qëndron sekreti i kësaj fryrjeje që sot mund të jetë vënë në krizë apo në udhëkryq? Me siguri qëndron në kultivimin e perceptimit se LSI-ja është parti pa protokoll: aty hyn dhe gjen një punë. Apo, mbaron punë. Këtë tregëti shpirtrash me siguri ka bërë edhe pjesë e bazës së PD-së në vitin 2013 që preferoi të ruante shansin për të qëndruar në zyrë përkundrejt humbjes politike të lidershipit të PD-së. Dhe ndodhi kjo pse oferta e Metës është e thjeshtë: ajo vjen bashkë me garancinë për mbrojtje.

Kjo po ndodh edhe aktualisht kur kreu I LSI-së shfaqet sa bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës aq edhe ofertues për opozitën, sa i majtë tradicional që i kupton socialistët e vjetër, aq edhe dashamirës i Doktorit dhe “historisë së suksesshme me të”. Ndodh kjo koniunkturë pse PD-ja nuk e di se çfarë do, përveç se të hedhë lumin për momentin.

Dobësi të tilla të lexueshme po zhvendosin qendrën e gravitetit edhe për protestën e saj, teksa shpresa e Çadrës është LSI-ja, e cila është e vetmja që pohon se te kjo protestë ka potencial shpërthyes. Basha kërkon qeveri teknike dhe nga Meta i vjen oferta për qeveri besimi, duke ndërmjetësuar një krizë e cila mu në këtë moment që është pranuar roli i tij, ka zhbërë atributet e vërteta të një proteste të vërtetë. Çka mund të arrihet, arrihet nga lëvizjet e LSI-së dhe jo forca e protestës. Lulzim Basha po hap rrugën që demokratët të mendojnë politikisht me LSI-në dhe Metën si konstante të ekuacionit të tyre drejt pushtetit, duke degraduar pa u ndjerë drejt një entiteti amorf dhe që nuk ka lidhje me opozitarizmin. Nuk është pra çudi që dobësitë e dëshmuara në këtë përballje të kenë hapur rrugën që ai spontaniteti demokrat i vitit 2013 të kthehet në vijë sjelljeje për ta lënë zotin Basha protagonist të një historie të trishtë politike që konfirmon me dështim atë mendim të përgjithshëm se ai nuk është zgjidhja për opozitën e Shqipërisë. Që ka të gjitha mundësitë, argumentet, ka Shqipërinë e krizës dhe kanabisit, por nuk ja del do të shtyjë karrocën përpara asnjë milimetër. I duhet kapistra e Ilirt.

Këtu pastaj me siguri që nuk ka vend më për të folur për garanci për zgjedhje apo për retorikën e krimit në politikë. Vota në përgjithësi është interes, traditë, inerci, keqkuptim, tregëti, vokacion, shpresë, apo edhe akt snobizmi. Me z. Basha vota do të ishte ose besnikëri ndaj siglës së PD-së nga një kategori, ose keqardhje për të si djali i mirë që nuk i ha dot maskarenjtë. Por kjo s’është as politikë dhe as alternativë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.