Vetting elektoral për policët, por zgjedhjet sipas traditës
Zëvendësimi i Sajmir Tahirit nuk mjaftoi për të hequr dyshimet mbi rolin e policisë dhe mundësinë e përdorimit të saj në zgjedhje. Para pak ditës Drejtori i Policisë Haki Çako doli në një konferencë për të lajmëruar përjashtimin nga policia e Lezhës të 4 policëve që nuk kishin monitoruar siç duhet zonën për mbjelljen e kanabisit, kur shtrirja e këtij fenomeni ka prekur në fakt gjithë Shqipërinë dhe përgjegjësia duhet të kapte gjithë zinxhirin drejtues të policisë, çfarë nuk ka ndodhur.
Qeveria po mundohet të japë garanci shtesë përmes formulave që si të thuash kanë fituar një lloj përvetësimi politik nga mazhoranca. Bëhet fjalë për procesin e famshëm të Vettingu-ut, të cilin ministri i Brendshëm tha se zbatohet edhe për policinë, pa përmendur një afat se kur dhe si do të kryhet ky skanim.
“Jam angazhuar fort për konceptimin dhe realizimin e një hapi të ri në procesin e reformimit të Policisë së Shtetit edhe përmes kryerjes së një procesi Vetingu për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, për të verifikuar dhe rivlerësuar integritetin, figurën e tyre morale dhe aftësitë profesionale (sipas standardeve dhe modelit të ndërtuar për Vettingun në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të Reformës së Drejtësi”- u tha ministri policëve gjatë një aktiviteti në Akademinë e Sigurisë.
Megjithatë në zgjedhje do shkohet me këtë polici që kemi dhe sipas ministrit qeveria do t’i besojë traditës.
“Tashmë prej disa vitesh Policia e Shtetit ka krijuar një traditë të konsoliduar përsa i përket sjelljes së saj në raport me proceset zgjedhore. Roli i saj në përputhje me ligjin në proceset zgjedhore është i vlerësuar pozitivisht nga të gjithë faktorët.
Është hap prapa që në një shtet të së drejtës të kërkosh që zgjidhjet politike t’i realizosh përmes të ashtuquajturave kompromise që politizojnë dhe rrezikojnë funksionin dhe rolin e Policisë së Shtetit. Ne e kuptojmë shumë mirë rëndësinë jetike që ka sjellja e Policisë në një proces zgjedhor. E dimë shumë mirë se çfarë dëmi mund të sjellë edhe për atë forcë që është në qeveri, nëse nuk garanton sjellje dhe veprim të policisë në përputhje me kushtetutën dhe me ligjin”-deklaroi ministri. Sipas tij vullneti i kësaj qeverie për të garantuar zgjedhje të qeta, të lira, të ndershme është i plotë dhe i qartë.
Add new comment