Sprova e vërtetë e PD-së nuk lidhet me këto zgjedhje
Darka e djeshme mes drejtuesve të koalicionit qeveritar ka përcjellë disa mesazhe, por asnjë qëndrim zyrtar. Së pari ai ka konfirmuar vijimin e bisedimeve për rikonfirmimin e aleancës, në emër të pushtetit dhe zbatimit formal të programit të dakordësuar. Ky është versioni empirik që rrjedh nga fakti i takimit informal. Mesazhi i dytë lidhet me shoqëruesit: Erjon Veliaj pranë kryeministrit Edi Rama është evidentuar si njeriu më afër kryeministrt dhe kryetarit të PS-së, me nënkuptimin e pasuesit të tij. I shton kredite kësaj teze fakti se Veliaj ka marrë pjesë në një takim informal, ku diskutohet pazari, pasi përndryshe, në një takim zyrtar të koalicionit do të duhet të shihnim Gramoz Ruçin. Nga ana tjetër, në krah të Metës ka qenë Petrit Vasili, i përfolur si kandidat për president. Në thelb mesazhet që përçohen nga këto konvencione të lexueshme të kësaj politike konstituojnë që në fillesë një pazar. Mirëpo është një gjë që Meta takon Ramën dhe hanë darkë, e më pas Meta ha edhe një drekë me Idrizin e PDIU, dhe krejt tjetër kur nga kato kontakte ka një deklaratë zyrtare politike.
Në këto kushte opozita që ndodhet në çadër dhe në protestë vihet në kushtet paradoksale kur nga njëra anë percepton se ka mbetur pa shpresën e diversionit mes PS-së dhe LSI, kurse nga ana tjetër nuk është vënë përballë faktit politik zyrtar se ndodhet në garë me një koalicion të rikonfirmuar. Rrjedhimisht takimet, ndonëse shtojnë presionin dhe heqin shpresat, formalisht nuk japin asnjë zgjidhje të shpejtë të krizës. Opozita mumd të mbahet ende te deklarimet e Luan Ramës që nuk ka marrëveshje, për të kërkuar garancitë e zgjedhjeve me qeverinë teknike. Kemi të bëjmë thjesht me një varësi nga aspekti taktik i LSI-së që kërkon të rrisë pazarin, ndërkohë që në thelb po shihet se opsioni parimor i kërkuar nga PD-ja për qeveri teknike, humbet vlerën reale përballë zgjerimit të koaliciomit qevërisës me PDIU-në. Në çdo rast nuk ka asnjë të dhënë të besueshme se edhe në kushte ideale administrimi, PD-ja të mundë të fitojë mbi treshen PS - LSI - PDIU.
Ky perceptim sa do vijë e do fuqizojë veten nëse partitë mbajnë kohezionin dhe në këto kushte karta e opozitës do të humbasë akoma terren. PD-ja është vënë në ring dhe po konsumon të gjithë oksigjenin, por këtu mund të luhet edhe shpresa e saj e mbetur, pasi vendit i duhet një opozitë. Me çdo kusht dhe në perspektivë përkundrejt këtij koalicioni obez, PD-ja mund të jetë taksirati ynë për të patur një opozitë si kjo. Për t'u ringritur do të nevojiten korrigjime dhe rifreskime, ide dhe aksion. Kjo qeveri ka shumë për të kundërshtuar, por për këtë duhet zëri dhe aftësia e duhur. Sprova për PD-në ende nuk ka mbërritur dhe me sa duket ajo nuk lidhet me këto zgjedhje, por me ruajtjen e sistemit, pasi përndryshe do të duhet të rithemelohet opozita. Diçka vërtet dramatike në një vend si Shqipëria që e përjeton qeverisjen si një e keqe, rrëzimi i së cilës ngjan legjitim në çdo moment.
Add new comment