“Politika e SHBA në Siri synon ndarjen, federalizimin ose krijimin e një shteti kurd”

Postuar në 28 Mars, 2017 09:04

Synimet e SHBA-së në Siri kanë qenë që në fillim ndarja e vendit, federalizimi dhe në finale krijimi i një shteti kurd në veri të vendit. Të konsideruar prej kohësh si partnerë të amerikanëve, kurdët nuk kanë rreshtur në përpjekjen për shtetin e tyre, legjitime dhe e drejtë nga një perspektivë njerëzore. Por armiqtë e një entiteti të tillë janë të shumtë dhe të fuqishëm pasi në thelb shteti kurd do të shërbente si hallkë për ndryshimin e peizazhit gjeopolitik në rajonin e Lindjes së Afërt dhe Mesme. Agjencia shtetëore ruse e lajmeve, “Sputnik” ka marrë prononcime nga aktorë me ndikim në Turqi për të evidentuar te politika kurde e SHBA-së një mundësi pajtimin strategjik mes Rusisë dhe Ankrasë zyrtare. Ismail Hakki Pekin, ish-kreu i shërbimit inteligjent në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë turke, thotë se “plani i SHBA për Sirinë është i qartë” ta kthejë Sirinë në federatë dhe të përfshijë në të kurdët”. Sipas tij Ankarasë i duhet bashkëpunimi me autoritetet siriane dhe një politikë e balancuar mes SHBA-së dhe Rusisë, që do ta bënte krijimin e një shteti kurd ekstremisht të vështirë.

Agjencia ruse nuk ka fshehur asgjë kur përmes prononcimeve si ky i Pekin kërkon të evidentojë rolin e Rusisë në ruajtjen e status quosë dhe më tej akoma, rolin e saj në realizmin e synimeve strategjike turke që çojnë vetiu mandej në çarje me SHBA. Me një qëndrim kategorik kundër një shteti kurd është shprehur edhe Ahmet Berat Conkar, deputet i partisë së Erdogan dhe bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Marrëdhëniet Turqi – BE, sipas të cilit “Turqia nuk do të pranojë krijimin e një shteti të pavarur kurd dhe se Turqia do të punojë në çdo mënyrë të mundshme për të shmangur që kjo të ndodhë”.

https://sputniknews.com/middleeast/201703271052015734-turkey-syria-kurdi...

Denoncimin e synimeve amerikane e ka bërë edhe një pjesëtar i sirinaëve turkmenë, sipas të cilit politika kurde e SHBA është e qartë dhe se ajo prek integritetin territorial të disa vendeve. Çështja që shtrohet këtu është parimore: ndërkohë që Ankaraja del kundër çdo të drejte të kurdëve, ajo nuk nguron që të pretendojë rishikim traktatesh ndërkombëtare për ndryshim kufijsh. Së fundmi ajo ka një problem jo të vogël për minoritetin turk në Bullgari, për të cilin ka bërë ndërhyrje direkte politike. Me të njëjtat karta luan ajo edhe në Ballkanin Perëndimor, ku i ka dyert të hapura pavarësisht largimit nga aleanca me BE-në dhe SHBA. Ajo ka depërtim të vërtetë ekonomik në rajon dhe edhe nëse largimi në interesa me Perëndimin e çon shumë larg, sërish do të ishte shumë e vështirë të flitej për “rritjen e rrezikut turk në rajon”, siç flitet sot për rrezikun rus. Se çfarë roli ka tashmë ky lloj kundërshtimi ndaj politikës amerikane, këtë mund ta shohim edhe në qëndrimin për ushtrinë e Kosovës, që provon se politika kohezive e Perëndimit nuk është më e tillë dhe se kundërshtimi ndaj saj është serioz.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.