Berisha akuzon edhe SHBA për kanabizimin e Shqipërisë/Krahason Edi Ramën me Manuel Noriegën
Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur sot në zyrën e vet ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Raportimin mbi takimin e bën vetë Berisha që shkruan në profilin e vet në Facebook se takimi ishte me natyrë informative mbi qëndrimet e opozitës. Berisha ka bërë një ekspoze për arsyet se përse PD-ja është në protestë, për drogën që ka mbuluar vendin dhe ka krijuar fondin e financimit elektoral. Në pasazhet e veta, Berisha ka akuzuar hapur edhe Lu si mbështetës të politikës së kanabizimit, duke mbështetur Edi Ramën kryeministër, të cilin ai e krahasoi me Manuel Noriegën e Panamasë.
“Theksova se opozita beson se Shqipëria me drogën nuk zhvillohet por shkatërrohet. Në këtë kontekst, u shpreha se Rama, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një lloj Noriege, ndaj të cilit SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajnë qëndrim të prerë”, shkruan Berisha.
Mirëpo Noriega që u lëviz nga pushteti në vitin 1989 nga amerikanët kishte qenë deri në atë kohë burimi kryesor informativ për amerikanët, ai mbulonte operacionet klandestine të CIA-s, pa folur për akuzat e mëdha se paratë e drogës shkonin edhe për veprimtari të shërbimit të fshehtë amerikan. Krahasimi i Edi Ramës me Noriegën është një ftesë për largimin me forcë të këtij të fundit nga pushteti, duke vënë mbi tryezë akuzën se Edi Rama me politikën e kanabizimit u ka shërbyer njëfarësoj edhe amerikanëve. Po kështu Berisha ka kërkuar ndalimin e veprimtarisë së Soros në Ballkan, diçka e paprecedentë.
Add new comment