E merr kush seriozisht shtetin tonë?

Postuar në 20 Mars, 2017 21:00

Çfarë lloj shteti është Shqipëria e sotme? Çfarë përfaqëson ajo në arenën ndërkombëtare përveç ekzistencës nominale? A e merr kush seriozisht këtë lloj krijese pa formë dhe pa përmbajtje që ushtron talentin e vet për gjullurdi të vogla si prej sarhoshi që ka rënë në dy pare xhepi? Me sa duket jo dhe këtë mund të kuptosh në një politikë pa sens dhe pa kuptim, që kryqëzon çdo akt dhe çdo korrent, kondensuar natyrshëm vetëm nga parëndësia e saj. Një rast domethënës është ceremonia e vitit të ri iranian festuar sot nga opozita iraniane në Tiranë, 3000 anëtarë të së cilës strehohen prej disa kohësh në vendin tonë. Ceremoninë e kanë ndjekur si të ftuar e madje kanë mbajtur një fjalë, Pandeli Majko, ish - kryeministër dhe deputet, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, të dy politikanë të perceptuar si proamerikanë dhe Elona Gjebrea, zv.ministre e Brendshme. Qeveria shqiptare është kujdesur që të mos përfaqësohet me Ministrinë e Jashtme, titullari i së cilës, Ditmir Bushati ishte në Teheran para disa kohësh ku u diskutua rihapja e ambasadës.

Kjo është një ditë reflektimi dhe përgjegjësie për të vazhduar luftën tonë për liri. E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së mirës është qe njerëzit të jenë të bashkuar. Atë çfarë e ka dhënë Zoti nuk mund ta marrë e keqja”, citon Top-Channel të ashtuquajturin lider republikan, Fatmir Mediu. I cili mbahet me të madh si i djathtë tradicional e flet për liri përpara anëtarëve të MEK, që kanë traditë marksiste.

Me fjalë të mira ka folur edhe zv.ministrja Gjebrea që plotësonte aty numrin, ndërkohë që iranianët i ka sherbetosur me gallatë Pandeli Majko, më i përshtatshmi edhe për rolin korrigjues ndaj efektit të deklaratave se Trump është rrezik për qytetërimin. Vetëm kjo lloj politike servile mund të shpjegojë edhe marketimin "me lezet" të lajmit. 

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=350959#k1

Kjo është një politikë kuturu, orientuar nga të gjitha drejtimet ndërkohë që nuk ka drejtim, pasi është e natyrshme të pyetet se cila logjikë pranon që të kërkosh përmirësim marrëdhëniesh me një vend, e mandej të strehosh opozitën e atij vendi e cila ka në program përmbysjen me dhunë? Cili është ai shtet që do të vepronte në këtë mënyrë prej kodoshi e duke mos pësuar asgjë, asnjë notë, asnjë reagim? Me siguri ose shtete shumë të fuqishme, ndaj të cilave të detyron forca, ose shtete paçavure, gjallesa politike parazitare në një sistem ndërkombëtar që toleron dhe ushqen edhe kësi formacionesh që nuk kanë përligjur njëherë të vetme seriozitetin që kërkohet. 

Është për të ardhur keq kur mbetesh pa lexim normal në këto sjellje, të cilave një pjesë e botës u ka dhënë karar: “Shqiptarët preferohen nga Perëndimi, jo për shkak të kulturës apo mungesës së saj, por sepse janë vasalët më të mirë në botë dhe u binden urdhërave pa bërë pyetje”. Kështu citohet nga agjencia MINA, me qëndrime antishqiptare, një deputet gjerman, Alexander Neu.  http://macedoniaonline.eu/content/view/31603/1/. Ndërkohë që Teherani zyrtar nuk reagon pse ndoshta e kupton rolin e larvës politike në këtë botë ku për të vegjlit si pasuri është vetë një fije dinjiteti, apo takti. E kur këto as që hyjnë në konsideratë, përcaktime si këto të deputetit gjerman nuk duken edhe aq tendencioze.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shtetin tone nuk e merr njeri seriozisht dhe as ai vete nuk kerkon ta marrin seriozisht! As ky organizim nuk perben ndonje seriozitet te caktuar, as per Shqiperine dhe as per Iranin apo kedo! Sepse trecereku i atyre ne salle jane po ashtu ajatollahane, pra pjestare te shtetit iranian, i cili i ka marre masat me kohe per cdo eventualitet qe mund te ndodhe ne Iran, si ndonje revolte, revolucion, permbysje, etj., qe ne pushtet te vijne serish anetaret e shtetit, si gjoja opozite e sotme! Tra-la-la, me the e te thashe, asgje nuk eshte sot me serioze! Mjafton shamia e kokes te jete e bukur! Prandaj mos u shqeteso! Sepse problemi i vetem i Shqiperise sot eshte qe shqiptaret kane ikur dhe nuk po kane mundesi te kthehen, ne nje kohe qe ne popullsine e saj prej rreth 2 milion sot, gati gjysma jane kosovare, maqedonas, turq, boshnjake (te rinj), italiane, greke, etj. Ktheju shqiptar, ktheju ne vendin tend!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.