Rilindja – sëmundja ngjitëse
Emmanuel Macron, kandidat për president i Francës i ka dhënë një intervistë gjermanes “Spiegel”. Titulli i përzgjedhur: “Po ofroj Rilindjen Franceze”, konfirmon edhe njëherë sëmundjen e re në Europë, atë të shpëtimtarëve dhe reformatorëve që mbërrijnë në karrige falë sistemit, të cilin e atakojnë “thelbësisht” për nevoja thjesht populiste.
Teknika demagogjike e këtij politikani socialist i cili vjen nga një karrierë bankare(!) është standarde: “Franca sigurisht që nuk ka nevojë për kërkënd. Unë nuk besoj në shpëtimtarë, por rruga me të cilën është qeverisur vendi ynë duhet të ndryshojë radikalisht. Çfarë na duhet është një rilindje fondamentale”, thotë Macron.
I pyetur për arsye se përse në botë vota po shkon kundër establishmentit, socialisti francez, i dalë në skenë për shkak të aksidenteve elektorale dhe politike të kandidatëve të tjerë, mbetet në stadin e pohimeve: “Ka shumë për të kritikuar është e vërtetë. Sistemi ynë politik inkurajon këtë gjë. Ka pak rilidnje në klasën politike dhe shohim përherë të njëjtat fytyra. Ka po ashtu mungesë morali...një sistem i tillë nuk mund të jetë i suksesshëm”.
Kufizim mandati, transparencë me të ardhurat, hidhen në intervistë si karta morale, por të cilave tashmë u ka dalë boja. Macron është më i kthjellët dhe i vërtetë kur vjen puna në diskutimin e Europës dhe për BE-në, çka provon se reflekset e kultivuara gjatë punës si bankier dhe ministër kanë më shumë përmbajtje sesa retorika prej gazetari part time, që kaq mirë e njohim dhe e kemi hequr në kurriz edhe në Shqipëri. Rilindja që artikulohet nga mamuthët e sistemit, nuk është gjë tjetër veçse prova se klasat politike dhe elitat nuk kanë më asnjë ide, program dhe vizion, veçse të proletarizojnë verbin politik në funksion të likeve dhe të iluzionit të rrejshëm të pjesëmarrjes.
http://www.spiegel.de/international/europe/emmanuel-macron-interview-on-...
Add new comment