Çadra ku rrëzimi i Ramës kërkohet gjatë turnit të parë dhe të dytë
Kurdoherë që më bie rruga rreth orës 09:00 pranë ngrehinës së materialit plastik dhe hekurishteve në bulevardin kryesor të Tiranës, të mbrojtur nga godina e Kryeministrisë nga njëra anë, dhe ajo e Kuvendit nga ana tjetër, më bën përshtypje diçka: prania e “të përbetuarve” që duan ta rrëzojnë kryeministrin Edi Rama apo ta shtrëngojnë atë japë dorëheqje, që lë për të dëshiruar. Çdo mëngjes e ashtupagëzuara “Çadra e Lirisë” është pothuajse e zbrazët. Një gjë e tillë më çudit shumë, sepse nëse vërtet gjërat janë aq keq sa i përshkruan kryeopozitari Lulzim Basha gjatë orarit zyrtar të ditës së punës, atëherë të paktën në çdo kohë në atë çadër duhet të kishte të paktën 1 mijë veta (në mos brenda përreth saj). Duke dashur të pranoj se kryeopozitari Basha është bindës në kauzën që ka ngritur, që presupozojet se prek drejtpërdrejt interesin e shqiptarëve, unë nuk e kuptoj si ka mundësi që ka aq pak njerëz tek çadra çdo mëngjes?!
Ditën e sotme (13 mars 2017) më ra rruga, rreth orës 09:15 si shpesh herë, më ra rruga tek çadra e bulevardit kryesor të kryeqytetit. Sot si asnjëherë më parë, gjatë këtyre ditëve rreth orës së lartpërmendur, çadra ishte më e braktisur se kurrë. Vetëm një grupi mëse i vogël njerëzish po qëndronin përpara çadrës për të thithur rrezet e ngrohta të diellit pranveror. Bulevardi në tërësi ishte pothuajse i zbrazët. Po më çudiste më shumë se çdo ditë tjetër. Dhe lind pyetja pse? Po shumë e thjeshtë. U shkarkuan 4 ministra nga qeveria “Rama”, ndër të cilët ministri i Brendshëm, Saimir Tahir, dhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Pavarësisht se nuk iku kryeministri Rama, të paktën këto shkarkime “të rëndësishme” në kabinetin qeveritar, do duhet ta kishte ngritur peshë shpirtin e “çadristëve” dhe duhet të ishin të shumtë në numër që ta analizonin këtë ngjareje politike mes tyre në çadrën e tyre. Normalisht “çadristët” as nuk do të duhej t’i kishte zënë gjumi në darkë nga emocionet politike të shkarkimeve të dy ministrave.
Megjithatë kjo është çështje për “çadristët”, në fund të fundit. Por nëse vërtet në çadër do të kërkohej seriozist “Republika e Re”, që qytetarët të rrinin në çdo kohë me mijëra, e mijëra brenda dhe rreth e rrotull çadrës, atëherë duhet të shpohet “Republikës së Vjetër” në “pikat e nxehta”. Një nga këto është grabitja e rreth 940 milionë eurove nga buxheti i shtetit në vitin 2015, që është faktuar edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë: e shumë gjëra të tilla, që Partia Demokratike jam shumë i bindur që ka të dhëna shumë të sakta...
Një retorikë e tillë do të mjaftonte për të krijuar dinamikën, jo thjesht për të pasur një qeveri teknike, por për të nxjerrë kryeministrin Rama të gjunjëzuar nga zyra e tij e drejt e në çadër, për të firmosur dorëheqjen. Por me sa duket çadra ka tjetër qëllim. Nga prania e njerëzve në çadër dhe rrotull saj, që ndryshon sipas orareve ditore, me sa duket deri për zgjedhje, rrëzimi i kryeministrit Rama kërkohet vetëm gjatë turnit të parë dhe të dytë. Gjatë turnit të tretë çunat pushojnë bashkë...
Add new comment