Që vizita e Mogherinit të mos transformohet në fitore publicitare për kryeministrin dhe qeverinë

Postuar në 01 Mars, 2017 15:09

Përfaaqësuesja e Lartë e BE-së për Çështjet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka njoftuar një tur vizitash në Ballkanin Perëndimor. Vizita përfaqëson një “kthim” vëmendjeje ndaj një rajoni që ngjan se nuk asimilon dot mirë paradigmat e integrimit, përderisa dialogu ka mbetur në vend, kriza është e gjithëpranishme dhe instrumentalizimi i nacionalizmit provokon shumë kollaj krijimin e kushteve për përplasje. Formalisht vizita e Mogherinit ka një farë rëndësie dhe për këtë mjafton të sjellim edhe atë që thotë vetë ajo në një opinion të publikuar sot:

Dëshiroja të vizitoja të gjatë qytetet në vizitën time…Në ditët që do të vijnë do të vizitoj universitete dhe do dëgjoj për frustrimet dhe shpresat e rinisë së Ballkanit…Reformat në secilin prej vendeve kanë rëndësi jo sepse ato I duan qeveritë apo BE-ja, por sepse ato mund të bëjnë një diferencë reale për shumë njerëz në rajon…Nxitja dhe çuarja përpara e tyre është detyrë e brezit tonë

shkruan Mogherini.

https://europeanwesternbalkans.com/2017/03/01/op-ed-by-federica-mogherin...

Duke patur parasysh këtë prezantim personal të vizitës mund të imagjinojmë qysh tani se për sa i përket Shqipërisë, kryeministri aktual e ka në xhep “fitoren” si produkt. Mund të imagjinojmë fare lehtë një takim të Mogherinit në një nga universitetet të cilave Edi Rama u ka bërë qokën e radhës, pyetje të paracaktuara, mundësisht nga studente bukura dhe që dinë italisht dhe anglisht. E natyrisht edhe ngacmimin për nacionalizmin në Ballkan, hapjen e madhe diplomatike të Tiranës, rolin e saj në Maqedoni, miqësinë në rrugë e sipër me Serbinë etj…Spektakli është i siguruar qoftë edhe duke patur parasysh se krizat në fjalë, apo çështjet në fjalë, janë ku e ku potenacialisht më shpërthyese, pra më të rëndësishme sesa protesta e PD-së.

Natyrisht, Mogherini nuk është ndonjë personalitet politik. Ajo nuk përfaqëson ndonjë gjë më shumë sesa në zyrtare e BE-së me mandate të kufizuar. Por në çdo rast ajo nuk mund të neglizhohet dhe opozita shqiptare që ndodhet në mesin e një proteste që po humbet territor përditë e më shumë, duhet të ketë një axhendë të qartë.

Alibitë e Bashës dhe ulërimat e tij për Republikën e Re nuk kanë kuptim në kushtet kur e vetmja luftë që kreu I PD-së ka zhvilluar deri më tani është ajo kundër Blendi Fevziut dhe Henri Çilit me të cilët dikur dilte fotografi edhe plazheve. Nëse Mogherini vjen me thirrjen për realizimin e reformave, atëherë qeveria është e gatshme  të shtrojë në tavolinë nevojën e miratimit të Vettingut. Dhe këtu është bërë tanimë e qartë se askush nuk po do të njohë lidhjen që bën PD-ja mes qeverisë teknike, mosvotimit të vettingut dhe protestës. Duket se opozita nuk po ja del ta dëgjojnë në këtë pikë edhe pas proceseve të bujshme të largimit të deputetëve me rekorde kriminale nga Parlamenti.

Nëse në tavolinë do të shtrohet diskutimi se qeveria nuk dëgjon zërin e qytetarëve, protesta e mbyllur sot e banorëve të Zharrëzës, pas miratimit për dëmshpërblim 100% është një argument kundër në këtë drejtim.

Është e qartë pra se PD-ja vjen përballë kësaj vizite, e cila krijon platformë për diskutim dhe parashtrim në nivel të lartë të problemeve, si defiçitare përballë pushtetit. Edhe pse ky i fundit është në prag destabilizimi si koalicion, është i njollosur keq për drogën dhe ka realisht frikë. Kjo ndodh sepse deri më tani PD-ja dhe drejtuesi i saj ka shpallur kauza dhe ka vënë gishtin mbi problem, ka organizuar një protestë, por nuk ka teza për negociim. Nuk ka një dokument konkret i cili të jetë alternativ, sqarues për opinionin, që të mobilizojë jo vetëm emocionet por edhe kontributet e “arsyes” dhe që të shmangë me takt karakterin ultimativ. Basha dhe Berisha para tij e dinë mirë sforcimin e kësaj proteste, ku mungon besimi dhe frymëzimi real. Shpenzimi i mëtejshëm i energjive do kishte kuptim në dritën e një skandali, apo një ngjarjeje të madhe, sa kohë që protesta e Zharrëzës u zgjidh jashtë tendës së PD-së. Pra kur kemi një shembull se opozita nuk e organizon dot të gjithë opozitarizmin.

Për këtë arsye është mirë që ekipi i PD-së të përgatisë një dokument serioz për trajtimin e problemeve dhe të kërkojë si minimum një premtim publik për garanci të vërteta për zgjedhjet e ardhshme. Kjo do të kërkonte formulime konkrete dhe njëfarësoj do të adresonte te BE-ja një përgjegjësi të përbashkët për zhvillimin e tyre.

Nuk është pa rëndësi që në mbi një javë protestë, nuk ka asnjë demarsh diplomatik drejt PD-së dhe kjo duhet vlerësuar si një akt i indiferencës izoluese. Ndaj neutralizimi i një fitoreje publicitare të Edi Ramës me këtë vizitë do të duhej të ishte prioritare. E vetmja pikë ku opozita mund vërtet të legjitimohet edhe moralisht janë zgjedhjet, garancia shtesë për të cilat do të mundësonte në mos një fitore, një mundësi që protesta maratonë të marrë disa pikë reale të cilat nuk po do t’ia japë zhvillimi i brendshëm. Nëse kjo ndodh, atëherë edhe lufta që kërkon Basha, e të cilën se bën dot ashtu siç e deklaron, mbeten votuesit. Shansi është që ka përballë një qeveri të diskredituar. Është një shans që e kërkojnë të gjithë në politikë, por jo të gjithë e kapitalizojnë si fitore. Ky është një moment për kreun e PD-së që të ndërmarrë iniciativën e duhur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.