Elita e korruptuar e Ministrisë së Kulturës dhe firmat dashnore të saj*

Postuar në 26 Shkurt, 2017 15:01
Gjergj Frashëri

Ndihem i detyruar të tregoj atë që përjetova kur pashë lajmin se “kishte nisur restaurimi në Kishën e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit”, bashkë me kënaqësinë e ministreshës së Kulturës, që e kishte “mbajtur premtimin” për restaurimin e këtij “thesari të rrallë të trashëgimisë”. Lajmi është i shoqëruar edhe me pesë foto. Fotot tregojnë ndërtimin e skeletit të konstruksionit të rampës dhe të skelarisë prej druri rreth e përqark kishës që do të restaurohet në vijim. Shiheni me vëmendje ju lutem këtë lloj “skelarie” dhe “rampe” të ngritur nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës për kryerjen e punimeve ndërtimore të restaurimit në Kishën e Labovës së Kryqit, një prej monumenteve të kulturës më të shquara të vendit dhe me vlera shembullore në mbarë arkitekturën sakrale bizantine.

Nuk mund t’u besoja syve kur i pashë këto pesë foto. Skelaria dhe rampa që shohim, është ndërtuar me elemente druri të marra nga çati të banesave të vjetra të dala jashtë përdorimit si copa trarësh, traversash, binarësh të vjetër, ku nuk mungojnë ndoshta edhe hunjtë e ndonjë gardhi apo plevice të fshatit. Në konstruksionin e tyre shihen madje edhe elementë drusorë me gdhendje dekorative gjeometrike, që kanë shërbyer për mbajtjen e strehëve të çative të banesave të vjetra (Foto 1). Lajmi në fjalë njofton gjithashtu se për punimet e restaurimit të kësaj kishe janë në dispozicion 200 mijë euro nga Ministria e Kulturës. Se çfarë do të bëhet më këto para dëshiroj ta diskutojmë një herë tjetër, pasi punimet të vijojnë. E kam fjalën se nuk është nevoja të jesh teknik apo inxhinier ndërtimi, apo restaurator monumentesh, por edhe një qytetar i thjeshtë, që të ngresh supet e të pyesësh çfarë është kursyer nga kjo shumë parash, që në oborrin e kësaj kishe nuk është sjellë një ngarkesë me skelari standarde metalike nga ato më të zakonshmet që përdoren sot kudo, për ta montuar atë në pak orë rreth e rrotull trupit të kishës? Por në vend të saj janë mbërthyer me gozhda copa trarësh e hunjsh prej druri të pocaqisur nga koha dhe të lodhur nga përdorimi, shpesh duke i ngjitur njëri me tjetrin për të kapur lartësinë e kërkuar!? (Foto 2, 4). Përgjigjja ime është se kjo lloj skelarie është pamja e parë e abuzimeve me fondin e parashikuar prej 200 mijë eurosh për restaurimin e kësaj kishe.

Por nuk është vetëm kjo pyetje që të ndjek pas.

Së pari, siguria teknike nuk lejon të ngresh një skelari në lartësi me elementë të vjetër prej druri si trarë apo traversa çatish, binarë apo hunj etj., me origjinë të panjohur përdorimi të mëparshëm dhe të patestuar mbi aftësisë mbajtëse të tyre (pa garanci statike). Skelaria për restaurimin e një monumenti nuk është vetëm konstruksioni ku restauratorët, teknikët, mjeshtrit ndërtues dhe punëtorët hipin-zbresin dhe qëndrojnë tërë kohën për të punuar, por është edhe vendi ku peshojnë materialet që hiqen dhe vihen në monument (në rastin konkret rrasat prej guri të çatisë etj.). Për hir të ruajtjes së monumentit, transporti i materialeve në restaurim bëhet shpesh në mënyrë manuale duke përdorur skelarinë, e cila duhet të këtë edhe aftësi mbajtëse dhe qëndrueshmërie statike.

Së dyti, pyesim se kush inxhinier e zbaton këtë projekt restaurimi me mungesë të dukshme serioziteti teknik? Përgjegjësit apo udhëheqësit e këtij projekti, që shfaqen aty-këtu nëpër fotot, duken tejet të kënaqur me rampën dhe skelarinë qesharake që kanë para syve të realizuar me drurë të pocaqisur (përveçse duken edhe të malluar që më në fund po shohin njëri-tjetrin).

Nuk e di pse kjo kreaturë skelarie më fanepsi rampat dhe skelaritë prej druri në ekspeditat, miniera të Klondikës për kërkimin e arit në fundin e shek. 19, të përshkruara në mënyrë legjendare nga Xhek London (1876-1916). Ato rampa e skelari ndërtoheshin me trungje e degë të prera nga pemët rrethanorë, apo binarë e dërrasa të rraskapitura nga stërpërdorimi. Asokohe njerëzit punonin deri në vdekje për të nxjerrë vërtet nga duart dhe djersa e tyre disa gramë ar për të mbijetuar, apo me shpresë për t’u pasuruar. Ato improvizime rampash dhe skelarish vetëmohuese për mbijetesë, Xhek Londoni i ktheu me penën e tij në simbolin, ku vdekja dhe suksesi flinin dhe zgjoheshin në të njëjtin krevat prej sakrifikimit në punë. Kurse sot, në Shqipëri, këto rampa dhe skelari tip xhek london ndërtohen thjeshtë për të përvetësuar (vjedhur) para në mënyrë korruptive. Shkruhen dhe kërkohen para nëpër preventivë për ndërtimin e një skelarie e rampe sipas çmimeve bashkëkohore, ndërsa në terren ndërtohet një surrogat me hunj, si kjo në fotot, që nuk kushton asgjë. Kështu është edhe kjo skelaria e ngritur për “restaurimin” e Kishës së Labovës së Kryqit, është për Ministrinë e Kulturës vetëm monumenti i radhës në listën “Këndesi i Plakës”, i cili mban florinjtë e fshehur nën pupla në vlerën prej 200 mijë eurosh.

Po të kisha qenë piktor dhe të më kishte me sy të mirë qeveria, foton nr.5 do ta kisha paraqitur si instalacion me titullin “Reforma për restaurimin e monumenteve në Shqipëri (2013-2017)” në Bienalen e Venecias. Sepse me këtë kreaturë skelarie foviste (Fauvismus), nuk i shkon mendja kujt sot të veshë një monument vip, sepse atë njëherazi nuk e gjen dot as në viset e humbura të Xhek Londonit të fundit të shek. 19, as edhe gjëkundi më në Europë dhe jo më të përdoret sot për restaurimin e një monumenti të shquar, “një thesari të rrallë të trashëgimisë” siç e quan Kishën e Labovës së Kryqit vetë ministresha Kumbaro, e cila ka tashmë në xhep 200 mijë euro për “rivitalizimin” e saj. Sa shumë ngjasojnë këto dy konstruksione skelarie primitive, njëri nga fundi i shek. 19, tjetri nga fillimi i shek. 21, njëri i ndërtuar nga nevoja e sakrificës për të mbijetuar, tjetri për të vjedhur paratë nga xhepi i një ministrie demokratike, e cila “qep letra” për një punë të pabërë, që ajo të lexohet nga të tretët sikur është bërë! Ato kanë të njëjtën pamje, por janë dy realitete krejt të kundërta të prodhimit të tyre.

Prej vitesh, firma satelitore dashnore që marrin pareshtur tenderë nga Ministria e Kulturës qepin kësi letrash dhe kanë prodhuar restaurime batakçinjsh, që tashmë kanë mbetur në histori. Disa prej tyre kanë inauguruar, të tjera janë në proces. Në këtë mes ajo që më prek tashmë nuk është shpërdorimi i parave nga institucionet shtetërore, sepse këtë nuk ka kush e ndal më në këtë vend, por është mungesa e theksuar e respektit që Ministria e Kulturës me institucionet e saj vartëse po demonstron me prepotencë ndaj përkujdesjes dhe mbrojtjes (restaurimit) të monumenteve të kulturës në përgjithësi pa pasur mëshirë dhe stepje, edhe kur ka të bëjë me një dokument të arkitekturës botërore bizantine. Kjo mungesë respekti është për monumentet e çmuara edhe fyerje ndaj tyre. Fjala vjen, 200 mijë euro arrin të rindërtosh sot nga themeli ndërtesën e Kishës së Labovës së Kryqit (në rast shembjeje, largqoftë!)

Por ministria nuk ndihet më e detyruar moralisht as për një start të denjë të fillimit të restaurimit të saj, nuk jep para as për të ndërtuar një skelari e rampë standarde metalike. Ky është respekti që tregon sheshit Ministria e Kulturës me ministreshën në krye për të restauruar një nga veprat më të çmueshme dokumentare historike të vendit. Kjo dëshmon nivelin e etikës profesionale të Institutit të Monumenteve të Kulturës, që udhëheq dhe kontrollon restaurimin sot në Shqipëri. Ky është edhe niveli kulturor i kërkesave që kanë këto institucione në përzgjedhjen e kualitetit profesional dhe etik të firmave restauruese të licencuara për bashkëpunim, copa bande për të realizuar në terren operacionet financiare kriminale. Po DRKK-ja e Gjirokastrës, ku qëndron në këtë mes me kulturën tradicionale disadekadëshe të punës restauruese të qytetit muze? Këto foto starti të punës në Kishën e Labovës mjaftojnë për të treguar mungesën e respektit dhe degjenerimin profesional të restaurimit të monumenteve të kulturës në Shqipëri, i cili nuk ka rënë ndonjëherë në një gropë të tillë të zezë, qëkurse ky aktivitet u themelua me krijimin e IMK në vitin 1965.

Së fundi, nuk ka si të mos bjerë në sy përmes fotove dashuria dhe përmallimi që rrezaton vetë ministresha e Kulturës, duke vallëzuar me miqtë e saj përpara skelarisë me trarë dhe hunj të kalbur të marra nga çatitë e vjetra të fshatit, skeleti i së cilës ka përqafuar fort anembanë trupin kryq të brendashkruar të kishës, duke lënë të lirë të hidhet mbi çati drejt qiellit tamburin e lartë cilindrik të përmbyllur me kupolë, paksa i shkrehur nga vertikaliteti në krahasim me kohën e rinisë së tij, por i famshëm midis modeleve bizantine. Nuk kam mundur të informohem se çfarë do t’i punojnë tamburit në vijim, do ta ngrehin në vertikalitet të plotë, apo do të bëjnë betonime për ta siguruar të mos përkulet më tej? Kohë të vështira për punë të mira! Por gjithmonë urime dhe përpara!

***

Një kuriozitet në mbyllje: shembullin e rampës dhe të skelarisë së Kishës së Labovës së Kryqit e kam ndeshur vetëm në viset tejet të varfra të Shqipërisë. Kam takuar një prej tyre në lartësi 1600 m të maleve mbi fshatin Tërnovë (Rrethi i Bulqizës, qarku Dibër), ku po kryeja një ekspertizë vëzhgimi arkeologjik në dhjetor 2014 (Foto 6). Ishte një rampë miniere kromi e improvizuar, ndërtim i bërë nga njerëz të braktisur prej përkrahjes shtetërore, banorë që luftojnë për jetë a vdekje për të siguruar jetën në krahinën ku kanë jetuar historikisht, rampë e bërë me trungje e degë nga pylli malor në zemër të të cilit është hapur edhe “miniera” për nxjerrjen e mineralit të kromit në mënyrën më arkaike, ose më saktë primitive, ose prehistorike. Kjo është kopja e minierës së Xhek Londonit në Shqipërinë e sotme (europiane apo të rilindur). Por në të njëjtën kohë, ajo është edhe shëmbëlltyra e rampës dhe e skelarisë së ngritur për restaurimin e Kishës së Labovës së Kryqit. Kjo e fundit nuk është ndërtuar nga ata që luftojnë për jetë a vdekje në malet e Tërnovës për të mbijetuar, por nga elita e korruptuar e Ministrisë së Kulturës të Republikës dhe e bosëve të firmave dashnore të saj që nuk i tremben as drejtësisë, as kontrollit të shtetit, as prokurorisë dhe as vetingut.

*Titulli origjinal: Miniera e arit e Xhek Londonit në Labovë të Kryqit

"Panorama"

Comments

Submitted by Kembanat vazhdo... (not verified) on

Kjo qe duhet te ishte Kumbara e kultures dhe e qytetarise eshte shnderruar ne Kumbare te antikultures, harbuterise dhe grykesise! I mjaftuan vetem disa muaj qe t'i dilte turpi e t'ia merrte doren pislleqeve te korrupsionit e qe prej gati 3 vjet vjedh paturpesisht e merr pjese ne para dhe ne natyre per çdo projekt qe akordon. Do t'i kete ne kurriz si mallkim, qofte para drejtesise, qofte me vetmine e perbuzjen qe i ka siguruar vetes kur ta lere ate post!

Submitted by Anonymous (not verified) on

Gjergj Frashëri, shko regjistro objektet që ke lënë pa regjistruar nga gërmimi tek lulishte "1 Maji" në Durrës. Shko dhe jep llogari për prishjen e lagjes antike të asaj lulishteje, ku me miratimin tënd u ndërtua betonarmeja e Gjushit dhe u fut nën sarkofag betoni fragmenti i murit antik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.