Është fyese të pranojmë se këta janë Drejtimi i Duhur
Në Durrës ka nisur puna për projektin Veliera. Në dritën e debateve të tanishme për ndërtimin, vendimin e gjykatës, gjetjet arkeologjike dhe betonin, del në krye triumphant një person: kryetari I Bashhkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Po të përdorim fjalorin e këtij të fundit dhe nivelin mjeran me të cilin prezantohet para publikut apo medias do të thoshim se Dakua as ja pordhi shoqërisë civile dhe protestuesve.
Dhe s’do mend që kështu do ishte. Rrënojat arkeologjike, vlera e të cilave duhet sqaruar nga ekspertët dhe institucionet, u kanë mbetur në dorë disa njerëzve që protestojnë, ndërkohë që Dako ka me vete të tashmen dhe të ardhmen. Ai ka partinë dhe elektoratin që rend pas tij për të katërtën herë. Në fund të fundit pse duhet mbivlerësuar kaq shumë arkeologjia? Çfarë kishte më shumë se Dako apo një durrsak I sotshëm, ai Dako – pashai I rrënojave, apo durrsaku I vjetër? Asgjë.
Dhe për të vijuar: A nuk është edhe Veliera e sotme një gur në arkeologjinë e së nesërmes, kur shkencëtarët do të flasin për një qytetërim të ngritur nën drejtimin e një aristokrati me inicialet V.D? Mundet edhe të kemi ndonjë bust, pllakë për emër shkolle arruge. Dhe ja. Në mos pasardhës të ilirëve, të këtyre shqiptarëve të sotshëm do të ketë patjetër dëshmi me bollëk.
Kjo arrogancë ka vetëm një shpjegim: ekipi I të majtës së sotme zyrtare ka në hipotekë politike votën e shumicës së votuesve. Dako ka mandatin e katërt këtë ta tanishmin, madje me diferencë votash që sa vjen dhe rritet. Nuk është I vetmi. Shpëtim Gjika në Vlorë ishte një mësues në Shkollën Tregëtare, por sot që flasim është ndër njerëzit më të fuqishëm në qytet. Edi Rama e rimori për dore pasi e goditi dhe kërcënoi. Gjika mori 3 mandate, të fundit me diferencë 5000 vota. Dhe sikur të kandidonte sërish mundet edhe të merrt 20 mijë të tjera. Dritan Leli një djalë i mirë dhe që pak bën për t’u kapardisur siç e kërkon ky zanat fitoi për shkak të votës militante.
E mbani mend Baftjar Zeqon në Fier? Me siguri që një pjesë po. 3 mandate dhe sikur të mos e çemëronte partia me siguri do kishte marrë të katërtin. E kotë të shtojmë se te Zeqo, njësoj si te Dako dhe Gjika, flet puna, pa vijnë votat.
Asnjë nga këta të tre nuk kalon dot mbi eminencën e Elbasanit, Qazim Sejdinin, i cili në fillesat e veta kishte një ngjashmëri fizike me ish-sekretarin e PS-së, Bardhyl Agasi, i cili shquhej për modestinë e tij. Sot Sejdini i ka katër mandate nga qyteti, nga votuesit dhe edhe aty flet puna e tij. Ai ka rënduar ecjen, ka ftohur shikimin. Ai si I thonë një fjale e ha me sy Elbasanin dhe rrethina.
Ç’mund të themi për të shkathëtin Flamur Bime në Gjirokastër? Mendoni se do humbiste po të mos e hiqte PS-ja dhe Edi Rama që ja dha Gjirokastrën LSI-së? Se ky është vektori: nuk të heq vota. Por partia. Vota qameti del në Pazar.
Partia, klani, farefisi, këto janë asetet e paçmueshme që riprodhojnë në pushtet ekonomik e politik të pakonkurueshëm një kastë që na ka bërë moral dhe ditë informacioni edhe para ’90-ës. E cila është aty në pushtet edhe për shkak të kësaj verbërie të votuesit dhe të indiferencës së madhe të një pjese qytetarësh që mund të vendosin ekuilibrin në këtë marrëzi.
Vota mundet edhe të jetë ndëshkuese përveçse pragmatiste dhe militante. Mund të votosh një alternativë tjetër, të re, jo Saliun dhe PD-në meqë këto janë alibi, për të rrëzuar këtë masë konkave të së ligës së koaguluar rreth gënjeshtrës së kthyer në interes. Është e patolerueshme për logjikën dhe moralin e një shoqërie, për inteligjencën dhe sidomos për sakrificat e mëdha që bëhen çdo ditë nga gjithkush, që të na bindin se askush tjetër nuk mund të punojë më mirë në një ministri se Samir Tahiri, Ilir Beqja, Milva Ekonomi, Arben Ahmetaj, se Ditmir Bushati se Blendi Klosi e të tjerë. Kjo është thjesht e pamundur.
Është edhe më shkatërruese të besosh se ky ekip udhëhiqet nga një moral ndryshe dhe më i shëndoshë se ata i kanë thënë parasë tutje e po shohin thjesht Shqipërinë.
Asnjë nuk e beson këtë, ndaj asnjë nuk duhet të negociojë një mundësi që jepet me votën me një bindje që buron nga indiferenca, mosbesimi dhe propaganda. Ka patur edhe në Perëndim liderë që kanë qëndruar sa Edi Rama në pushtet por për shkak të reformave dhe transformimeve të vërteta, që njihen dhe preken. Jo për propagandë. Gënjeshtra që kemi pranuar mes nesh na dëmton dhe vë në gjumë vetëm ne, jo KËTA, mandatarët e përjetshëm që kanë nisur të mendojnë se janë superiorë mbi të tjerët.
Add new comment