Plani Kerry për paqen: Jeruzalemi kryeqytet i Izraelit dhe Palestinës
Gazeta izraelite “Haaretz” raporton se administrata amerikane Obama, e përfaqësuar nga sekretari i Shtett, John Kerry, ka propozuar në një samit sekret mbajtur në Jordani në vitin 2016, një plan paqeje që parashikonte njohjen nga vendet arabe të Izraelit si një shtet hebraik.
Samiti është zhvilluar në Aqaba mes Kerryt, kryeministrit Netanyahu, mbretit jordanez Abdullah II dhe presidentit egjiptian Abdel Fattah Al Sisi. Gazeta citon burime anonime nga administrata Obama, që ka lënë tashmë pushtetin dhe sipas tyre në plan parashikohej edhe rinisja e bisedimeve të reja me Autoritetin Palestinez.
Sipas gazetës kryeministri izraelit nuk e ka pranuar propozimin duke u shprehur se koalicioni me të cilin ai qeveris nuk do ta mbështeste. Por ky samit hodhi bazat e bisedimeve që nisën dy javë më vonë mes Netanyahut dhe liderit opozitar Yitzhak Jerzog i Unionit Zionist në krijimin e një qeverie.
Plani parashikon njohjen e siguruar ndërkombëtare për kufijtë mes Izraelit dhe një shtetit palestinez të vijueshëm territorialisht, bazuar në kufijtë e para vitit 1967 me marrëveshje për shkëmbim territoresh.
Zbatimi i Rezolutës 181 që përkufizon dy shtete për dy popuj. Zgjidhje për çështjen e refugjatëve palestinezë, Jeruzalemi të jetë kryeqytet i të dyja vendeve, njohur si i tillë nga komuniteti ndërkombëtar, duke garantuar hyrje të lirë në të. Sigurim i nevojave të mbrojtjes për Izraelin dhe garantimi që shteti palestinez siguronte qytetarët e vet në një shtet të demilitarizuar.
Gazeta sqaron të gjithë dinamikën e negociatave që fatkeqësisht çuan në mosrealizimin e propozimit që do të zgjidhte apo qetësonte një rajon shumë të ndezur. Nuk është çudi që marrëveshja mes Hamasit dhe Al – Fattah, arritur pak javë më parë në Moskë, të jetë një refleks i këtij dështimi, ndërkohë që njohja arabe për shtetin e Izraelit si shtet hebraik, do të ishte një kthesë e madhe, por edhe një goditje e fortë për politikën e një shteti si Irani.
Add new comment