Kulti i Pushkinit – pasojë e një vendimi politik të Stalinit

Postuar në 19 Shkurt, 2017 00:20

Poeti rus Aleksander Pushkin gëzon një famë të përbotshme dhe kjo i atribuohet kontributit të të tij në letërsi. Por ndoshta në këtë popullarizim të tij mund të ketë gisht edhe Josif Stalin, diktatori sovjetik, i cili në vitin 1937 organizonte Spastrimin e Madh në Bashkimin Sovjetik, e krahas tij edhe 100 vjetorin e vdekjes së poetit me një ceremoni dhe festime masive.

Lidhur me këtë fakt, në faqen “Russia Beyond the Headlines”, është publikuar së fundmi një artikull i Vladimir Mozhegov i cili shkruan se Stalin e përdori Pushkin për qëllime politike. Ndonëse shton se vetë diktatori sovjetik njihte poezinë e se madje ai admironte Dostojevskin.

Vendimi për ta celebruar Pushkinin si një zot socialist i takon Stalinit. Për të kuptuar më mirë sesa jo e zakonshme ishte kjo iniciativë vlen të kujtohet se në shekullin e 19-të Pushkini ishte një poet i njohur vetëm nga elita intelektuale. Lista e leximeve për inteligjencën revolucionare nuk përfshinte Pushkinin sepse ai konsiderohej shumë i largët dhe u hoq nga nevojat imediate të popullit. Stalini gjithsesi ishte njohës i mirë i letërsisë klasike ruse dhe ishte i afeksionuar jo vetëm me revolucionarin Çernishevksi, por edhe me Dostojevskin po ashtu”, shkruan Mozhegov.

Arsyet e konvertimit të poetit në një kult të vërtetë, diçka e ekzagjeruar skajshmërisht në krahasim me atributet e mëhershme për Pushkin, sipas autorit në fjalë janë politike.

Vendimi për të përkujtuar Pushkinin u ndikua shumë nga fakti se duke nisur që nga mesi i viteve ’20 diaspora ruse jashtë vendit, të cilën Rusia Sovjetike e mbante në mbikëqyrje të rreptë, nisi të shtonte interesin për veprat e Pushkin. Stalini vetë u abonua në thuajse të gjitha publikimet e mëdha të qarqeve të diasporës ruse. Në vitin 1937 komuniteti i emigrantëve rusë po planifikonte që të zhvillonte aktivitete në nderim të Pushkinit, që do të thoshte se trashëgimia e poetit mund të kthehej në një armë politike e rrezikshme në duart e tyre. Kështu që ishte imperative që të rrëmbehej kjo vegël nga duart e armikut. Kjo mund të ketë qenë logjika e Stalinit, ndonëse historianët nuk janë të sigurtë”, shkruan Mozhegov.

Përkujtimi dhe propaganda e ngriti poetin në një nivel promovimi të paprecedentë, diçka që justifikon se pas këtij angazhimi ka arsye politike që shkojnë përtej admirimit për veprën. 14 milionë kopje të publikuara vetëm në vitin 1937, në thuajse të gjitha gjuhët e Bashkimit Sovjetik, përfshirë gjuhën asiriane, burjat, greke, hebreje dhe komi – zyrjan. U krijuan shoqata dhe klube, admiruesit e tij u shfaqën në kolektiva, buste, statuja, apo edhe imazhe të tjera përmbytën Bashkimin Sovjetik. Pushkini ishte tashmë numri një në gjeninë letrare ruse, i krahasueshëm me Danten, Shekspirin etj..

Ceremonia e mbajtur në teatrin Bolshoi në Moskë kishte prezencën personale të Stalin, që sipas autorit u kujdes të përçonte mesazhin se poeti duhej nderuar si askush tjetër. Në një vend multietnik, përdorimi i një poeti të tillë, i shtohej propagandës marksiste duke “çimentuar forcat popullore”, siç citohet një shprehje e Antonio Gramshit.

Kjo madhështi që shkon kaq shumë me madhësinë gjeografike të BS-së na jep një grimë ideje si modeli ku u mbështet edhe regjimi i Enver Hoxhës për të popullarizuar modelt e veta dhe për të ngritur kultet e tij, mbi të cilët qëndronte padyshim Skënderbeu. Shqipëria nuk kishte poetë, ndërkohë që Rusia ka shumë luftëtarë saqë të ndalet vetëm tek një.

http://rbth.com/arts/literature/2017/02/14/pushkin-soviet-god_701618

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.