Vendosja e bustit të Papës në Tiranë, akt i paarsyeshëm. Jemi popull me tri fe...
Rexhep Qosja ka dhënë sot një intervistë për emisionin “Dritare” në Vizion Plus. Ai ka folur për një sërë çështjesh duke dhënë ato vlerësime që janë të njohura tashmë. Qosja ka vlerësim thuajse maksimal për Edi Ramën, që sipas tij ka dëshirë për modernizimin e Shqipërisë. Në listën e vërejtjeve akademiku kosovar rendit ndërhyrjen e Ramës në çështjet fetare, duke tërhequr vëmendjen në një aspekt delikat të jetës publike shqiptare. Thotë Qosja:
Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, feja është e ndarë prej shtetit, ne nuk kemi të drejtë dhe nuk duhet t’i lejojmë vetes tani të flasim në një mënyrë që lejon të mendohet se po favorizohet kjo apo ajo fe, politikanët nuk duhet të merren me çështje fetare...Fjala vjen, Kryeministri i Shqipërisë foli për ish-Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të cilin tha se ka ndërruar fenë. Kjo nuk mund të dëshmohet dhe mendoj se nuk bëri mirë që e tha sepse tingëlloi si propagandë. Derisa familja e tij nuk e ka deklaruar këtë e kurrkush nuk e di përpos familjes së tij, fëmijët e bashkëshortja nuk e kanë deklaruar nëse e kanë ndërruar apo jo fenë dhe ne të tjerët nuk kemi asnjë të drejtë të japim mendime për atë çështje. Prandaj mendoj se Kryeministri i Shqipërisë nuk është dashur dhe nuk duhet të futet aq lehtë në çështje fetare.
Tjetër, Papa Françesku është një figurë e madhe fetare, morale, etike dhe figurë e madhe po shihet edhe në politikë. Sot mund të jetë figura më e madhe në botë me ndikim etik. Ai është një figurë për të cilin nuk e di a ka kush që nuk ka simpati dhe përkushtim të përgjithshëm ndaj tij. Unë kam shumë përkushtim ndaj asaj figure fetare, etike dhe politike, për fjalët e tij, për ndikimin e tij në botë, por nuk e quaj të arsyeshme ngritjen e shtatores së Papës në një shtet laik. Këto gjëra nuk ndodhin as në Evropë apo shumë rrallë mund të ketë ndodhur. Unë nuk e quaj të arsyeshme këtë dhe nuk e quaj të arsyeshme sepse, e para, Shqipëria është shtet laik dhe nuk duhet t’i japim kuptime fetare dhe e dyta, jemi popull me tri fe dhe duhet të kemi kujdes për harmoninë shumëshekullore të vazhdueshme dhe që dëshirojmë e shpresojmë të vazhdojë kështu.
Comments
Katunar ke lindur o Qose,
Katunar ke lindur o Qose, Katundar do vdesesh
Add new comment