Mbi një lajm të munguar në Tiranë

Postuar në 30 Janar, 2017 16:29
Bard Camaj

Publikimin e para ca ditëve nga Transparency International të raportit mbi indeksin e perceptimit të korrupsionit në nivel global, media e Tiranës e përcolli me një heshtje konsensuale, dhe kjo për arsye të mirëkuptueshme. Ministria e së Vërtetës Qeveritare( nënkupto: mediat proqeveritare)  të cilat minimizimin apo relativizimin e çështjeve, interpretimin e shtrembëruar të fakteve duke përdorur ekspertë mercenarë e kanë sofistikuar në art, duhet të ketë vendosur që raporti nuk përbën lajm. Dhe në fakt, nuk është se në  këtë raport  ka ndonjë gjë të re, po të kesh parasysh që Shqipëria konkuron prej kohësh dhe denjësisht ndër vendet me të korruptuara të planetit. Pastaj, ç'rëndësi ka publikimi i një raporti kaq lemerisës: Indexin e perceptimit të korrupsionit qytetarët e këtij vendi e provojnë mbi kurriz ditë pas dite,kështu që publikimi i tij nuk do ti shtonte as hiqte gjë menusë së mjerimit të qytetarëve në këtë vend. 

Për ata që na qeverisin, kjo renditje e lemerisshme në fqinjësi të palavdishme me Xhamajkën, Lesoton, Indinë apo Mongolinë, mund të bëhet  shqetësuese vetëm për impaktin e këtij raporti në mënyrën se si e perceptojnë shqiptarët qeverisjen e tyre aktuale. Por ka arsye për të qenë të ngushëlluar: Shumica e qytetarëve të këtij vendi të gjendur në betejë të përditshme për bukën e gojës, nuk kanë luksin as ngenë të lexojnë raporte që na tregojnë gjendjen në të cilën ndodhemi. Por edhe në pastë të tillë që lexojnë e informohen, e që tremben për atë që lexojnë e informohen, për këta kujdeset Qeveria nepërmjet nepërmjet një censure të heshtur dhe babaxhane . E në mos mjaftofshin të gjitha këto, ka gjithmonë rrugëdalje rezervë: gjithë fajin e ka Saliu,  kemi qenë edhe më keq, ka përmirësime të dukshme, na ka penguar sistemi i drejtësisë, të gjitha këto mekanizma të sofistikuar për ta lënë kopilin në derën e dikujt tjetër.

Nëse po hulumtoni përse Rama së herë pas here  bëhet më aktiv në retorikën e tij që bie duhmë populizmi në raportet me fqinjët dhe në politikat e brendshme, mjafton të thellohesh në vazhdimin e raportit të Transparency International për të kuptuar arsyen. Korrupsioni është faktori thelbësor i pabarazisë, dhe pabarazia nga ana e saj gjeneron mosbesimin, cinizmin dhe dëshpërimin për reforma radikale, nënvizon raporti në fjalë. Që këtej ngre krye populizmi. Politika e të dhënit ujë me bisht të lugës, e propagandës pa thelb, dhe retorikës pa aksion, është reagimi instinktiv i qeverisjeve të korruptuara, të cilat dështimet e tyre mundohen ti mbulojnë me pallavra të allasojshme nacionalizmi( Akropoli u shpëtua nga shqiptarët?!!), ksenofobie, kërcënimesh nga fuqi të jashtme që na duan të keqen, të gjitha këto instanca të doktrinës së shokut e cila mundohet ti mbajnë qytetarët të frikësuar e të nënshtruar duke krijuar në komunitet bindjen që fajin na e kanë të tjerët 

Këtë zinxhir hipotetik shkak pasojë, Transparency e sheh në fakt si një kërcënim ndaj qeverive ekzistuese, por në rastin e Shqipërisë nuk ka vend për panik: me një opozitë të diskredituar e të tkurrur nën terrorin se mos një ditë në këtë vend do të bëhet vërtet drejtësi, zotimet apo nismat populiste nga ana e tyre për ndryshime radikale vështirë të merren seriozisht. Shoqëria civile në një masë të madhe ka vendosur të bëjë rrogëtarin e Qeverisë, duke braktisur misionin e saj. E meqë është thënë e stërthënë që natyra e urren boshllëkun, me vullnetin për ndryshime reale të munguar tek faktori opozitar, kemi Kryeministrin tonë që bën populistin. I cili me një pacipësi të përtëritur dhe diletantizëm shembullor  kërkon tu mësojë grekëve historinë, maqedonasve prejardhjen, dhe serbëve kufijtë. Një retorikë e tillë  në hallakatje totale paradhomash kryeministrore, është një dëshmi e padyshimtë e faktit që gjërat nuk janë hiç mirë në këtë vend. Dhe sa herë ai shfaqet në ekran për të folur për kontributin e shqiptarëve në pavarësimin e Greqisë, sa herë thirren në gjyqin e historisë Muji e Halili, Paji Harambash, Ali pashë Tepelena, Bushatllinjtë e Shkodrës apo Ajkuna që qan Homerin, nuk ka farë dyshimi që halli është diku tjetër: te arka e shtetit ngelur bosh në sajë të politikave perverse ekonomike të partneritetit publik-privat, te abuzimet dhe mungesa ulëritëse e kompetencës në tatime e dogana, në mungesën e frikshme të investimeve, te papunësia masive, te mungesa e shpresës, te varfëria ekstreme që po përhapet si murtajë tek gjithnjë e më shumë shqiptarë. Një realitet i zymtë për të cilin vërtet, nuk është e domosdoshme të lexojmë raportet e Transparency International. 

Comments

Submitted by Kevinjon (not verified) on

Kur doli raporti i pizes doli Rama me vrap ti bej jehone. Kur del raporti i Korrupsionit nuk pipetin njeri. A jane te gjithe bashkefajtore qe nuk ben ze askush?

Submitted by Kastriot (not verified) on

Ne qofte se do te besh bilancin e perceptimit te korrupsionit duhet ta marresh ate si ndryshim gjendjesh pasi te besh bilanc nuk eshte si te shkruash mbi nje flete te bardhe.Ne cdo bilanc llogarite behen: Gjendja ne fillim + Hyrje - Dalje = Gjendja ne fund (te periudhes).Menyra se si e ka trajtuar ceshtjen shkrimi i mesiperm eshte minimalisht e pandershme per te mos thene e piset. Pra normalisht ajo ajo cfare mund te diskutheje ishte: Ku ishim? Cfare ka ndodhur? Ku jemi? Sigurisht ka vend per te diskutuar nese eshte bere mjaftueshem, apo jane bere hapa prapa, gjithmone sipas te dhenave te cilave u referohemi dhe jo llogjeve te pazarit. Sepse c'kuptim ka te thuash "...Shqipëria konkuron prej kohësh dhe denjësisht ndër vendet me të korruptuara të planetit" pa analizuar "qekur" -in dhe a ka ndonje ndryshim per mire apo per keq, gjithmone duke konsideruar te mireqena cfare thote TI. Ne rast se nuk je dakord me cfare shkruhet ne raportin e TI atehere mos e merr si reference .

Submitted by Bard (not verified) on

Ne raportin e TI Shqiperia leviz +-3 vende vit pas viti, pa reflektuar ndonje ndryshim thelbësor. Pra duke iu referuar po ketij raporti, jemi pak a shumë aty ku ishim 3,5 apo 10 vite te shkuara. Pastaj, nese lexon titullin, Besoj se fakti qe askush nuk flet per kete raport ne Tirane, dmth qe nuk ka vend per lavderime as per mburrje, sepse Po te kish pasur, do e kishe pare ne balline te çdo media si sukses i qeverise.

Submitted by GR (not verified) on

Ky djali i Omer Simpsonit sqenka shume i informuar qe ne fakt te gjitha mediat postuan faktin qe shqiperia ka bere perparim pozitiv ne kete, gjithmone referuar ketij raporti.... Nejse, besoj prandaj qyqari eshte ne pozitën qe te shkruaj artikuj apo postime qe botohen vetem te respublica....
Respublica , jua kam thene dhe here tjeter.... Sjeni gjekundi me kete lloj qasjeje....

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.