Rama: Zgjedhjet i bën KQZ, po numërimi e votimi elektronik janë aventurë
Debati më i nxehtë politik i momentit është ai për reformën zgjedhore për të cilin opozita ka vendosur si kusht votimin dhe numërimin elektronik. Në një parashtrim lidhur me këtë çështje kryeministri Rama ka sqaruar pse kërkesa e opozitës është praktikisht e pamundur dhe një alibi për humbjen në zgjedhje sipas tij.
Edhe në këtë çështje kryeministri operon me të njëjtën logjikë që trajtoi reformën në drejtësi si një çështje ekspertësh. Kryeministri ka të drejtë të thotë jo për kërkesat e opozitës, por kur argumenton se kjo çështje kërkon ekspertizë ndërkombëtare interpreton teknikisht procesin, çka nuk ia njeh vetes si atribut dhe ngre një pikëpyetje të madhe mbi vullnetin politik të tij dhe mazhorancës që drejton për të dixhitalizuar procesin zgjedhor.
"Qeveria nuk mund të marrë përsipër të japë, në këto kushte, dakordësinë për një aventurë të cilës nuk i dihet fundi ose më saktë, e cila me të dhënat e me mundësitë e sotme, ka vetëm një fund: Deshtimin e sigurtë të procesit zgjedhor! Nuk mundemi të jemi dakord, sepse nëse ne do të bëheshim sot pjesë e një konsensusi symbylltaz për t’ia hyrë kësaj aventure, duke shpërfillur arsyetimin tonë të bazuar tek eksperienca dhe mbi të gjitha opinionin e OSBE/ODHIR-it, nesër shqiptarët e ndërkombëtarët bashkë, do të kishin të gjithë të drejtën të na bënin ne, qeverinë e askënd tjetër, përgjegjës të vetëm për dështimin spektakolar të zgjedhjeve të 18 qershorit.
Por, thënë kjo, dua ta bëj shumë të qartë se personalisht s’kam asnjë kundershtim dhe Partia Socialiste me siguri do të ishte gati ta tejkalonte pozicionin aktual, për të kërkuar bashkë me forcat e tjera politike, një eskpertize ndërkombëtare që, me gjasë, do ta faktonte e do ta garantonte mundësinë reale të futjes së elektronikës në proces!
Pra, le ta ndërmarrë menjëherë Komisioni i Reformës Zgjedhore një proces eksplorimi dhe le të thërrasë e të dëgjojë këdo, që mbi bazën e një eksperience të suksesshme në këtë fushë, mund t’i paraqesë Shqipërisë një plan konkret, të faktuar e të garantuar, për të hedhur një hap në këtë drejtim.
E nëse një ofertë serioze i vihet përpara Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe siguron opinionin pozitiv të OSBE/ODHIR-it (sepse duam s’duam, arbitri i vetëm i standarteve zgjedhore që njeh bota demokratike janë ata), atëherë pse jo!"- shkruan kryeministri, duke projektuar një proces që do t'u ngjajë atyre të kaluara. Zgjedhje të pranueshme, por jo sipas standardeve.
Add new comment