Arbërit e...Shqipërisë së Poshtme
“Arbërit e Jonit” – Vlora, Delvina e Janian në shekujt XV – XVII”. Ky është titulli i librit hulumtues e studimor të Pëllumb Xhufit, medievist shqiptar.
Një libër voluminoz që zhvillon në drejtimin jugor të botës arbëre, punën e nisur në punimin tjetër të autorit “Dilemat e Arbërit”. Siç mund të shihet në titull harku kohor i veprës merret me atë që ndodhi në trevat e Arbërisë së Poshtme – në trevat e atij që autori e referon si Epiri Klasik - duke u përqendruar në zhvillimet politike, ushtarake, ekonomike, por edhe sociale e fetare në nisje të inkursioneve osmane e deri në periudhën e mbylljes së botës arbëre, për t’i lënë vendin termit shqiptar.
Libri është interesant, ai nuk mëton vetëm përgjithësime dhe konkluzione, por përcjell në mënyrë të gjallë emra personazh, veprimet konkrete, raporte, heronj, aventurierë, përplasje të mëdha, gjithë pra një botë shumë dinamike në të githa drejtimet.
Lexuesi aty do të rrokë më mirë se bota arbër e kësaj treve në këtë periudhë ndodhet e kushtëzuar në veprimet e veta nga presionet dhe projektet e aragonezëve të Napolit, Papatit, Venedikut dhe osmanëve. Korfuzi na shfaqet në këtë kuadër një pikë ku përplasen të gjitha rrymat: një pikë strategjike, jetike për dimensionin detar të Venedikut, por edhe një pikë kontakti e gjithanëshme. Tregëtia, plaçkitja, pirateria, projektet ushtarake, asgjë nuk mund ta neglizhojë Korfuzin. Në vështrim vjen Bregu shqiptar, Vlora, rëndësia e tyre në raportet me fuqitë e Perëndimit.
Autori na thekson se arbërit janë kudo në Epir, madje edhe në Etoli e Akarnani, jo vetëm me prezencë fizike, por edhe me protagonizëm. Libri përshkrohet nga një "mungesë grekësh" me të cilët arbërit nuk duket se kanë patur ndonjë raport, të cilat i zhvillonin me "sundimtarët latinë". Kjo në kuptimin se në libër këto raporte nuk dominojnë dhe kur shfaqen ato paraqesin një nuancë konflikti, si në bashkëjetesën në Korfuz, apo në kundëvëniet me sens fetar si në rastin e rebelimit të Dionis Filozofit, zhvilluar përherë në një suazë të përplasjes imperiale të një kohe që do të marrë fund me ngulitjen e mirë të osmanëve.
Xhufi e lidh “Ikjen madhe”, pikërisht me ardhjen e këtyre të fundit, duke i dhënë hapësirës së arbërve një gjeopolitikë që i lidh ata me Perëndimin, i bën pjesë të historisë europiane të kohës. Në përgjithësi, tezat që shtjellohen këtu janë të njohura dhe ato janë trajtuar nga ky autor edhe te “Dilemat e Arbrit”, apo edhe te punimi për Beratin.
Hollësi interesante është hipotetizimi i vendndodhjes së Spinaricës në Apolloni, e cila në Mesjetë njihej me emrin Polina.
Preket në libër edhe roli i murgjëve bazilianë, aktorë kyçë në ruajtjen e atij ishulli kristian në bregdet, por edhe konvertimi në islam i shqiptarëve. Kjo është një çështje të cilës historiografia shqiptare i është shmangur. Nuk gjendet as në këtë libër një arsye shteruese, por befason fakti se sipas Xhufit, që citon autorë të ndryshëm, arbërit e kësaj treve iu larguan kristianizmit për shkak të një lloj dogmatizmi, mungesës së institucioneve kishtare, injorancës së klerit, por edhe tolerancës fillestare të Islamit që u lejonte atyre praktikat pagane. Vlen të theksohet një urdhër i Sulejmanit të Madhërishëm që ndalon konvertimet në Islam pa njohuritë për doktrinën – lëshuar për Kosovën, meqenëse kjo shmangie nga taksat ishte dëmshme. Vijmë pra te faktori ekonomik dhe te ai pragmatizëm ekstrem që ishte kultivuar ndërkohë me hyrje daljet e sundimtarëve të ndryshëm.
Në fund, por jo pa rëndësi, libri ofron një risi. Xhufi i kushton vëmendje edhe ndikimit që ka patur Murtaja në trevat arbërore. Njësoj si për besimin fetar, apo për herezitë që u mungon një histori, edhe për këtë faktor kaq determinues në Mesjetë, nuk ka të dhëna apo trajtesa për Shqipërinë.
Murtaja ka bërë kërdinë në Shqipëri, ajo ka diktuar madje lëvizje e popullsisë. Një hollësi interesante: karantina e e të sëmurëve në Korfuz quhej Shkëmbi i Lazaretit. Lazarati pra si emër na njofton historinë e kësaj sëmundjeje në trevat tona; emri i fshatit në Gjirokastër që u prek shumë nga sëmundja, gjendet edhe si emër lagjeje në Çorrush të Mallakastrës.
“Murtaja zhbënte rendin e gjërave”, citon autori kronikat e kohës, por ajo ishte edhe shkak për luftë, Hapet pra një dritare për të parë atë dukurinë e migrimit të brendshëm në Shqipërinë e Poshtme, që deri më sot është parë në mënyrë statike dhe duke i mohuar ato drama të mëdha që e kanë shenjuar historinë dhe demografinë e saj.
Libri, i publikuar nga “Onufri”, është voluminoz, mbi 1200 faqe dhe shfrytëzon një material dokumentar të ri nga Venecia, me lidhjet cilësore dhe i pajisur me harta të kohës.
Add new comment