Çtensionim i marrëdhënieve me Greqinë pas raportit të BE
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se, pavarësisht tensionimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, po vazhdojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemeve dypalëshe. Në një intervistë për agjencinë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, Kotzias është ndalur gjatë në konkluzionet e presidencës sllovake për ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ai tha se “dialogu vazhdon, madje ditët e fundit ishte në Athinë zëvendësministrja e jashtme shqiptare, që zhvilloi takime me homologët grekë”.
Sipas shefit të diplomacisë greke, konkluzionet janë një “dokument shumë kompleks, që ka të bëjë me perspektivën e Shqipërisë në BE dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë”. “Në ndryshim nga dokumente të mëparshme që kishte përgatitur Komisioni Europian dhe që fokusoheshin ekskluzivisht në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tashmë evidentohen pesë prioritetet kyçe që janë vënë si kushte bazike për shqyrtimin e një hapjeje të mundshme të negociatave të anëtarësimit”, sqaron Kotzias.
“Këto prioritete përfshijnë promovimin e reformës gjyqësore, luftimin e krimit të organizuar - veçanërisht në prodhimin dhe trafikimin e drogës-, dhe sigurisht respektimin e minoritetit”, shton ministri i jashtëm grek. Sipas tij, “i është nënvizuar Shqipërisë nevoja e mbrojtjes së të drejtave minoritare në gjithë territorin dhe jo vetëm në zonat minoritare. Gjithashtu, mbrojtja e të drejtave të minoritetit u ndërlidh për herë të parë direkt dhe me të drejtën mbi pronën”.
Janë dy çështje të rëndësishme, konkludon Kotzias. “Posaçërisht çështja e mbrojtjes së të drejtave minoritare në gjithë territorin e Shqipërisë, që politika e jashtme greke e ka shtruar me një mënyrë të re dhe tashmë është përfshirë në dokumentet e Bashkimit Europian”.Gjithsesi, shefi i demokracisë greke ka theksuar edhe një herë se Greqia dëshiron që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, por ka theksuar se ky anëtarësim duhet bërë me përmbushjen e gjithë kritereve që kanë pasur edhe aspirantët e tjerë dhe që duhet të vlejnë edhe për Shqipërinë”. Greqia ka gjithë dëshiron e mirë dhe kur t’i kërkohet do të përgjigjet”, ka nënvizuar Kotzias.
http://www.amna.gr/articlep/136657/N.-Kotzias:-%C2%ABKentima%C2%BB-ta-su...
Add new comment