Mbyllja e “Dosjes” Veliaj, PD kërkon ndërhyrjen e Llallës
Partia Demokratike i kërkoi prokurorit të Përgjithshëm të ndërhyjë për të mos lejuar mbylljen e dosjeve hetimore për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili është kallëzuar për tre çështje.
Erjon Veliaj ka të paktën tre kallëzime penale në organin e akuzës, për ndërtim pa leje, shpërdorim detyre që solli si pasojë vdekjen e 17 vjecarit Ardit Gjoklaj, dhe falsifikim firme, e provuar tashmë dhe e pranuar nga vetë ai, e megjithatë, shqiptarët e shohin kryetarin e bashkisë së Tiranës, herë si dasmor të prokurorit të Tiranës, herë si mik drekash e darkash në restorante. Ndërkohë që dosjet presin në prokurori, Erjon Veliaj jo vetëm nuk hetohet, por shpallet mik special i kryeprokurorit të Tiranës- tha deputeti demokrat Enkelekd Alibeaj në një dalje për mediat, duke iu referuar një dreke te Veliajt me prokurorin e Tiranes, Petrit Fusha.
Sipas Partisë Demokratike, me 8 dhjetor të vitit të kaluar Erjon Veliaj falsifikoi firmën e policit bashkiak, për t’i vënë gjobë protestës së PD. Ekspertimi ka treguar se firma e punonjësit të bashkisë ishte falsifikuar. Ambjentalistët kanë bërë kallëzim penal për ndërtimin pa leje tek Paku i Liqenit, ndërsa prej gushtit, opozita e akuzon Veliajn si përgjegjës për vdekjen e Arditit Gjoklaj në Sharrë.
Add new comment