Nishani konfirmon solidaritetin me Erdogan: Na keni në krah!
Një një vizitë të programuar që përkoi me disa ngjarje me sfond terrorist në Turqi, presidenti shqiptar Bujar Nishani shprehu mbështetjen për pushtetin në Ankara, duke dënuar si sulmet terroristëve të ditëve të fundit, por edhe grushtin e shtetit të muajit korrik. Në njoftimin e zyrës për shtypi të Presidentit thuhet se "Nishani shprehu dhe solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë, në krah të Turqisë, në luftën kundër terrorizmit dhe sponsorizuesve të tjerë, duke iu referuar edhe dënimit nga autoritetet shqiptare të tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të këtij viti".
Kur Presidenti i Shqipërisë flet në Ankara për sponsorizues të terrorizmit, padyshim që nënkupton armiqtë e presidentit Erdogan, ku më kryesori dhe i akuzuari për ngjarjet e korrikut ishte imami në ekzil Fetullah Gulen. Për rrjetin e organizatës "Feto" në Shqipëri pala turke ka bërë një kërkesë zyrtare që të mbyllet çdo aktivitet i saj, dhe ky qëndrim i Nishanit është një lloj garancie se kërkesat e presidentit Erdogan, në mos nga qeveria, do të merren parasysh nga disa institucione. Presidenca njoftoi se në përbërje të delegacionit zyrtar shqiptar ishin edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zoti Bujar Leskaj, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, zoti Visho Ajazi Lika, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, zoti Selim Belortaja, si dhe Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, zoti Gëzim Podgorica.
Temë kryesore e nisedimeve sipas njoftimit zyrtar ishin çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen e Turqise mike për modernizimin e policisë dhe të ushtrisë shqiptare, si dhe asistencën e dhënë përmes agjencisë TIKA në Tiranë. “Shqipëria është e gatshme të kontribuojë me vendosmëri dhe me të gjitha mundësitë e saj krah Turqisë dhe vendeve të tjera aleate në luftën kundër terrorizmit.” – u shpreh Presidenti Nishani. Nishani shprehu mirënjohjen edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer sipas tij në shkëmbimin e informacionit, identifikimin dhe ndalimin e të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”. Falë edhe këtij bashkëpunimi, sot nuk flitet më për kontingjente nga Shqipëria"-theksoi Nishani.
Kjo shpalosje e solidaritetit dhe besnikërisë ndaj presidentit Erdogan vjen në një kohë që sinergjia gjeopolitike ka afruar ndjeshëm Ankaranë me Moskën, çka për interesat shqiptare mund të kërkonte më shumë vetëpërmbajtje dhe neutralitet në raport me sfidat që vendi ka përpara e ku më e rëndësishmja mbetet ajo e hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Comments
Mire e ka ky Bujo Nishani yne
Mire e ka ky Bujo Nishani yne, por pyetja eshte qe ne cilin krah, mbasi njerin krah ky i joni e ja jashte perdorimit, e ka per skrap.
Add new comment