Rivotimi në Gostivar përmbys fitoren e Gruevskit
Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi të pranojë kërkesën e Lëvizjes "Besa" për ripërsëritjen e zgjedhjeve në Gostivar, zonë e banuar në shumicë nga elementi shqiptar. Ky zhvillim i hap rrugë një skenari të ri krize pasi mund të barazojë mandatet në 50 me 50 mes dy koalicioneve, duke çuar sërish vendin në zgjedhje. Aktualisht koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE e Gruevskit ka siguruar 51 mandate ndërsa opozita e bashkuar e udhëhequr nga LSDM e Zoran Zaev ka 49 mandate. Pas këtij vendimi Gruevski reagoi ashpër duke e quajtur vepër të shërbimeve të huaja, ndërsa VMRO-DPMNE ka paraqitur padi kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për ankesat e Lëvizjes "Besa" dhe anulimit të rezultateve të votimit për listat e deputetëve, në vendvotimin nr. 0396/1 të zonës së gjashtë zgjedhore, në komunën e Gostivarit.
“Vendimi i kundërligjshëm i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ndikon drejtpërdrejt në rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve në dëm të Koalicionit Për Maqedoni më të mirë dhe konteston vullnetin e shumicës të popullit maqedonas”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE. Si pjesë e padisë shërbimi ligjor i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit "Për Maqedoni më të mirë" ka paraqitur argumente dhe dëshmi me të cilat sipas saj konfirmon paligjshmërinë dhe mungesën bazë të vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. VMRO-DPMNE apelon që mos të kryhet presion ndaj Gjykatës Administrative dhe gjykatësve që të vendosin në bazë të ligjit. Çdo trajtim tjetër do të ishte falsifikim dhe vjedhje e vullnetit të qytetarëve me inxhinieri pas zgjedhore, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE. Nga ana tjetër Partia Demokratike Turke, që është pjesë e koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë” me VMRO-DPMNE kërkon që të respektohet vullneti i qytetarëve, pasi sipas tyre koalicioni i udhëhequr nga Nikola Gruevski është fitues i zgjedhjeve të 11 dhjetorit.
Add new comment