Marrëdhëniet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, jetike**
Gjatë dy viteve të fundit, migrimi i paprecedent dhe sfidat e sigurisë e kanë vënë në pikëpyetje elasticitetin e Evropës dhe fqinjësinë e saj të afërt në shumë nivele. Njëkohësisht, është provuar se këto çështje janë mundësi për bashkëpunim më të madh, lidhje më të ngushta dhe marrëdhënie të thelluara në Evropë, si rajon dhe si kontinent, përtej kombësisë apo anëtarësisë në BE. Në këtë kontekst, bashkëpunimi mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor duhet thelluar dhe intensifikuar edhe më shumë, me qëllim që të bëhet një shembull se si mund të përballen sfidat e përbashkëta me një frymë solidariteti të vërtetë. Sepse, pikërisht, solidariteti është katalizatori kryesor për forcimin e këtij bashkëpunimi.
Ndërsa më shumë se 800 mijë njerëz mbërritën në brigjet evropiane në vitin 2015 duke kërkuar mbrojtje nga Greqia deri në Serbi dhe Gjermani, këto mbërritje kanë rënë në më pak se 200 mijë deri tani në vitin 2016, falë bashkëpunimit të mirë në rajon, përfshirë Deklaratën BE-Turqi dhe një menaxhim më të mirë të kufijve në mbarë rrugën e Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, Evropa ka përjetuar disa sulme të përgjakshme terroriste në vitin 2015 dhe 2016, që shpalosin ndërlidhjen e luftëtarëve terroristë, trafikut të armëve të zjarrit dhe rrezikut të radikalizmit nëpër të gjithë kontinentin. Ndonëse çështjet e migrimit dhe të sigurisë janë fenomene mjaft të dallueshme, të dyja kanë demonstruar nevojën e qartë për një reagim evropian në kuptimin e gjerë, bazuar në besimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe shtimin e bashkëpunimit.
Ja pse një nga elementet kyçe të Rojës Evropiane Kufitare dhe Bregdetare – fusha e veprimit e së cilës është aty ku kryqëzohet migrimi dhe siguria – është pikërisht bashkëpunimi që nuk kufizohet me BE-në, por fokusohet tek Evropa si rajon. Nëse është ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Bosnje- Hercegovina, Shqipëria apo Mali i Zi që janë nën trysni, Roja Evropiane Kufitare dhe Bregdetare tashmë do të mund të ofrojë mbështetje shtesë kur bëhet fjalë për menaxhimin e kufijve. Ja pse Europol-i do të dërgojë së shpejti oficerë të ndërlidhjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të forcuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi kontrabandën e migrantëve, hetimet dhe aktivitetet kundër terrorizmit.
Dhe, gjithashtu, ja pse duam një përqasje të re në bashkëpunimin tonë për armët e zjarrit me vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shmangur që më shumë armë zjarri të paligjshme të trafikohen në rajon dhe të keqpërdoren për qëllime kriminale dhe terroriste gjetkë në Evropë. Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë vetëm një marrëdhënie të gjatë dhe të qëndrueshme historike me Evropën në çaste të mira e të këqija. Vendet e Ballkanit perëndimor janë Evropë. Ne ndajmë të kaluarën dhe të tashmen, dhe po ashtu të ardhmen tonë. Ja pse lëvizja pa viza në BE, për shembull, është aq thelbësore për t’u mbrojtur dhe arritur për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Mekanizmi i ri për pezullimin e vizave dhe Sistemi i propozuar Evropian për Informacionin dhe Autorizimin e Udhëtimeve është planifikuar pikërisht për të mbrojtur dhe lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve nga rajoni, ndërsa rriten standardet e sigurisë në dobi të të gjithëve. Tani më shumë se kurrë, një marrëdhënie e ngushtë dhe e qëndrueshme mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është jetike. Ndërsa lëvizja bëhet gjithnjë e më shumë një tipar i qenësishëm i shekullit 21 dhe ndërsa metodat e kontrabandistëve dhe terroristëve ndryshojnë gjithnjë e më shumë, partneriteti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor vetëm do të rritet.
Së fundi, partneriteti ynë shkon dhe do të shkojë përtej migrimit dhe sigurisë, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane historikisht, kulturalisht, dhe shpresojmë edhe institucionalisht në të ardhmen e afërt. Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo fqinjësi të kthehet në të shkuarën, ku kujtimet e errëta të nacionalizmit janë ende të freskëta. Rajoni i Ballkanit Perëndimor në tërësinë e tij tashmë duhet të shohë drejt së ardhmes dhe rruga e kësaj të ardhmeje mund të jetë vetëm evropiane; një rrugë që çon drejt përparimit, begatisë, stabilitetit dhe paqes. Sepse kjo është ajo çka reflekton aspiratën autentike dhe vizionin e gjithë popujve në këtë pjesë të Evropës.
*Komisioner i BE-së për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme
“Gazeta Shqiptare”
**Titulli është i ResPublica
Add new comment