Të vërtetat e Brukselit dhe memecët gënjeshtarë të Tiranës
Deklarata e Ministrave të Jashtëm të BE për Shqipërinë provoi as më pak e as më shumë atë që kishte paralajmëruar në Tiranë, kryetari i grupit parlamentar CSU-CDU, Gunter Krishbaum se Shqipëria ka një listë detyrimesh për të përmbushur përpara se të marrë një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
Asokohe kryeministri nxitoi ta prezantojë si një qëndrim personal të motivuar nga afërsia e deputetit gjerman me opozitën, duke folur për një kusht të vetëm, atë të Vetting-ut. Mirëpo publikisht tani kanë folur disa ministra të Jashtëm të Bashkimit Evropian duke përmbysur kupën e arritjeve që kryeministri i prezanton publikut si të aprovuar nga Brukseli.
Një qeveri serioze duhet të kishte përshëndetur me një deklaratë zyrtare samitin e ministrave të Jashtëm dhe qëndrimin që ata mbajtën për Shqipërinë ose dhe të shprehte kundërshtitë e saj në rast se do të kishte. Si shpjegohet kjo heshtje zyrtare kur kryeministri është flamurtar i sukseseve që sipas tij Shqipëria nuk i ka njohur në 25 vite.
Qeveria u mjaftua me një fjalim të kryeministrit para ambasadorëve, ku u përsërit e njëjta alibi, zbatimi i ligjit të Vetting-ut si i vetmin kusht për hapjen e negociatave. Kjo nuk është e vërtetë. Kryeministri vazhdon të gënjejë, duke u munduar të mos mbajë përgjegjësi për ato që qeveria e tij nuk ka bërë dhe i ka si detyra shtëpie në tavolinë për t’i përmbushur.
Bashkimi Evropian ka renditur si kushte kryesore edhe luftën kundër drogës edhe zgjedhjet apo luftën kundër korrupsionit. Këtë e konfirmoi me një deklaratë edhe grupi CDU-CSU i Bundestagut gjerman përmes një deklarate ku thotë se:
Grupi CDU-CSU shpreh shqetësimin edhe për përparimin e ngadalshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës. Para se BE të miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë, prodhimi dhe trafiku i drogës në vend duhet të ulet në mënyrë dramatike. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga ndikimet politike dhe të mos jetë objekt i asnjë kontrolli politik
Po ashtu kryeministri e di shumë mirë se duhet të zbatojë pa asnjë mëdyshje ligjin e dekriminalizimit për emra si Elvis Roshi apo të tjerë rreth tij siç po ashtu e thekson me forcë grupi më i madh parlamentar në Bundestag-un gjerman.
Asnjë mandat deputeti apo zyrtari të qeverisë nuk duhet të ekzistojë nëse ndaj tij ka urdhër-arresti apo tashmë është dënuar. Të tjera pika në listën e prioriteteve janë reforma në sistemin zgjedhor dhe administratën publike, respektimi i të drejtës së pronës dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Shqipëria nuk duhet të pësojë rënie në rrugën drejt Bashkimit Europian. Para se Bundestagu të jetë dakord për hapjen e negociatave, duhet të plotësohen shumë kushte
Në mungesë të seriozitetit për të trajtuar sfidat që ka përpara, kryeministri vetëm sa ka rikonfirmuar papërgjegjëshmërinë për t’u përballur me problemet e vendit, duke operuar me standarde që asnjë qeveri demokratike nuk do të aplikonte ndaj qytetarëve të saj.
Add new comment