Mitet antemurale dhe Skënderbeu
Kombet në përgjithësi dhe sidomos kombet e vogla krijojnë mite antemurale, sipas të cilave ato janë flijuar për të mbrojtur gjëra apo qytetërime të mëdha si Europa, krishterimi etj. Sulstarova shkruan mbi mitin antemural politik në Shqipëri, ku ai i Skënderbeut është më i dukshmi.
Miti politik
Mitet politike përdoren për legjitimimin e formimit dhe të ekzistencës së një bashkësie politike. Sipas një përkufizimi të studiueses Kiara Botiçi (Chiara Bottici), miti politik duhet parë si “një proces i vazhdueshëm i punës mbi një rrëfim të përbashkët, me anë të të cilit anëtarët e një grupi shoqëror apo shoqërie mund të sigurojnë domethënie për përvojat dhe veprimet e tyre politike”. Botiçi argumenton se miti nuk është një rrëfim i vetëm, por një proces i ripunimit të varianteve të mundshme të një tregimi, që varen nga aktorët e përfshirë (me projektet dhe interesat e veta) dhe nga rrethanat e ndryshueshme shoqërore dhe historike. Puna me mitin është e lidhur ngushtë me kërkimin e njerëzve për domethënie në botë, prandaj mund të themi se, me fjalët e Botiçit, “këndvështrimi ynë lidhur me mitin bazohet në supozimin se ne jo vetëm që kemi nevojë për kuptime që të na orientojnë në botë, por edhe për domethënie që e bën botën më pak indiferente ndaj nesh”. Mitet nuk janë thjesht përshkrime të botës, por edhe ndërtime të saj dhe kjo shpjegon pse shoqëritë njerëzore përgjatë historisë kanë shpikur mite të zanafillës, heroizmit, viktimizimit, misionit historik etj., që janë të ndryshme nga njëri-tjetri.
Edhe pse historia është një burim i pasur për mitet, kjo nuk do të thotë se çdo ngjarje historike mund të funksionojë si mit politik. Si historia, po ashtu edhe miti, rrëfehen prej këndvështrimeve të së tashmes, por vetëm ato rrëfime historike që sigurojnë domethënie për përvojën politike të një grupi në të tashmen mund të funksionojnë si mite politike. Megjithëse ekziston një tendencë për ta konsideruar mitin si ruajtës të traditës dhe bartës i vlerave konservatore, nuk duhet përjashtuar mundësia që mitet të jenë mjete për të kritikuar realitetin dhe për të sjellë ndryshime radikale. Me anë të apelit te miti mund të kërkohen ndryshime të së tashmes, për vetë faktin se mitit që të funksionojë i duhet ta relativizojë të tashmen duke e vënë përballë moralit “të pakohë” që përmban ai vetë.
Mitet antemurale
Ndërsa është e vërtetë që mitet funksionojnë për ngulitjen e identitetit të një bashkësie, ato duhet të jenë në gjendje që të lejojnë ndryshimin historik dhe evoluimin e së njëjtës bashkësi. Mitet kombëtare të “erës së artë” janë një shembull i gjetur për këtë, sepse ata rrëfejnë për një kohë të shkuar të lavdishme që mund të rimerret në rrethana të tjera si burim i ringjalljes morale. Një tjetër grupim mitesh që ka dëshmuar se mund të jetë i përdorshëm në periudha të ndryshme janë rrëfenjat antemurale, që i ndeshim te shumë popuj në periferi të kontinentit të Evropës, që nga spanjollët në perëndim e deri te polakët e ukrainasit në lindje. Sipas këtyre miteve, në një periudhë dramatike të historisë, kombi në fjalë ka shërbyer si ledh mbrojtës për krishterimin, Evropën ose qytetërimin evropian, kundër “barbarëve” të ndryshëm, si: arabët, turqit, mongolët, rusët, islami, ose komunizmi. Veçanërisht nacionalizmi i kombeve të vogla ka krijuar mite të tilla, sepse në emër të vetëflijimit në histori kërkohet njohje nga “Evropa” ose ndonjë lloj kompensimi simbolik. Në zgjimet e tyre në shek. XIX, kombet e reja të Ballkanit i kujtonin Perëndimit se ai pati shansin të zhvillohej pikërisht prej flijimit të tyre nën “zgjedhën” turke. Ja si shkruante në emër të kombit rumun Ion C. Bratianu: “Ne ishim pararoja e Evropës prej shek. XIII e deri kohët e fundit; në ishim ledhi mbrojtës i Evropës kundër pushtimeve aziatike të së shkuarës. Shtetet evropiane arritën të zhvilloheshin, sepse të tjerë u vetëflijuan për t’i mbrojtur”.
Pas rënies së komunizmit, mitet antemurale u ringjallën, jo vetëm për të kërkuar një vend në Evropë, por edhe për ta përkufizuar kombin kundër fqinjëve duke i paraqitur këta të fundit si armiq apo rrezik të qytetërimit evropian. Gjatë luftës me Serbinë në vitin 1991, media kroate e portretizonte kombin e saj si martir i qytetërimit evropian kundër kërcënimit ortodoks nga Lindja. P.sh. në një artikull shkruhej: “Për gati treqind vjet të një luftë të pandërprerë mbrojtjeje, Kroacia ka fituar titullin e ndershëm të antemurale christianitatis – muri i jashtëm mbrojtës i kulturës së Evropës Perëndimore. Por ky titull na ka kushtuar shumë… Breza të tërë, njëri pas tjetrit, janë flijuar në mbrojtje të gjithë qytetërimit evropian. Gjatë këtyre tri shekujve, në kohën kur fuqia më e madhe jo e krishterë në botë shkatërronte, rrënonte dhe pushtonte Kroacinë, pjesa perëndimore e botës së krishterë flinte gjumin e rëndë pas vijës së mbrojtjes dhe u zhvillua në çdo drejtim… Në fund të shek. XX Kroacia përsëri po e mbron Evropën nga rreziku që vjen nga Lindja”.
Nga ana e tyre, shumë politikanë dhe intelektualë serbë në vitet ‘80-90 të shekullit të kaluar e paraqisnin përpjekjen e kombit të tyre kundër myslimanëve në Bosnjë dhe Kosovë si mbrojtje të Perëndimit kundër Turqisë dhe islamit. Në fjalimin famëkeq që mbajti më 1989 në Fushë-Kosovë, me rastin e 600-vjetorit të betejës së Kosovës, Sllobodan Millosheviçi përfshinte edhe citatin e mëposhtëm: “Gjashtë shekuj më parë, Serbia heroikisht mbrojti veten këtu në Fushë-Kosovë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, ajo mbrojti edhe Evropën. Në të njëjtën kohë, Serbia ishte ledhi i Evropës dhe mbrojti kulturën dhe fenë e kësaj dhe shoqërinë evropiane në tërësi. Prandaj, sot duket jo vetëm e padrejtë, por edhe johistorike dhe plotësisht absurde të vihet në dyshim përkatësia e Serbisë në Evropë. Serbia vazhdimisht ka qenë në Evropë, tani dhe në të kaluarën. Por, sigurisht sipas mënyrës së saj”.
Edhe shqiptarët kanë ndërtuar mitin e tyre antemural, rreth heroit kombëtar, Skënderbeut, i cili e “shpëtoi” Evropën prej rrezikut turk. Ky mit ndeshet te shkrimet romantike të rilindësve, te historiografia e periudhës komuniste dhe po kështu te fjalimet e politikanëve të sotëm, gjithnjë në funksion të dëshirës së shqiptarëve për t’i provuar Evropës jo vetëm përkatësinë e tyre evropiane, por edhe “dobinë” që ka pasur Evropa e madhe dhe e zhvilluar nga populli i vogël e i vuajtur shqiptar. Në vitin 1999, për përvjetorin e Lidhjes së Lezhës, presidenti i atëhershëm i Shqipërisë në fjalimin e tij theksoi se “neve na ra nderi të parët të mbrojmë vlerat e qytetërimit evropian”. Siç duket duke e ndjerë konkurrencën e shteteve të tjera ballkanike për flamurin e mbrojtësit të Perëndimit, presidenti kërkon të theksojë se cilët ishin të parët që u rreshtuan në ledhin mbrojtës! Vite më vonë, më 2013, është kryetari i Kuvendit të Shqipërisë që e lidh për mbrojtjen e Evropës me aspiratën e tanishme të Shqipërisë për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian. Rasti është përurimi i një statuje të Skënderbeut në sheshin eponim të qytetit të Fermos në Itali. Midis të tjerash, z. Ilir Meta thotë se “Skënderbeu nuk ishte vetëm një luftëtar për të mbrojtur popullin e tij dhe lirinë e tij por Skënderbeu u kthye në një kalorës të qytetërimit europian, të krishterimit, u kthye në një mburojë të perëndimit nga një perandori shtypëse dhe barbare e asaj kohe… Sepse ne meritojmë të jemi pjesë e Europës së bashkuar, e meritojmë që flamuri ynë të jetë njësoj si gjithë flamujt e vendeve të Bashkimit Europian ashtu sikurse fituam këtë të drejtë me meritë si një vend anëtar i NATO”.
Miti antemural është e kundërta e imazhit të Ballkanit si një urë midis Perëndimit dhe Lindjes. Disa intelektualë në Shqipëri e kanë refuzuar metaforën e urës për të përshkruar vendin e tyre në histori, sepse, sipas tyre një imazh i tillë nënkupton një identitet të përçarë midis dy botëve dhe një dilemë për t’iu bashkangjitur ose jo Evropës. Një ish-ministër i jashtëm, Tritan Shehu, gjatë një interviste në vitin 2006 është kategorik në këtë pikë: “Pavarësisht nga disa aksidente të përkohshme të imponuara në histori, ne gjithmonë kemi qenë në Perëndim, dhe aty dëshirojmë të integrohemi tërësisht. Kështu ne nuk jemi as urë, as pikë lidhëse, as tranzicion midis Lindjes e Perëndimit”. Kujtojmë se në atë vit debati publik mbi identitetin evropian të shqiptarëve, i nisur midis Kadaresë dhe Qoses, në thelb kishte të bënte me mosmarrëveshjen se cili imazh i Shqipërisë ishte ai i duhuri për t’ia treguar Evropës: ai i mbrojtësit të Evropës kundër rrezikut lindor, apo ai i bashkëjetesës së ndikimeve të qytetërimeve të ndryshme në mesin e një identiteti kombëtar. Në një mënyrë a në një tjetër, ky debat shqiptar është pasqyrim i debateve më të gjera në Evropën e sotme mbi shumëkulturalizmin dhe mbi imazhin e “Kalasë Evropë” përballë “barbarisë” të mishëruar te imigrantët dhe islami. Mitet antemurale po ringjallen dhe po përdoren nga forca të skajshme dhe me agjenda të rrezikshme për një mbyllje të Bashkimit Evropian ndaj “të huajve”, atyre që ato nuk i identifikojnë si “tanët”. Në morinë e kombeve që e përbëjnë këtë bashkim të madh politik e ekonomik, që deri tani është udhëhequr nga vlerat liberale, ndodh që uniteti populist të mos kërkohet te e kaluara e dhimbshme e Evropës që nuk duhet përsëritur, por te urrejtja e përbashkët ndaj “të huajit”.
Miti i Skënderbeut në librat e historisë
Në të gjithë historinë e shqiptarëve, periudha historike, së cilës i jepet më shumë domethënie “evropiane” është ajo e kryengritjes së Skënderbeut në shek. XV. Miti i Skënderbeut si shpëtimtar i Evropës u artikulua së pari gjatë Rilindjes Kombëtare dhe vazhdoi edhe në periudhat e mëvonshme, përfshirë edhe atë komuniste, me gjithë retorikën armiqësore të Hoxhës ndaj Perëndimit kapitalist. Historiografia e kohës së komunizmit episodin e Skënderbeut e rrëfente si një luftë për çlirimin e bashkimin kombëtar dhe njëkohësisht edhe për mbrojtjen e kulturës evropiane. Për shembull, në muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, i ndërtuar në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, është e ekspozuar një hartë e Ballkanit në qelq të ngjyrosur, në të cilën jepet me anë të shigjetave dhe datave përparimi i pushtimeve osmane në Ballkan dhe betejat kryesore. Nën këtë hartë ndodhet një zinxhir hekuri, i cili përfaqëson “zgjedhën turke”, ndërsa diçitura e hartës thotë se pushtimi turk ishte “edicioni i dytë” i sulmit ndaj Evropës, pas të parit prej arabëve në shek. VIII e.s., dhe se ai përbënte, sikurse edhe pushtimet mongole, një kërcënim ndaj “zhvillimit evropian”, duke e përgatitur vizitorin që ta vështrojë qëndresën e Skënderbeut edhe në prizmin e shpëtimit të Evropës prej barbarisë. Gjithsesi, historiografia shqiptare e komunizmit nuk mund ta pranonte Skënderbeun si mbrojtës të Evropës katolike: vetë Enver Hoxha porosiste se megjithëse Skënderbeu “u shpall shpëtimtar i katolicizmit… duhet treguar qartë se ai mbrojti progresin kundër osmanëve”, dhe kryehistoriani Aleks Buda argumentonte se njëra nga tezat e gabuara mbi përpjekjen e shqiptarëve kundër pushtimit osman ishte se ajo motivohej nga ndërgjegjja e tyre fetare, si të krishterë që ishin.
Nëse gjatë komunizmit Skënderbeu për historiografinë shqiptare ishte heroi kombëtar që në krye të popullit të tij shpëtoi Evropën në një nga çastet e saj më të vështira, në historiografinë paskomuniste ai është një hero njëherazi kombëtar dhe evropian. Sipas shënimeve hyrëse të konferencës shkencore ndërkombëtare me titullin domethënës Skënderbeu dhe Evropa, të mbajtur në Tiranë në vitin 2005, Skënderbeu shpallet si mbrojtës i lirisë, identitetit kombëtar shqiptar dhe i qytetërimit evropian. Te kumtesa e tij në këtë konferencë Kristo Frashëri theksonte se “Skënderbeu hyri në skenën e historisë shqiptare dhe evropiane në kohën kur Shqipëria dhe Evropa patën nevojë për të dhe kur Skënderbeu, me kontributin që dha, i justifikoi shpresat e veta”. Ndërsa Aurel Plasari interpreton përpjekjen e Skënderbeut si një kryqëzatë të vonuar kundër islamit, pikërisht në kohën kur po formohej identiteti i përbashkët evropian përmes kundërshtimit ndaj rrezikut turk.
Rëndësia e qëndresës së shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut për mbrojtjen e Evropës Perëndimore theksohet edhe në librat shkollorë të historisë kombëtare që janë botuar në vitet e tranzicionit paskomunist. Për të dhënë një panoramë më të gjallë të këtij funksioni, në disa prej teksteve shkruhet se shqiptarët i “gozhduan” ushtritë osmane në kulmin e fuqisë së tyre, ose se ata formuan ledhin që ndaloi “vërshimin” osman drejt Italisë. Disa tekste i kushtojnë një pjesë mësimi apo një mësim të tërë tematikës së marrëdhënieve apo diplomacisë së Skënderbeut me “Evropën” apo “shtetet evropiane”. Në një libër të vitit 1992, autorët, pas fjalisë de rigueur që shqiptarët i ndaluan osmanët në kufi të Evropës Perëndimore, shtojnë edhe se “përveç mbrojtjes së qytetërimit evropian, shqiptarët ndihmuan në zhvillimin ekonomik e kulturor të pandërprerë të këtij qytetërimi”, frazë kjo që nënkupton një marrëdhënie të vazhdueshme të shqiptarëve me qytetërimin evropian, edhe në fusha të tjera veç asaj të luftës. Në këtë mënyrë shqiptarët fitojnë një vend brenda qytetërimit dhe nuk mbeten vetëm si roje të portës së tij. Gjithashtu, në një libër shkollor të botuar për herë të parë në vitin 2009, vit i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, lexojmë se Skënderbeu ishte një diplomat i shquar që “i dha përparësi lidhjes dhe aleancave me Perëndimin”. Librat shkollorë të periudhës paskomuniste nuk i përmendin aspektet fetare të qëndresës së Skënderbeut, me gjithë titullin “Atlet i Krishtit” që papët i blatuan atij. Madje, në një tekst mësimor shkohet deri aty sa të pohohet se “tipar dallues i kësaj lufte ishte zhvillimi i saj pa dallime fetare mes shqiptarëve, sepse shqiptarët katolikë, ortodoksë dhe ata të islamizuar luftonin përkrah njëri-tjetrit për një çështje të përbashkët”. Duket sikur autorët supozojnë se ligjërimi nacionalist e mbifetar i Rilindjes Kombëtare ka vepruar te shqiptarët disa shekuj më herët!
Atëherë kur jo vetëm politikanët, por edhe historianët zënë e përmendin një “Evropë Perëndimore” që paska ekzistuar si vetëdije politike qysh në shek. XV; për “Shqipëri” apo “Evropë” që thërrasin për ndihmë Skënderbeun; për “edicione” të barbarit të njëjtë lindor, por me fytyra të ndryshme; apo për shqiptarët myslimanët që me të dëgjuar thirrjen e Skënderbeut marrin armët kundër sulltanit, kuptojmë se kemi arritur në pikën që historiani rumun Lucian Boja (Lucian Boia) e quan “mistifikim” dhe që është procesi i mashtrimit dhe keqinformimit të qëllimtë me anë të mitit. Mistifikimi nuk ka të bëjë thjesht me interpretime të gabuara të mitit, por me përpjekjen për ta njëdimensionuar mitin, për ta varfëruar atë dhe për ta ndaluar procesin e vazhdueshëm të interpretimit të mitit politik. Në këtë pikë, nevojitet ndihma e historiografisë, por e një historiografie “të zgjuar”, e cila iu qëndron besnike metodologjive shkencore, përpiqet të na e bëjë më të qartë e të kuptueshme të kaluarën dhe, në të njëjtën kohë, pranon kufizimet e veta lidhur me objektin e saj. Kërkesa e bashkësive politike për domethënie nuk do të reshtë dhe historiografia kritike duhet të ndihmojë që puna kolektive me mitin të vijojë.
"Mapo"
Comments
Perderisa Skenderbeu njihet
Perderisa Skenderbeu njihet dhe permendet nga shume autore dhe gjithfare njerezish te fushave te ndryshme ne Europe, (e biles deri ne Amerike), gjithashtu permendet me respekt edhe nder historite popullore te shqiptarve, qofshin edhe myslimane keta, e gjithe kjo do te thote se miti i tij si nje nga mbrojtesit e krishterimit dhe tokave te arberve te krishtere (katolike dhe ortodokse te bashkuar) ka nje fakt te vertete brenda. Pra kemi nje mit qe bazohet ne faktin historik, si i tille eshte me shume ngjarje /fakt historik/e se sa mit. Qe ngjarjet historike kthehen ne mite, ky eshte nje proces i zakonshem ne historine popullore dhe historiografine zyrtare. Por per fat faktet mbeten fakte.
Add new comment