Rezerva për Projektligjin e ri të qeverisë mbi minoritetet. Akuza se nuk njihen të drejtat e vllehëve, goranëve dhe romëve?
Qeveria ka hartuar projektligjin e ri të minoriteteve që në terma zyrtarë njihet si projektligji për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Drafti ka nisur të diskutohet me grupet e interesit dhe së fundmi ishte pjesë e një auditoriumi të thirrur nga Avokati i Popullit, në të cilin u ngritën disa pikëpyetje mbi mangësitë që ofron ky draft.
Duke analizuar përmbajtjen e projekt-ligjit në fjalë, gjykojmë se në të flitet vetëm për të drejta të personave që i përkasin minoriteteve kombëtare. Së pari, sot në Shqipëri njihen dy lloje minoritetesh, minoritetet etnike kombëtare ku përfshihet minoriteti Grek, minoriteti Maqedon dhe minoriteti Serbo-Malazez, si dhe minoritetet etno gjuhësore, ku përfshihen minoriteti Vllah dhe minoriteti Rome.Pavarësisht kësaj, realiteti i shoqërisë sonë njeh “de facto” edhe disa kominutete të tjera të ndryshme nga popullsia etnike shqiptare siç janë komuniteti Boshnjak, komuniteti Egjiptian, apo edhe komuniteti Goran.Në fakt, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 20, shprehet vetëm për personat që u përkasin pakicave kombëtare gjë që krijon edhe një debat në lidhje me njohjen e zgjeruar nga ana e shtetit edhe të kategorisë së minoriteteve etno-gjuhësore. –theksoi në fjalën e tij Avokati i Popullit.
Sipas Totozanit në nenin 3 të projektligjit jepet një përkufizim për minoritetet, ku në mënyrë të përgjithshme përcaktohen disa tregues që dallojnë një minoritet kombëtar nga pjesa mazhoritare e popullsisë. Dy pyetje të tjera që ngre Avokati i Popullit janë se si do të mund të njihej “de jure” një komunitet ekzistues, si minoritet kombëtar në Shqipëri dhe a duhet të ketë një definicion dhe kritere njohjeje “de jure” edhe për minoritetet etno-linguistike?
Add new comment