Nuk ka dritë jeshile...

Postuar në 28 Nëntor, 2016 23:31

I allnuar nga Gjermania – komploti i Vettingut nuk ngjiti - ja si mund të përmblidhet me një fjali bilanci i vizitës së kryeministrit Edi Rama në Gjermani. 

Qeveria ka nxituar të nxjerrë tellallët për takimin mes tij dhe kancelares Angela Merkel. Kush ka lexuar sot tituj, apo ka parë kronika që kishin fjalët: Vettingu, kusht i vetëm, e kupton shumë qartë se për çfarë bëhet fjalë. Se çfarë teknike trashamane të kozmetikës politike po kemi përballë.

Një teknikë e mjerë që synon ta konvertojë një takim të rëndësishëm si ai mes një kryeministri të Shqipërisë dhe një kancelari të Gjermanisë, në një ballafaqim ku diskutohet me ankth opozita shqiptare. Partia Demokratike dhe Sali Berisha me Lulzim Bashën që paskan bllokur integrimin me Vettingun e që të cilëve as Angela Merkel nuk po ka çfarë t’u bëjë. Goxha rëndësi paska hëm Saliu, hëm Lulzimi.

Kjo është tepër edhe për një njeri si Edi Rama, që nisur nga halli i vet i zakonshëm që nuk i ngjit asnjëherë ndonjë gjë e mirë, kalon në ofezë publike ndaj inteligjencës së kujtdo. Sepse konferenca për shtyp me Merkel u pa live, për aq sa u dha dhe aty u fol qartë për 5 prioritete.

Nuk pamë një kancelare që të thoshte qartë se qëndrimi i Gjermanisë në dhjetor do të jetë ky apo ai, por pamë një drejtuese qeverie që shprehu mbështetje për Shqipërinë. Po kur vallë nuk është shprehur kjo mbështetje, që është parimore për një vend që ka nisur rrugën e integrimit?

Derexheja e këtij kryeministri është katandisur te mbrojtja alogjike prej predikuesi të një famulltari province si Spartak Ngjela, apo nga një borizan automat si Taulant Balla, të cilët pa i fyer për atë që përfaqësojnë, duhen patjetër goditur për atë rrugë qorre që duan të mbajnë hapur se medemek kështu ruajnë grigjën nga djalli Sali. Shikoni se çfarë thotë sot Taulant Balla duke sqaruar versionin e tij për atë ka deklaruar kancelarja Merkel:

1. Shqipëria në vitet e fundit ka ndryshuar rrënjësisht.

2. Komisioni Evropian e ka njohur kete progres edhe në raportin e tij të fundit për Shqipërinë.

3. Jane bere reforma shume te rendesishme. Gjermania ka kontribuar në mënyrë vendimtare që te kaloje reforma në drejtësi.

4. Komisioni Evropian e ka njohur kete progres edhe në raportin e tij të fundit për Shqipërinë.

5. Reformat duhet te vazhdojne ne cdo fushe dhe Komisioni Evropian për këtë ka përcaktuar pesë prioritete.

6. Kush i di konfliktet e politikës së brendshme, e ka te qarte se nevojitet shume forcë dhe shumë guxim, për të ecur në këtë rrugë.

7. Përgëzoj me gjithë zemër Kryeministrin Edi Rama për këtë progres”, raporton “Tema”.

Pra Merkel i paska vënë një 10 me yll qeverisë shqiptare e megjithatë nuk jep dot asnjë garanci eksplicite për atë që do thotë Gjermania në dhjetor. Njësoj si në rastin e deklaratave të deputetit Krichbaum, i cili sot publikoi në faqen e vet konferencën për shtyp në Tiranë, sugjerojmë që për të kuptuar rezultatin e kësaj vizite, hidhini më mirë një sy asaj që shkruan vetë kryeministri.

Një fitore e tij sot, ashtu siç i lexon ai fitoret do të shoqërohej me tamtame e me ngjyra, dalje e mesazhe, emotikone e emocione partie, kuptohet pa harruar akuzat për kazanin. Mirëpo kazani sot u zhduk nga fjalori, u zhduk edhe akuza për deputetët e huaj që i nxjerr Lulzim Basha nga skutat për të penguar integrimin. Në vend të tyre u nxorën nga skutat taulantët që shkrujanë tekste si ai më sipër.

Faleminderit Kancelares Merkel per mirekuptimin e plote dhe mbeshtetjen qe Gjermania i ka dhene e do t'i jape Shqiperise edhe ne dhjetor”, një status i kryeministrit në Facebook

Pastaj videoja që u pa nga të gjithë, e pastaj një status tjetër i thatë: “Edhe në takimin me Presidentin e Bundestagut Lammert mirëkuptim i plotë dhe shprehje e qartë e mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë”, më tej një foto dite me “miken e shtrenjtë të Shqipërisë” dhe pastaj...Pastaj, “lale lone më mir kët muhabetin gjermon”. Në intervistën e dhënë për DW, kryeministri pasi rrotullon muhabetin për mirë, e pranon se:

Dritën e gjelbër e jep Këshilli Europian, kështu duhet të presim këshillin dhe të presim, se si këshilli do ta lexojë dhe pastaj si do të reagojë pas leximit të rekomandimit të Komisionit”. Çka do të thotë se këto qeveri që do të mblidhen aty, nëse do të thonë jo do të duhet të nxjerrin arsye. Cilat janë këto arsye që nuk lejojnë dhënien e dritës jeshile?!

Asnjë sqarim me pika siç e do zanati për atë çfarë pritet të ndodhë, cilat janë hapat e çfarë konkretisht tha Merkel.

Jo. “Miq të nderuar të faqes sonë në Facebook: Ju lutem, lexoni Taulant Ballën pasi unë nuk mund të them më shumë”.

Fundi i programit për ditën e sotme: Rroftë Ismail Qemali!  

Por edhe kaq mjafton. Më mirë sesa portalet që janë nën ndikimin rus.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.