Lufta, triumfi i maskarenjve, manipulatorët dhe sehirxhinjtë e të ashtuquajturës botë akademike*
Në këta njëzet e pesë vjet tema e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare (më poshtë: LANÇ dhe Lufta) është prekur dhe është trajtuar në mënyrë të përsëritur. Mund të thuhet, madje, që ajo ka qenë periudha e historisë sonë më e pranishme në faqet e shtypit të shkruar. Vetëkuptohet që për shkak të ndryshimeve rrënjësore, që pësoi shoqëria në fillim të viteve ’90, ndryshoi rrënjësisht – në shumicën dërrmuese të trajtesave – edhe këndi i vështrimit të kësaj periudhe. Nga periudhë e lavdishme LANÇ-i u trajtua si periudhë vëllavrasjeje, etjeje për pushtet, tradhtie të interesave kombëtare, shkak i varfërisë, padijes dhe dhunës për 45 vjetët e ardhshëm. Nga ana tjetër edhe te një pjesë e trajtesave, që nuk u pajtuan me këtë përmbysje rrënjësore të vlerësimit të Luftës, është vënë re një “rrumbullakim” i gjykimeve, një përshtatje me të ashtuquajturin demokratizim të shoqërisë, me të ashtuquajturat vlera perëndimore.
Tabloja e këtyre dy modeleve të qëndrimit ndaj Luftës mund të përgjithësohet kështu: numri i goditjeve ndaj saj asnjëherë nuk është rralluar dhe forca e tyre asnjëherë nuk është zbehur, ndërsa “rrumbullakësimi” i vlerësimeve përgjithësisht pozitive, masa e oportunizmave, ka ardhur duke u shtuar.
Sigurisht ka pasur edhe qëndrime krejtësisht të kundërta me dy të mësipërmet, qëndrime që e mbrojnë me parimësi vështrimesh dhe argumentesh LANÇ-in. Veçse në mënyrë të vetëkuptueshme ato kanë qenë të pakta: koha e sotme, klima e sotme, është hapur kundër tyre.
Në prag të 72-vjetorit të ditës së Çlirimit të vendit tonë nga pushtimi nazi-fashist dhe nga bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, në këto ditë kur goditjet ndaj LANÇ-it kanë rifilluar të shfaqen në shtyp e në programe televizive, e drejta historike, rrjedhimisht, vetë nevoja e ecurisë së shoqërisë sonë sot e në të ardhmen, e bëjnë të domosdoshme shpalosjen me këmbëngulje të vlerësimit realist të kësaj ngjarjeje, ndaj së cilës shoqëria e sotme sa vjen e bëhet më fajtore.
***
Le të parashtrojmë disa nga çështjet kryesore që lidhen me vlerësimin e LANÇ-it dhe me goditjet kryesore që i janë bërë atij në këtë periudhë.
Në materialet publicistike dhe propagandistike të këtyre 25 viteve – qofshin ato tërësisht a pjesërisht negative (domethënë “të rrumbullakuara”) – periudha e Luftës në veçanti, e ngjarjeve të historisë sonë nga pushtimi i vendit më 7 prill 1939 deri në çlirimin e tij më 29 nëntor 1944 në tërësi, shihet e copëzuar dhe pa asnjë lidhje kohore dhe rrethanore me zhvillimet brenda e jashtë Shqipërisë. Ky këndvështrim është kundërshkencor dhe buron nga një qëndrim i qartë: ai synon të përligjë pushtimin e vendit dhe rrjedhimisht të hedhë poshtë çlirimin e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Si i tillë ai nuk i përgjigjet të vërtetës së madhe historike. Ai në thelb është kundër kësaj të vërtete.
Pushtimi i Shqipërisë më 7 prill 1939 ishte pasojë jo vetëm e politikës së shtetit fashist italian, por edhe e politikës kundërshqiptare të asaj klase që qeverisi Shqipërinë duke filluar nga 24 dhjetori 1924. Rrjedhimisht LANÇ-i ishte pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, ishte reagim i popullit shqiptar ndaj këtij pushtimi. lanç-i ishte gjithashtu reagim ndaj politikës kundërshqiptare dhe kundërpopullore, praktikisht tradhtare, të klasës që qeverisi Shqipërinë duke nisur nga 24 dhjetori 1924.
LANÇ-i ishte reagim i popullit shqiptar edhe ndaj politikës jo vetëm kundërshqiptare e kundërpopullore, por edhe haptazi tradhtare, të klasës që qeverisi vendin pas pushtimit dhe që praktikisht e ka qeverisur vendin edhe përpara vitit 1912 (në shërbim të pushtuesit dhe sunduesit të huaj), edhe pas vitit 1912 (gjithnjë e gatshme për “integrim” me forcat e huaja, të cilat pavarësinë e Shqipërisë nuk e kanë dashur as më 1914-ën, as më 1916-ën, as më 1925-ën, as më 1939-ën, as pas 1944-ës). Për këtë klasë pavarësia e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë përparësi, ndërsa interesat e popullit shqiptar, mirëqenia e tij, vetë fjala “popull”, për të nuk kanë ekzistuar. E vetmja përparësi për këtë klasë ka qenë mirëqenia vetjake. Dhe për hir të kësaj mirëqenieje ajo ka shitur vendin në shekuj. LANÇ-i ishte përgjigjja e popullit shqiptar ndaj klasës sunduese, ishte shpagimi për shpërfilljen dhe shtypjen shumëshekullore.
LANÇ-i ishte i pamundur pa udhëheqjen e një faktori politik. Ky faktor politik, në vijim të asaj që kishte ndodhur në Evropë e më gjerë duke nisur nga gjysma e dytë e shek.XIX dhe nën ndikim të asaj që po ndodhte në një varg vendesh evropiane në atë kohë, ishte një forcë politike që udhëhiqej nga interesat e popullit punonjës dhe të vendit në tërësi, ishte parti komuniste. Është fakt që ky faktor politik lindi në një kohë që ushtria e Gjermanisë hitleriane ndodhej në pikën më të afërt nga kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik, pra, lindi jo atëherë kur shpresat e fitores së frontit antifashist ndërkombëtar ishin më të mëdha e më të dukshme, por, përkundrazi, atëherë kur suksesi i aleancës nazi-fashiste dukej më i mundshëm.
LANÇ-i ishte luftë nacional-çlirimtare. Por klasa sunduese e ktheu gjithçka në luftë për pushtet me politikën që ndoqi duke u vënë në shërbim të pushtuesit dhe duke iu kundërvënë me armë luftës nacional-çlirimtare. Dhe klasa sunduese iu kundërvu çlirimit të vendit, pasi për të u bë e qartë që nuk do të mund ta mbante pushtetin në një Shqipëri të çliruar: duke u bashkuar (siç kishte bërë në shekuj) me pushtuesit kundër interesave të popullit ajo nuk mund ta mbante më pushtetin politik pa ushtritë e pushtuesve dhe nuk kishte më (nëse kishte pasur ndonjëherë) asnjë pushtet moral për të qeverisur. Kongresi i Përmetit ishte fundi i logjikshëm i sundimit të një klase pa skrupuj e të shitur.
Periudha pas mbarimit të Luftës II botërore dëshmoi se kundërshtarët e LANÇ-it e vazhduan veprimtarinë e tyre kundër Luftës dhe praktikisht kundër shtetit shqiptar, ashtu sikurse kjo periudhë dëshmoi qëndrimin e vërtetë të një pjese të koalicionit kundërfashist ndaj Shqipërisë së pavarur. Një ndër provat më të forta të kësaj lufte pothuaj të hapur ndaj vendit tonë (si edhe ndaj vendeve të tjera) ishte kundërshtimi që iu bë Shqipërisë për mbi 10 vjet nga ish-aleatë të mëdhenj të koalicionit kundërfashist për të mos e lejuar të anëtarësohej në OKB, bllokim ky i shoqëruar me veprimtarinë e organizatës “Shqipëria e lirë” dhe veprimtarinë diversioniste e terroriste kundër Shqipërisë popullore.
Parimet dhe mësimet e LANÇ-it ishin një gur prove edhe për vetë veprimtarinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Shmangiet nga këto parime dhe mësime nuk munguan gjatë gjithë periudhës 1944-1990, derisa u arrit që një pjesë e konsiderueshme e popullit, veçanërisht një pjesë jo e vogël e inteligjencies, e humbi lidhjen me mesazhet e mëdha të epokës së LANÇ-it dhe mbështeti ose lejoi kthesën politike, e cila i përmbysi jo vetëm parimet dhe mësimet e LANÇ-it, por edhe rezultatet më të mira, që ishin arritur duke ndjekur vijën e kësaj Lufte të madhe.
Gjendja e vendit sot, gjendja e shoqërisë sonë, në këtë mes edhe gjendja e shkencës së historisë, është një dëshmi e trishtuar, shumë e hidhur, se çfarë solli heqja dorë nga vepra, mësimet, vetë fryma e Luftës antifashiste nacional-çlirimtare. Nuk ka një fushë të jetës së shoqërisë – duke nisur nga politika e deri te kultura – ku të mos jenë shkelur e nëpërkëmbur interesat e popullit. Nuk ka ditë që mes qytetarësh të mos përhapen lajme për njerëz të dëshpëruar që duan të largohen nga atdheu dhe ku të mos dëgjohet shprehja e pikëlluar “Ky vend nuk bëhet”. Këtu nuk është fjala për ata biznesmenë “të suksesshëm”, dhe as për ata politikanë dhe pjesëtarë të “shoqërisë civile”, që janë “integruar” me kohë me “botën e qytetëruar”. Fati i popullit dhe fati i tyre kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë të ndarë. E mira e popullit është e keqja e tyre dhe fati i tyre është fatkeqësi e popullit.
Në të tilla rrethana nuk janë aspak të habitshme sulmet e paargumentuara dhe thellësisht kundërshkencore ndaj LANÇ-it. Madje nuk arrin të ngjallë keqardhje as gjendja e shkencës historike, e cila mbetet në hije dhe në bisht të spekulantëve dhe manipuluesve të historisë, të të gjithë atyre që me gojë a me shkrim, me bujë a në mënyrë tinëzare, përpiqen të hedhin poshtë faktet madhore të historisë së vendit duke rendur pas copërinave të letrave, të cilat i quajnë me emrin mashtrues “dokumente” dhe të cilat përdoren vetëm për të fshehur të Vërtetën e madhe. Vetë historia është kokëfortë: ajo shpërfill çdo shkelje të së vërtetës, sado fitimprurëse materialisht e financiarisht të jenë këto shkelje për ata që i bëjnë. Dhe do të dënojë me harresë jo vetëm maskarenjtë e manipulimeve por edhe sehirxhinjtë e të ashtuquajturës botë akademike.
Në përvjetorin e 72-të të Çlirimit të vendit shqiptarët e ndershëm, ata që e duan atdheun të lirë dhe të pavarur dhe popullin zot të vendit, ata që e kanë të qartë se pushteti i popullit, pavarësia e sovraniteti i atdheut dhe “demokracia”, “liria” e “liria e fjalës” janë në praktikë gjëra krejtësisht të ndryshme, ata që e dinë se sot për fat të keq kanë mbetur aktuale vargjet e Pashko Vasës
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
ndër njëqind çeta jeni shpërnda,
……………………………………………..
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
për me ju damun, me ju vorfnue,
………………………………………………
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
me ju turpnue me grue e me motër
……………………………………………
Baheni rob të nierit t’huej,
qi nuk ka gjuhën as gjakun tuej,
ata që nuk e kanë harruar veprën e madhe të heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ-it, të Q. Stafës, V. Shantos, P. Rexhepit, V. Kushit, Z. Çurres dhe qindra e mijëra bijve e bijave të tjera të popullit, ata që nuk e kanë harruar punën madhështore të një populli të tërë për shpëtimin nga gjendja e mjeruar dhe ngritjen e një shoqërie të drejtë, domethënë të begatë për të gjithë e jo për një grusht të vogël njerëzish jo më njerëz, e presin 29 nëntorin pa atë gëzim që kjo datë meriton dhe pa atë krenari, që do t’u sillte një gjendje shoqërore e drejtë. I tillë është fati sot i njerëzve që besuan te Lufta antifashiste nacional-çlirimtare dhe te ndërtimi i një Shqipërie të re, një Shqipërie për popullin. Sot nuk është dita e tyre, nuk është koha e tyre. Sot është koha për t’u menduar e për t’u penduar që i lamë punët të arrinin deri këtu, deri në triumfin e maskarenjve.
"Dita"
*Titulli origjinal: Pushtimi dhe Çlirimi i Shqipërisë (7 prill 1939 – 29 nëntor 1944)
Comments
Obobo!
Asnje veshtrim i ri, asgje origjinale, Fraza te pluhurosura te historiografise Hoxhiste. Ketij ish-ambasadori i paska ngec ora dhe s'paska orendreqes qe ia levizka.
michaelbraun@yahoo.com
Një gjasme analizë e re e luftës, por pa asnjë element të ri shtesë, thjesht përsëritja e atyre përrallave të shkruara para 90. Dhe zotëria që shkruan qenka ose paska qenë ambasador dhe kjo tregon se çfarë niveli janë "intelektualët" në Shqipëri, madje na përfaqësojnë edhe jashtë.
Add new comment