Dokumenti i anëtarësisë në Rininë Fashiste/Një prononcim i Nexhmije Hoxhës që shton mjegullën
Ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, publikoi tri ditë më parë një dokument sipas të cilit, Nexhmije Hoxha, e veja e Enver Hoxhës, ka qenë pjesë e Rinisë Fashiste.
Dje Artan Lame, koleksionist i periudhës fashiste, jepte një version se përse dokumenti – origjinal edhe sipas tij – nuk provonte anëtarësimin e Nexhmije Hoxhës në Partinë Fashiste. Lame thotë se inkuadrimi në Rininë Fashiste ishte i përgjithshëm ndërkohë që hyrja në parti ishte vullnet i personit. Njësoj si në kohën e regjimit të Enver Hoxhës.
Por vetë zonja Hoxha lë shumë hapësirë interpretimi kur përmes një prononcimi për gazetën “Dita” flet me terma probabilistë.
Ajo thotë se në periudhën në fjalë ishte maturante dhe priste emërimin për mësuese.
“Par këtë arsye mund të më jetë dashur ky vërtetim”, thotë ajo duke lënë të kuptohet se nuk i kujtohet mirë pse është lëshuar ky dokument.
Hoxha shton se nuk ka firmosur pjesëmarrjen në Partinë Fashiste apo Rininë Fashiste, por këtu shtrohet menjëherë pyetja se si mund të kërkohej një dokument për një person që nuk ishte anëtarësuar?
Zonja Hoxha thotë se në vitin 1939 mori pjesë në demonstratat e rinisë së Tiranës... “derisa u kërcënova me arrestim dhe kalova në ilegalitet”. Është një pohim që ha shumë diskutime. Nëse zonja Hoxha ka kaluar në ilegalitet, ajo nuk mund ta ketë bërë këtë më parë se nëntori 1941 kur u themelua PKSh-ja, ndërkohë që dokumenti daton sipas Dervishit tetor 1941. Ai është lëshuar sipas interpretimit të Lames “me kërkesë të vetë të interesuarës, pasi nuk ka numër protokoll”.
Për çfarë i shërbejnë dokumentet zyrtare një ilegaleje?
Më thjesht: dokumenti kërkon interpretimin e specialistëve, por nga deklarata e Hoxhës duket se ajo pranon se mund ta ketë kërkuar atë në kohën kur flasim, se nuk mban mend për cilës arsye i është dashur dhe më tej, nga këto dy qëndrime, mund të spekullohet se zonja Hoxha nuk ka qenë në dijeni se bashkëshorti i saj, mbante në arkivat e veta një dokument të tillë. Do të duhej një sqarim më i hollësishëm për këtë çështje, pasi për shkresurina të tilla gjatë pushtetit komunist mund të të gjente çdo gjëmë.
Comments
Koment
Nje lajm I tille vetem se tregon se sa te "besueshme" jane arkivat tona pas 26 vitesh germime dhe spekulime...
Add new comment