Letra e Kokëdhimës për Edi Ramën: “Po e çon PS-në në çarje dhe në tharje”
Sekretari për Reformën Strukturore dhe Emigracionin në PS, Koço Kokëdhima, ka zbuluar për socialistët e njësisë numër 5 në Tiranë, një letër që ai ia ka dërguar kryetarit të PS-së, Edi Rama në mars të këtij viti. Më poshtë letra që dëshmon për një kundërvënie të madhe prej nga ku lexohet edhe nevoja që Edi Rama të lëvizë nga drejtimi i partisë:
“I dashur Edi! Më vjen thellësisht keq për përkujdesjen tuaj të posaçme për të lënë jashtë zhvillimeve politike në parti të gjithë përvojën dhe prurjen më domethënëse politike të rajonit Vlorë- Gjirokastër. Nëse ka një reformim të shëndetshëm të PS-së ky është ai që po bëhet në këtë rajon. Nëse ka një shtim të fuqishëm të partisë me 15-16 mijë prurje të reja dhe cilësore, ky është zhvillimi që udhëhoqa unë atje. Nëse ka një platformë reformuese që e shpëton PS-në nga relativizimi dhe dalja e butë nga pushteti, kjo është ajo që kam ideuar, hartuar dhe zbatuar unë, pjesë-pjesë qysh nga dita kur kemi ardhur në pushtet e deri më sot.
Ju gaboheni kur mendoni që të neglizhoni dhe injoroni këto realitete politike në jetën e PS-së. Ju u kujdesët që të përjashtonit këto kontribute e ide nga debati si në Asamblenë Kombëtare ashtu edhe në tryeza të tjera që po përgatisin Kongresin e partisë. Ju nuk bëtë asnjë përgatitje serioze të Kongresit. Edhe dokumentin themelor të tij e keni paraqitur dy ditë para asamblesë kombëtare.
Një dokument i turpshëm për nga cilësia, idetë dhe qëllimet. Ju po përgatisni një kongres për të bërë propagandë inproduktive për qeverisjen tuaj dhe jo për të pajisur PS-në me aftësi, programe, strategji dhe taktika për përballimin e sfidave me të cilat ajo dhe shoqëria jonë do të përballet në 15 muajt e ardhshëm dhe në vitet që vijnë.
Unë jam i sigurt se ju po e fusni partinë në një çarje dhe tharje të re dhe përfundimisht shkatërruese për të. Drejtimin pa vizion dhe strategji suksesi, lojërat të zjarrëfikësit që ndiqni, lëshimeve të paimagjinueshme dhe dhuratave që u bëni armiqve të PS-së po u vijnë përballë dallgë shkatërrimtare të PS-në dhe me pasoja të rënda për jetën e vendit.
Sa thamë më lart, unë nuk kam aspak për qëllim të siguroj përfitime apo mbështetje personale. Unë jam përpjekur të kanalizoj brenda tryezave të punës së PS-së të gjitha këto diskutime, por ju nuk latë asnjë hapësirë, çuditërisht, pakuptueshmërisht dhe për fat të keq. Faleminderit”.
Add new comment