Refuzimi nga Tsipras, Edi Rama vendos t'i flasë popullit grek përmes mediave të vendit fqinj
Në mungesë të një takimi me homologun e tij Cipras, kryeministri shqiptar Edi Rama ka vendosur t'i drejtohet popullit grek përmes mediave të vendit fqinj. Të martën në mbrëmje ai do të jetë personazhi kryesor i emisionit "Histori" që përbëhet nga një katërshe gazetarësh të njohur të shypit grek. Intervista me kryeministrin shqiptar ka disa ditë që anonçohet në televizioni "Skai" ku të martën në mbrëmje Edi Rama do të flasë për çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Deklaratat e kryeministrit shqiptar muajt e fundit kanë zënë faqet e para të shtypit grek që nuk kanë hezituar ta cilësojnë kryeministrin e Shqipërisë si një politikan nacionalist që po mban një kurs tensioni dhe përplasje me Greqinë. Kryeministrit Rama i është refuzuar kërkesa për të vizituar Athinën dhe po ashtu kryeministri grek, Aleksis Cipras ka anulluar disa herë vizitat në Tiranë, të planifikuara për dhjetorin e kaluar. Ai ka injoruar deklaratat e kryeministrit shqiptar dhe nuk ka bërë asnjë koment mbi to, duke e lënë politikën e jashtme në duart e ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias. Kryeministri ynë mund ta vuajë këtë injorim, dhe ndoshta kjo e ka bërë që ta ngrejë edhe më shumë tonin për t'u dëgjuar në Athinë.
Gjithsesi të martën në mbrëmje kryeministri pritet t'i përgjigjet interesimit të gazetarëve grekë për disa nga çështjet që preokupojnë të dy vendet, duke nisur nga marrëveshja e detit, tek çështja çame e deri tek arrestimi i dy nëpunësve të ministrisë së Jashtme shqiptare që transportonin tekste shkollore, të cilat Gjykata e Janinës i çmoi si materiale propagandistike. Duhet thënë se paneli i gazetarëve në këtë emision kanë njohje shumë të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Drejtuesi i emisionit Aleksis Papagelas ka qenë për shumë vite korrespondent i televizionit Mega në Uashington, Pavlos Cimas po ashtu, gazetar me origjinë arvanite ka njohje të thellë mbi çështjet shqiptaro-greke si dhe gazetari Tasos Teloglou, i cili ka ndjekur në veçanti çështjen çame duke qenë i pranishëm me intervista edhe në mediat shqiptare. Qasja e tij ka qenë kundër linjës zyrtare dhe për këtë jo vetëm ai por edhe dy gazetarët e tjerë janë etiketuar si proamerikanë. Gjithsesi ballafaqimi të martën në mbrëmje me kryeministrin shqiptar ka zgjuar interes për të parë deri ku shkon vendosmëria e kryeministrit të Shqipërisë për të prezantuar qasjen e tij si një politikë në funksion të slloganit "zero probleme me fqinjët".
Add new comment